English

Buxheti i varfërimit

Ju merrni shumë-shumë më tepër se e gjithë kjo kategori shërbyesish të shtetit, Kryeministri mbi 22 milion lekë në vit, Ju mbi 31 milion lekë në vit, por paguani taksa më pak! Përse ju nuk pranoni të paguani më shumë dhe gjithkush nga shërbëtorët reale të shtetit të paguajë më pak? Përgjigjuni!

Nga Erion Braçe

Vila Nr. 1.

Mobilimi i Vilës, është parashikuar në frymën “Neoclasike-Moderne”, si një objekt i një niveli të lartë elitar.

Përbëhet nga:

Kati përdhe niveli i cili përmban:

Holli, lobet kryesore dhe sekondare. . . , ambientet e ndenjes, dhomat e Oxhakut, korridoret qarkore të Atriumit.

Këtu:

Kolltukët, Poltronat. . . Pufet etj: të zbatohen në prodhim me skelet konstruktiv material drusor apo metalik; veshja e jashtme tapiceri “Kadife Veluto”, 100% viscosa, “Tessuto Alcantara”, origjinale, teknologji unike e re, pa tentativa imitacioni.

Kolltukët e tipit “Cester”: me të njëjtin material si më sipër;

Karriget: të tipeve të ndryshme, veshje me lëkurë (leather 100%), apo lëkurë ekologjike.

Tavolinat qendrore: të jenë të 4 tipeve të ndryshme;

Në ambientin e Ngrënies së parë: Tavolina e ngrënies me material drusor, me linja ekzagonale.

Pasqyrat Dekorative: jo të thjeshta por fluide me filtër, me korniza neoclasike të dekoruara, druri, me lyerje argendato, me lëkurë Croco apo tessuto alcantara.

Perdet dhe Kornizat: korniza Mantovane; Metrazhe Organza Lisho-Tafta Cangiante; Vello; Kalata 100% me Astar.

Televizorët: të niveli shumë cilësor, të tipit “Flat Screen”.

Telefonat: të një niveli profesional, me disa linja paralele etj.

Vila ka edhe:

Kati i Parë: funksionon si Zonë Nate me apartamente elitare, si dhe apartamenti Suitë.

Krevatet: të punuara me material të kombinuar druri masiv, me ndërhyrje dru tamburato grexo, të veshur me tapiceri “Tessuto Alcantara”, Kadife Veluto 0; origjinale, një model specifik do të jetë unik në dhomën e parë matrimoniale në apartamentin kryesor.

Perdet: në Apartamentin Suitë-Metrazhe Velo; Perde e Plotë me astar Black Out.

Dyshekët: cilësi tepër të lartë me spesor minimalisht 22cm, deri në 18cm. Përbërja do të jetë me fibra analergjik dhe rregullues temperature ; Veshja e jashtme me fibra izoluese. Dyshekët duhet të jenë anatomikë, antidekubitues dhe ergonomic 100%.

Ka:

Dalje Tarracë, Kati Nëntokë, Pishine dimërore-me bar të hapur, Godina e Shërbimi: me 7 apartamente personeli.

Specifikime të domosdoshme teknike:

Dyshekët dopio në ambientin e Katit të Parë(Vila) do të jenë në dimensionet King Size;

Setet e Çarçafëve të jenë Materiale Saten100% cotton dhe Percalle;

Tapetet do të jenë përzgjedhje prodhimi Afgan dhe Iranian, të punuara në materiale Mëndafshi 100% dhe Leshi 100%, tapete me punime dore, të natyrës klasike;

Çdo fëmijë, qendre apo periferie-në qytet, mali apo fushë-në fshat, që edhe tani që flasim lind, ushqehet, duke e ndarë kasollen me bagëtinë, ca metra katror të një dhome me prindërit; fle po aty mbi një minder dërrase; rritet i izoluar pa ditur se bota është edhe më e madhe e shfaqet në një tv flat screen; mëson-kur ndodh-me librin ndër duar pa patur kurrë një tavolinë ku ta mbështesë; pa ditur ç’është një perde apo pa e parë kurrë veten në një pasqyrë;

Duhet të dijë:

Ambienti që përshkrova më lart është Rezidenca e Kryeministrit në Vlorë! Vetëm mobilimi i kushton çdo qytetari: 516 milionë lekë ose gjysmë milioni dollarë.

