English

Grabiten ikonat në kishën e Gjirokastrës

Gjirokastër, 26 nëntor 2011, NOA – Një 36-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës pasi dyshohet se autor i vjedhës së disa ikonave në kishën e “Shën Thanasit”, në fshatin Bularat.

Autori është Niko Cokaj, 36 vjeç, lindur dhe banues në Skrapar. Policia është njoftuar për grabitjen nga një fshatar nga Bularati, i cili është dhe kujdestar i kishës.

Pas mbërritjes së policisë është konstatuar se ishte thyer dhe prishur “Ikonostasi”, ku ishin vjedhur rreth 27 ikona të ikonostasit. Por numri i ikonave të vjedhura nuk dihet me saktësi, sepse kisha nuk ka inventar .

Sipas policisë, nuk ishte prekur as kasaforta apo sende të tjera të kishës. Kisha është vjedhur gjatë natës, pasi janë prerë më parë dritat dhe më pas nëpërmjet dritares është hyrë në brendësi të kishës dhe pasi kanë marrë ikonat kanë dalë nga dera kryesore të cilën e kanë hapur.

Pas hetimeve, policia ka identifikuar autorin, i cili është i njohur për grabitje dhe dhunim varresh. Sipas policisë së Gjirokastrës, ky shtetas para një muaji është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Gjirokastër , pasi është vërtetuar me prova ligjore se ka dhunuar dhe prishur varret e “Rilindasëve” në qytetin e Gjirokastrës.

Po rreth një muaj më parë, Cokaj është kapur nga banorët e fshatit Bularat brenda varrezave të këtij fshati ku përpiqej të vidhte pjesë bronxi dhe bakri të varreve në këto varreza, ku ndodhet edhe kisha e “Shën Thanasit”.

Policia dyshon se grabitja është bërë në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë nga qyteti i Libohobës.

a.k/NOA

Në Foto: Kisha e “Shën Thanasit”, në fshatin Bularat.

KOMENTE