Tiranë, 26 nëntor 2011, NOA – Konsujt e nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, të cilët kanë si mision përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në vendet përkatëse, do të mbërrijnë në vendin tonë për një vizitë dyditore në datën 28 nëntor. Sipas axhendës së publikuar nga Ministria e Jashtme, në 28 nëntor ora 11.00,40 konsujt e nderit do të priten në takim nga zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto në një ceremoni, ku do jenë të pranishëm dhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci dhe ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naco. Pas takimit është parashikuar edhe një prononcim për mediat. Më pas, konsujt e nderit do të priten në takime të veçanta nga Kryeministri, Sali Berisha, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, kryebashkiaku, Lulzim Basha dhe në mbrëmjen e datës 28 nëntor, do të jenë të ftuar në një pritje nga Presidenti i vendit, Bamir Topi.
a.q/NOA