Nuk është e vetmja! Rezidencë ka në Velipojë, në Dajt, në Bllok, në Durrës, në Pogradec, në Vlorë, në Dhërmi, në Sarandë. Kryeministri këto rezidenca nuk i ka nxjerrë në shitje, siç së fundi 4 hidrocentrale nga të cilat merrej deri në 22 milion euro fitim. Kryeministri po privatizon fitimet për të financuar luksin. Ka një shërbim për qeveritarët! E paguajmë ne si qytetarë dhe në buxhet na kushton: këtë vit-1. 6 milion dollarë; vitin e ardhshëm 1. 3 milion dollarë!

Por ne paguajmë si shërbim qeveritar edhe Podesta-n, edhe Patton Bogs, që zullumet të shiten për heroizma veçmas në SHBA. Në këtë pikë, çdo shqiptar bën një pyetje:

Çfarë bëjnë këta me paratë tona?

Ne jemi kundër këtij Buxheti. Ky Buxhet synon të mbledhë të ardhura e ndajë shpenzime, edhe këtë vit, sipas filozofisë: “Në fillim llogaritë, kush mbetet gjallë e shohim më pas”. Çdo shqiptar që po dëgjon duhet të kuptojë se: prej Buxhetit përfiton asgjë! Ti që punon në administratë apo shërbime publike-arsim, shëndetësi, polici, ushtri, duhet të dish se Qeveria do paguajë më pak për rrogën tënde: nga 5. 2 lekë në 5. 1 lekë për çdo 100 lekë.

Pra, për edukatorë, mësues, pedagogë, qeveria do paguajë thuajse sa këtë vit, vetëm 1. 8 milion usd më tepër; për infermierë, mjekë në QSH, spital Rrethi, Qendër Spitalore, qeveria do paguajë në 2. 1 milion usd më pak; për polic të rendit publik, në luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar, zjarrfikës, qeveria do paguajë 2. 4 milion usd më pak; për çdo ushtarak, qeveria do paguajë 2. 5 milion usd më pak.

Ky Buxhet ju merr një vit, nuk ju rrit një vit. Llogaria është e thjeshtë për secilin nga ju që bëni llogaritë në familje:

- A mund të punohet në bujqësi kur do të ketë 0. 8 mln $ më pak dhe shpenzimet janë 0. 4 lekë për çdo 100 lekë;

- A mund të ndryshojë infrastruktura kur do të ketë 60 mln $ më pak dhe shpenzimet janë 3 lekë për çdo 100 lekë;

- A mund të ketë edukim për të gjithë dhe me vlerë për punë, kur do të ketë 14. 6 mln $ më pak dhe shpenzimet janë 2. 8 lekë për çdo 100 lekë;

- A mund të ketë kujdes shëndetësor, shërues e shpëtues për të gjithë, kur do të ketë 5 milion dollarë më pak dhe shpenzimet janë 2 lekë për çdo 100 lekë;

- A mund të ketë rend e siguri kur paratë do të jenë sa këtë vit dhe shpenzimet janë 1. 1 lekë për çdo 100 lekë;

- A mund të gjesh shpejt dhe pa paguar drejtësi kur shpenzimet janë 0. 7 lekë për çdo 100 lekë;

- A mund të ketë kujdes social për nevojtarët, të papunët, kur për mbrojtjen sociale do ketë 9. 1 mln $ më pak dhe shpenzimet janë 1. 4 lekë për çdo 100 lekë;

Kryeministri Berisha, merr borxh edhe nga paratë-depozitat tuaja; për 5 vite borxhi i qeverisë tek qytetarët arrin në 1. 3 miliard usd; vetëm këtë vit qeveria do të marrë borxh tek Ju 186 milion dollarë, por e dini se sa do të investohet: 0. 1 lekë për bujqësinë, 2. 7 lekë për transportin, 0. 2 lekë për arsimin, 0. 1 lekë për shëndetësinë, 0. 1 lekë për sigurinë, 0. 06 lekë për drejtësinë, 0. 01 lekë për kujdesin social dhe punësimin, 0. 08 lekë për mjedisin urban; në çdo 100 lekë të Prodhimit Kombëtar.

