English

Jahjaga: Dhuna do luftohet në bashkëpunim me institucionet

Prishtinë, 25 nëntor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në lançimin e “Programit të Kosovës kundër dhunës në familje”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Gruas.

Në fjalën e saj Jahjaga tha se, liritë dhe të drejtat e grave, barazia e tyre e plotë në çdo aspekt dhe pjesëmarrja e tyre në jetën institucionale dhe vendimmarrje, janë parime themelore në të cilin mbështetet shoqëria.

Sipas saj, dhuna ndaj grave, si një fenomen me të cilin fatkeqësisht shoqëria përballet, është shkelje e të drejtave themelore.

“Bashkëpunimi mes institucioneve dhe shoqërisë civile gjatë këtyre 12 viteve në luftimin dhe parandalimin e dhunës është një përvojë e rëndësishme mbi të cilën do ta vazhdojmë luftën tonë të përbashkët ndaj çdo lloj dhune në shoqëri. Ky duhet të jetë edhe motivimi i të gjithë neve për të ndërtuar shtet të mundësive të barabarta, ku askush nuk do të jetë mbi ligjin”, u shpreh Jahjaga.

Në përfundim ajo tha se si Presidente e vendit, do të insistoj fuqishëm në çrrënjosjen e çfarëdo forme të dhunës.

a.y/NOA

KOMENTE