English

Borxhet, si vizion i buxhetit 2012

Shqipëria dixhitale është vetëm virtualitet i Kryeministrit, se sot shkollat tona janë si mos më keq e pa asgjë të domosdoshme për të kryer misionin për të cilin janë, spitalet akoma edhe më keq, bujqësia e peshkimi krejt të falimentuara e që i janë kthyer primitivitetit të parmendës e varkave me rrema, tokat pafundësisht djerrë e të papunuara, të varfrit që shtohen çdo ditë e listat e borxheve të tyre shtohen edhe më shume, të papunët e të pashpresët po bëhen ushtri në rrugë e sheshe e mbi të gjitha bizneset që po falimentojnë dhimbshëm, të kredhura më keq se qeveria në kredi e borxhe që nuk mund t’i paguajnë dot kurrë

Nga Gazmir Bizhga

Buxheti i sotëm është shprehja më e mirë e krizës së thellë e të gjithanshme që po kalon ekonomia, shoqëria e biznesi ynë. Megjithë përpjekjet e administratës qeveritarë për ta shmangur haptazi një shfaqje të tillë, kjo duket shumë qartë tek mungesa e investimeve në arsimin publik, në shëndetin parësor, në spitale, në mbrojtjen shoqërore të të varfërve, në bujqësi, në rrugë e kanalizime, në rend e mbrojtje. Kudo ku duhej të ndihej mbështetja e financiare për këta sektorë ajo është bërë e pamundur me këtë buxhet krize dhe vetëm krize. Edhe aty ku janë renditur një pjesë të investimeve publike, një numër i konsiderueshëm i tyre janë thjesht dhe vetëm pagesa të faturave të prapambetura, të atyre investimeve që janë bërë vitin që jemi e që qeveria do t’i paguajë mot. Asgjë më shumë.

Shqipëria dixhitale është vetëm virtualitet i Kryeministrit, se sot shkollat tona janë si mos më keq e pa asgjë të domosdoshme për të kryer misionin për të cilin janë, spitalet akoma edhe më keq, bujqësia e peshkimi krejt të falimentuara e që i janë kthyer primitivitetit të parmendës e varkave me rrema, tokat pafundësisht djerrë e të papunuara, të varfrit që shtohen çdo ditë e listat e borxheve të tyre shtohen edhe më shume, të papunët e të pashpresët po bëhen ushtri në rrugë e sheshe e mbi të gjitha bizneset që po falimentojnë dhimbshëm, të kredhura më keq se qeveria në kredi e borxhe që nuk mund t’i paguajnë dot kurrë. Këtë gjë ky buxhet krize nuk e thotë, ndërsa nuk kursen as rritjen e borxhit që merr qeveria e që së bashku me interesat që po bëhen strumbullar dhe që nuk do mund të shlyhen dot nga kjo qeveri, jo e jo, as edhe ato që do të vijnë më pas, por nuk do të shlyhen dot as nga brezat e fëmijëve e nipërve tanë.

Kaq i madh është ritmi i borxheve që po merr qeveria për të fshehur krizën e vërtetë, sa tani ai po bëhet mal mbi mal e që në fund do të zërë nën vete jo kryeministrin, as qeverinë, por të gjithë ne. Ndërsa luksin me taksat e shqiptarëve për veten e klientët e saj, kjo qeveri nuk mund ta ndalë as edhe në këtë buxhet të mjerë, të një ekonomie të stërlodhur dhe se vetëm kështu mund ta mbajë në këmbë këtë pushtet të kalbur fund e krye, nga llumi i korrupsionit e të legjitimuar me vota vjedhura. Nga buxheti modest për mbrojtjen, për një vend anëtar të NATO-s, që nuk shkon realisht më shumë se 1% PPB, i paguhen 700 mijë USD një TV të qeverisë, për një reklame që nuk e sheh askush. Kuptohet kjo është gjoba që duhet të paguajë qeveria nga paratë tona për make-up fytyrës së saj të korruptuar, ndërkohë që me kaq para mund të ishin ndërtuar dy shkolla krejtësisht të reja. Harxhohen po nga ky buxhet 1, 3 milionë USD për QKU apo për ESKU, ndërkohë që ushtria jonë është e pamodernizuar në pajisje apo se buxheti i përdorur për gjithë artin e kulturën tonë kombëtare, është më pak se gjysma e kësaj që po përdoret për ”kulturën e ushtrisë”. Nga buxheti i ministrisë së brendshme jepen 200 mijë USD për luksin e komandës së Gardës, ndërkohë që dhomat e shoqërimit në komisariate, janë në gjendjen e dhomave të torturës. Po doemos se duhet mirëtrajtuar komanda e Gardës, për vrasjen e plagosjen qytetarëve të pafajshëm më 21 janar apo për zbatimin e urdhrave të kundraligjshëm. I shtohen policisë së Shtetit këtë vit 200 punonjës të tjerë, që do të paguhen më paratë e shqiptarëve, ndërkohë që krimi, dhuna, vrasjet, grabitjet, aksidentet shtohen frikshëm dhe bëjnë ligjin në rrugë e në jetën tonë të përditshme. Po fryhen me paratë tona burokratët e militantët e qeverisë në polici, të cilët sot e gjithë ditën bëjnë asgjë dhe vetëm asgjë. Ndërkohë që policët tanë të vërtetë janë të paveshur, të zbathur e me makina shërbimi pa karburant për të ndjekur krimin. Shërbimi zjarrfikës dhe emergjencat civile janë katastrofikisht të rrënuara. Ndërsa për SHISH, qeveria është kujdesur që ta rreshkë financiarisht nga viti në vit, për të mos i lënë asnjë mundësi për të kryer detyrën, për arsyen se ky institucion i sigurisë, nuk është instrument personal i Kryeministrit në luftën kundër opozitës, shoqërisë civile apo se nuk është palë si të tjerat për mbuluar aferat e korrupsionit që kjo qeveri po i prodhon masivisht. Po të njëjtën gjë ka bërë edhe këtë vit. Në pak minuta nuk mund të thuash shumë për këtë buxhet që nuk do të prodhojë asgjë për vitin që vjen, por vetëm do të rrisë borxhet që dhe kaq sa janë, janë aq shumë sa do ta kishte bërë çdo qeveri në një vend demokratik te jepte dorëheqjen. Por kjo nuk mund të ndodhë me qeverinë tonë, se çdo ditë që kalon apo vjen, ajo e sheh si një mundësi vjedhje më shumë nga pasuria jonë, si një ditë më shumë punë për pasurimin e vetes, si një ditë më shumë për fuqizimin e monopoleve e bizneseve të saj. Kjo qeveri duhet hequr një orë e më parë, se dhe kaq sa është ia ka vënë ferrën këtij vendi.

KOMENTE