Po, po, kaq pak!

Kryeministri Berisha ka vendosur t’ju sfidojë, një për një, 3 milion shqiptarë në vështirësi; jo duke bërë mirë për Ju por duke gënjyer për Ju!

Buxheti i vitit 2012 nuk është i zakonshëm, por i fundit i plotë i mandatit të tij të dytë; ai ka premtuar.

Së pari; Qeveria synon të kalojë sa më shpejt efekteve të krizës ekonomike botërore dhe t’i kthehet ritmeve të larta të rritjes ekonomike që në vitin 2010. Gënjeu! Jemi në vitin 2011, rritja ekonomike është rënie dhe ajo që mbetet është e pavërtetë. Kriza do të shpërthejë!

Së dyti; Qeveria ka si objektiv madhor krijimin e 160 mijë vendeve të reja të punës, papunësia të ulet në 11%! Gënjeu! Vende pune nuk ka! Niveli administrativ i papunësisë ka kaluar 13%, ndërsa realisht ne kemi 1 milion të papunë!

Së treti; do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin drejt barazimit të kushteve të tyre në vitin 2013, rritja do të vijojë me një ritëm mesatar 10% për qytetin dhe 15% për fshatin. Gënjeu! Pensionet në qytet prej 3 vitesh rriten 4%, pensionet në fshat rriten me 10-7-4% dhe janë po aq larg sa ishin !

Së katërti; brenda vitit 2013 ne synojmë që çdo qytetar të ketë ndihmë ekonomike mbi 2 dollarë në ditë. Gënjeu! Të gjithë ata që jetojnë në fshat e që janë pjesa më e madhe e njerëzve që marrin ndihmë, asnjëherë në muaj nuk marrin 60 mijë lekë apo 2 dollarë në ditë.

Së pesti; do të vazhdojë rritja e pagave e shpërblimeve duke kaluar 6 vende anëtare të BE, veçmas në arsim e shëndetësi. Gënjeu! Jo tek vende të BE nuk afrohemi por ne jemi poshtë edhe vendeve kandidate për ne BE, siç Mali i Zi, që në Korrik kishte një pagë mesatare prej 476 euro në muaj. Jemi në vitin 2011 dhe po programojmë vitin 2012. Secili prej jush habitet dhe pyet: përse nuk kam pune unë?; përse nuk kam të ardhura më shumë unë?

Prej 2008, Prodhimi Kombëtar është rritur me 300 miliard lekë; ndërkohë borxhi i qeverisë është rritur me 229 miliard lekë; pra “rritja” është stimuluar nga borxhi; ndërkohë e mira e ardhur prej rritjes është rishpërndarë padrejtësisht, në një grusht njerëzish! Mund të vijojë kështu por ka një kufi, një ditë kur duhet të kthesh borxhin: nis të shpenzosh më pak për ushqime e veshje, nëse nuk mjafton nis të shesësh sendet në shtëpi, në fillim televizorin, pastaj me radhë deri tek shtëpia.

Kjo po ndodh tani!

Në 6 muaj konsumi ra me 6. 3%, ndërsa përmbaruesit njoftojnë çdo ditë marrje pronash. Të ulesh borxhin sot është trend botëror, në të djathtë e të majtë. Por nga 2005, Kryeministri Berisha e ka rritur Borxhin e Shqipërisë me 3. 5 miliard dollarë! Sot ky borxh është 8. 25 miliard dollarë! Zyrtarisht raportohet 60%. Por ka detyrime ligjore të paraportuara. Mbi të gjitha rritja ekonomike e manipuluar e “zvogëlon”! Por ai është aty, në rritje dhe tashmë i rrezikshëm. FMN i dha përgjigje përfundimtare Berishës: duhet të jetë 47%! Kryeministri po luan me falimentin! Tonin natyrisht: ne do paguajmë 60 dollarë në muaj si interesa për borxhin e shtetit këtë vit! Dhe veç këtij borxhi, 1 miliard dollarë arriti borxhi i keq i qytetarëve e bizneseve ndaj bankave dhe po rritet! Përsëri, veç këtij borxhi ka edhe një borxh tjetër, “borxhi familjar”- mes të afërmish, fqinjësh, i qytetarëve ndaj dyqaneve etj.

