English

Incidenti në veri, Thaçi: Qeveria nuk është në konflikt me qytetarët

Prishtinë, 25 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi komentoi sërish incidentin e ndodhur në veri të Kosovës ku ngelën të plagosur 21 ushtarë.

Duke e dënuar sulmin, kryeministri Thaçi theksoi se qeveria nuk është në konflikt me qytetarët, por strukturat ilegale dhe paralele do të dalin dhe do të ballafaqohen me drejtësinë.

Ndërkaq Thaçi kërkoi që t’i jepet fund ndikimit nga Beogradi tek qytetarët në veri.

“Perspektiva e tyre është në Prishtinë, në integrimin në institucionet qendrore dhe lokale. Prishtina nuk pretendon që njerëzit e tyre lokal t’i zgjedhë, ajo bëhet me vullnetin e qytetarëve atje. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Kosova është shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet ta ndërtojmë bashkërisht”, u shpreh Thaçi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi vendosmërinë e Qeverisë që të shtrihet rendi dhe ligji edhe në atë pjesë, në mënyrë që të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, demokraci, zgjedhje të lira dhe të mundësohen investimet ekonomike.

Këtë deklaratë Thaçi e bëri pas përurimit të objektit të ri shkollor në Runik të Skënderajt.

a.y/NOA

KOMENTE