English

Festat, bashkia publikon aktivitetet

Tiranë, 26 nëntor 2011, NOA - Me rastin e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më datë 28 Nëntor Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore. Administrata e bashkisë së Tiranës, pas rotacionit politik në zgjedhjet vendore të 8 Majit, ka hartuar një axhendetë të veçantë për aktivitet e dy ditëve te festës.

CEREMONIA TEK VARREZAT E DËSHMORËVE

Ora: 10:00

PANAIRI BLEJ SHQIP

Ora: 09.00 – 21.00

Rruga: Murat Toptani

Në bashkëpunim edhe me OJF-në Blej Shqip, në ditën ku të gjithë kanë ndërgjegjësimin më të lartë rreth vlerave kombëtare, iniciohet panairi “Blej Shqip”, në të cilin do të marketohen e tregtohen vetëm produkte shqiptare. Kjo iniciative përtej hapjes së një panairi ka për synim të promovojë produktet shqiptaretreg dhe të nxisë përdorimin e tyre nga qytetarët, për të dhënë impaktin e saj në terma afatgjatë edhe në ekonominë shqiptare duke mbështetur drejtpërdrejt biznesin vendas.

SHFAQJE PËR FËMIJË NGA CIRKU I TIRANËS, TEATRI METROPOL DHE FËMIJËT E QNDRËS “TEN”

Ora: 10.00 - 13:00

Vendodhja: Parku Rinia

“Thesaret e Cirkut” është shfaqja e cila do të lançohet për herë të parë me rastin e festave të 28 Nëntorit dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit të Dhjetorit, ku do të përmblidhen numrat më të mirë ndër vite në 7 profilet themelore të cirkut.

Shfaqja teatrale për fëmijë nga Teatri Metropol, do të performohet në terren të hapur nga artistët e këtij teatri në krah të shfaqjes së cirkut me orare të alternuara për të krijuar një program të plotë e argëtues për fëmijët e Tiranës të përqëndruara tek Parku Rinia.

Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN do të performojnë në skenën e ngritur tek lulishtja e “Parkut Rinia” për cirkun dhe teatrin me një kolazh këngësh në korr, vallesh popullore, performime me violinë, kitarë etj, për të filluar kështu gëzueshëm këtë ditë festive.

KËNDI I FOTOGRAFISË

Orari: 11:00 - 13:00 dhe 16:30 – 18:00

Vendodhja: Trotuari përpara Galerisë së Kombëtare të Arteve

Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar për kostumografinë e aktorëve do të vishen me veshje të personazheve Historike si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Marigoja, etj në një background me imazhe që të kthejnë në kohë, në vitet e ngritjes së flamurit, do të krijojnë kështu këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjne foto me këto personazhe.

ANSAMBLI

Orari: 11:00 - 13:00 dhe 16:30 – 18:00

Vendodhja: Rr: Murat Toptani

Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave për ti shtuar frymën festive dhe ndjesinë shqip panairit në rrugën pedonale. Programi i valleve përfshin valle nga të gjitha krahinat.

KONKURSI I PIKTURËS & KORI I FËMIJËVE

Orari: 11: 00 - 13:00

Vendodhja: Sheshi tek Vëllezërit Frashëri

Në bashkëpunim me Liceun Artistik do të organizohet pikturimi interaktiv me temë: “ Shqipëria ime” në një telajo të përmasave 1m* 10m, në të cilën fëmijët do të pikturojnë “livë”, secili në 1m gjerësi. Aktiviteti do të shoqërohet nga korri i fëmijëve të liceut që do të performojë këngë patriotike.

KAMERATA E TIRANËS

Orari: 12:30 – 13:30

Vendodhja: Vëllezërit Frashëri

Kamerata e Tiranës do të jetë pjesë e aktivitetit që do të organizohet në bashkëpunim me liceun e Tiranës.

SHFAQJA E FILMIT

Orari: 20:00

Vendodhja: Galeria Kombëtare e Arteve

Përpara Galerisë Kombëtare të Arteve do të shfaqet me një aparature tradicionale jo dixhitale me projeksion filmi “Nëntori i dytë”, e cila krijon emocione të veçanta e shfaqur në një ambjent të hapur me teknologjinë e vjetër, për të plotësuar mozaikun e sjelljes në vëmendje të historisë 99 vjeçare të Shqipërisë në Pavarësi.

KONCERTI TEK SHESHI “NËNË TEREZA”

Orari: 18:00

Vendodhja: Sheshi “Nënë Tereza”

Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin Nënë Tereza, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur.

a.q/NOA

KOMENTE