BSH raportoi dje se 25% e familjeve ose 182 mijë familje, tregojnë se kanë një borxh për të paguar; janë 820 mijë shqiptarë në borxh familjar apo ndaj një banke! Në anë tjetër, 43% e bizneseve tregojnë se kanë borxh për të paguar! Një zinxhir i tërë borxhesh ka kapur ekonominë kombëtare. Secili i ka borxh tjetrit: Qeveria- bankave, bizneseve, qytetarëve; bizneset- Qeverisë, bankave, njëri tjetrit; qytetarët - Qeverisë, bankave, njëri tjetrit. Shoqëria është në këtë zinxhir borxhesh ku ekonomia hyri e para.

Sektori energjetik është i pari: Kesh-bankave 70 milion eu, Cez-Kesh 58 milion eu, Cez- Ost 20 milion eu, Kesh-Cez 15 milion eu, aq sa tani është në pikën e shpërthimit duke i dhënë goditje ekonomisë.

Sektori i ndërtimit të infrastrukturës është viktima e Qeverisë: vetëm 10 milion lekë për rrugë që kushtojnë miliona euro, detyrim për të kryer 70% të vlerës së kontratës me paratë e veta, burim për paratë-banksterët me kreditë e shtrenjta, aq sa tani borxhi i tyre është bërë i keq dhe do i japi goditje bankave.

Borxhi nuk ndodh të falet, ai vetëm paguhet, me çdo gjë!

Ne duam ta rrezojmë këtë Sistem!

Shqiptarët nuk kanë nevojë për borxh, kanë nevojë për punë!

Ne e kemi bërë të qartë: Ndryshimin do ta nisim nga taksimi i padrejtë i shqiptarëve!

Kush fiton më shumë do paguajë më shumë!

Ti nuk e pranon këtë!

Për 2012: qytetarët do të paguajnë taksa direkte e indirekte afër 16% të GDP, ose 16 lekë në çdo 100 lekë; Bizneset do të paguajnë nga fitimet e tyre 1. 6 % të GDP, ose 1. 6 lekë në çdo 100 lekë. A ka më padrejtësi se kjo?! Përgjigju!

Nga këto biznese: 10 të parat kanë 12% të gjithë xhiros së biznesit në Shqipëri, kanë 37% të fitimit dhe normë fitimi 31%; 50 të parat kanë 24% të gjithë xhiros së biznesit në Shqipëri, kanë 50% të fitimit dhe normë fitimi mbi 22%; I gjithë biznesi i mbetur, ka normë fitimi 6. 9%, sa çdo të fitonin po ta linin biznesin e paratë t’i bënin bono thesari me të njëjtin interes. Përse e rrjep popullin dhe favorizon 10 apo 50 biznese, Kryeministër? Kë po mbron nga taksat, Kryeministër? Në këto 50 kompani janë të gjitha ato që ti administron apo merr pjesë si monopol shtetëror; të gjitha ato që me vendime të tuat shfrytëzojnë deri në barbari pasuritë tona minerare-në naftë, krom, bakër, nikel, zink, ar, platin; të gjitha ato që me aktet e tua të privatizimit apo të cënimit të konkurrencës ofrojnë shërbime abuzive me fitim marramendës në telefoni apo në përpunimin e ekskluziv të metaleve, skrapit gjithashtu; janë të gjithë klientët e tu-3 kompanitë e naftës së një njeriu të vetëm, janë kompanitë e çimentos që licencat ti dedikojnë ty, janë tre kompani të ndërtimit të infrastrukturës, vetëm tre që kanë monopolin në kontratat e qeverisë për rrugët dhe ujësjellësit, janë të gjitha kompanitë e cigareve, janë dy kompanitë e hipermarketeve por që i zotëron një njeri-klienti yt më i rëndësishëm, janë dy kompani ajrore por njëra ka më shumë se 60% të tregut; në fund janë thuajse të gjitha bankat, ato që fitojnë prej borxhit të qeverisë dhe interesave marramendëse të borxhit që ju shesin qytetarëve; BSH njoftoi sot se vetëm në 6 muaj nxorën jashtë prej këtij vendi 1 miliard euro! Kë po mbron Kryeministër? Përgjigju!

Të ikim nga fitimet, të vijmë tek pasuria. Për 2012, nga transaksionet e pasurisë, dividentët, pasuria vetë etj. . , ju sërish planifikoni të mblidhni vetëm 20 milion dollarë!!!! A nuk është turp ky? Nga deklarimet tuaja të pasurisë për vitin 2010 shoh se: Familja juaj është shtuar me 200 m2 sipërfaqe banimi; kryetarja e Kuvendit është shtuar me 670 m2 truall; partneri juaj i koalicionit është shtuar me 200 m2 në Bllok dhe 317m2 në plazh; ministria e Integrimit me 200 m2 pranë parkut dhe 50 m2 në plazh; ministri i Financave ka marrë pronën e trashëguar prej 800 m2; ministri i Arsimit ka blerë truall në Tiranë 400 m2 si dhe një apartament 48 m2 në Gjermani; ministri i Punës ka blerë një apartament në Tiranë 106. 6 m2; ministri i Inovacionit ka blerë apartament 130 m2 në plazh. Gjithsej 3121 m2! Dhe kjo i shtohet 5000 m2 të një viti më parë!! Ti gëzoni! Por kur ju e shtoni pasurinë brenda një viti kaq shumë, përse refuzoni të paguani më shumë për këtë pasurim? Përgjigju!

Të ikim nga pasuria, të vijmë tek të ardhurat dhe taksimi i tyre: një mjek në QSU në ‘05 paguante 730 lekë tatim mbi rrogën/sot 6400 lekë- 9 herë më shumë; një mjek në Sp. Rrethi në ‘05 paguante 502 lekë tatim mbi rrogën/sot 5300 lekë-10 herë më shumë; një mjek në QSH në ‘05 paguante 1444 lekë tatim mbi rrogën/sot 6800 lekë-5 herë më shumë; një infermier në QSU në ‘05 paguante 250 lekë tatim mbi rrogën/sot 3850 lekë-15 herë më shumë; një infermier në Sp. Rrethi në ‘05 paguante 135 lekë tatim mbi rrogën/sot 3200 lekë-23 herë më shumë; një infermier në QSH në ‘05 paguante 215 lekë tatim mbi rrogën/sot 3450 lekë-16 herë më shumë; një edukatore në ‘05 paguante 313 lekë tatim mbi rrogën/sot 4745 lekë-15 herë më shumë; një mësuese në arsimin 9 vjeçar, në ‘05 paguante 449 lekë tatim mbi rrogën/sot 5045 lekë-gati 11 herë më shumë; një mësues në arsimin e mesëm, në ‘05 paguante 517 lekë tatim mbi rrogën/ sot 5165 lekë-10 herë më shumë; një pedagog në shkollat e larta, në ‘05 paguante 5760 lekë tatim mbi rrogën/sot paguan 14828 lekë-gati 3 herë më shumë. Pra, në mënyrë të qartë, Ju Kryeministër i merrni: një mjeku në QSU, në Sp. Rrethi, në QSH më shumë se 1 rrogë e gjysmë tatim në vit!

Shkoqur e troç,

Ju nuk merrni 12 rroga por 10 rroga e gjysmë, realisht!

Një edukatori, një mësuesi, një tjetër mësuesi, një pedagogu deri në 1 rrogë e gjysmë tatim në vit!

Shkoqur dhe troç,

Edhe Ju nuk merrni 12 rroga por 10 rroga e gjysmë në vit!

Kryeministër! Kryetare!

Ju merrni shumë-shumë më tepër se e gjithë kjo kategori shërbyesish të shtetit, Kryeministri mbi 22 milion lekë në vit, Ju mbi 31 milion lekë në vit, por paguani taksa më pak! Përse ju nuk pranoni të paguani më shumë dhe gjithkush nga shërbëtorët reale të shtetit të paguajë më pak? Përgjigjuni!

Kryeministër ti nuk je nevojtar por a ke mundur një ditë të vetme të jetosh si nevojtar këtë vit? Për të provuar ti vetë jetën e tyre! Me 2 dollarë në ditë! Nuk e bën dot!

Shqiptarë, kryeministri juaj nuk jeton dot si ju: të dalë në mëngjes, të zbresë në dyqanin poshtë pallatit, të blejë një bukë dhe të kuptojë se në çdo 5 bukë- një ia merr qeveria, në çdo 5 vezë-një ia merr qeveria, në çdo 5 shishe qumësht- një ia merr qeveria, në çdo 5 kokrra aspirina- një ia merr qeveria; se në 12 muaj, fatura dritash apo uji-dy fatura e gjysmë ia ka paguar qeverisë; SI TAKSË, TVSH quhet!

Me 2000 mijë lekë në ditë një familje do të hante vetëm një buke, 4 vezë, do të pinte një gote ujë dhe të gjitha do i përtypte në errësirë!

Kaq mjafton për të kuptuar se: ky Buxhet nuk është i drejtë! Ky Buxhet nuk është në funksion të qytetarëve!

Prej tij, edhe këtë vit, çdo shqiptar nuk gjen punë çfarëdo, shkolle profesioni, spital kurues, kujdes shpëtues, siguri për jetën e pronën, drejtësi për mosmarrëveshjen; të tashme për veten, të ardhme për fëmijën!

Përkundrazi, kupton se paratë publike e private, janë në dorë dhe i administron: një burrë që po e mban me thonj pushtetin dhe zhbën shtetin; një burrë që do Familjen e tij por jo tënden; një burrë që do veten por jo njeriun; një burrë që ka lënë peng të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike, të tashmen dhe të ardhmen tonë sociale-pra shkollat e fëmijëve e pensionet e prindërve, në një bast politik me krizën!

***

Korrupsioni po nënshtron shtetin tonë 100 vjeçar! Po varfëron një vend, po pasuron një pushtet! Atje ku jeni: Shiheni njëri tjetrin, pastaj shihni qeverinë!

55% të vlerës së depozitave i zotëron 4% e depozituesve! Jo të gjithë keni depozita bankare! Shumica prej jush nuk kanë. Ndaj është i vërtetë konstatimi: 80% të pasurisë në këtë vend e zotëron vetëm 1% e shqiptarëve!

Janë politikanë e klientë, pjesa më e madhe janë këta këtu! Kush kërkon arsye për varfërinë e tij, të familjes modeste, arsyeja është kjo qeveri!

Kjo duhet rrëzuar!

KOMENTE
  • Ylber Zenuni13:07 - 26 Nëntor 2011
    eshte e pamundur qe te gjithe njerezit te paguajne taxen njesoj,sistemi komunist deshti me i ba njerezit njesoj,jetojme ne vendet perendimore po jemi te ndergjegjshem per taxat qe i paguajme/ te cilat jane,deri ne 8000 dollare te arthura nuk paguhet taxe,nga 8000 deri ne 22000 paguajme 17 pelqind pas 22000 deri ne 50000 paguajme 30 pelqind taxe dhe nga 50000m e larte paguajme 50 pelqind taxe.shikoja ne Tirane shume njerez punonin per 150m leke ose 200 m leke ato qe ishin me me fate po ma mer mendja se taxa qe paguajne keto njerez nuk mund te paguaj borxhin e shtetit,po nuk u shtua taxa tek bizneset dhe kompanit,po me qeverit eshte kollaj mund te marin borxh sa te duan se kur ata largohen nga qeveria borxhin e lene aty qe ta paguaj dikush tjeter dhe ai dikushi tjeter eshte populli qe ska buke te haje.Sa te thelle i paskan xhepat qeveritaret nuk u mbushkan me pare asnhehere po a i kane vene vetes nje kufi qe te ndalojne ndonjehere.