English

Maratonë debatesh për buxhetin 2012, PS kundër

Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA- Buxheti për vitin 2012 dhe diskutimi në parim për të, gjatë gjithë ditës së sotme ka mbajtur pezull në sallën e parlamentit ligjvënësit e të dyja palëve.

Ndërsa maxhoranca me në krye Kryeministrin Berisha fton socialistët që ta votojnë atë, opozita me në krye kreun e grupit kuvendor Gramoz Ruçi detajojnë njëra pas tjetrës arsyet se pse ky buxhet do thellojë varfërinë e shqiptarëve.

Deputetët e opozitës duke deklaruar votën e tyre kundër këtij projekti, theksuan se projektbuxheti i vitit 2012-të nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike globale, në kushtet kur e gjithë bota është mobilizuar me masa shtesë.

Në fjalën e mbajtur në Parlament Kryeministri Berisha tha se, buxheti i vitit 2012 është më i miri për qytetarët pasi vendi ka arritur suksese, në kohën që ekonomitë e vendeve të zhvilluara ka pësuar rënie. Kryeministri Berisha u shpreh se rritja e të ardhurave vjen së pari nga puna e qytetarëve, por edhe nga reformat e qeverisë.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Kryeministri u shpreh se opozita nuk do e votojë buxhetin, duke shtuar se është e vetmja opozitë që prej 6 vitesh jep votë kudër për ekonominë e shqiptarëve.

Ai e cilësoi votën kundër buxhetit si votë kundër rritjes së pagave.

“Ne nuk injorojmë krizën rreth nesh dhe as pasojat e saj, por ne do të bëjmë gjithçka. Ne ndoshta jemi i vetmi vend që do të rrisë rrogat këtë vit”, tha Berisha.

Berisha theksoi i bindur se opozita dhe këtë do shprehet kundër buxhetit dhe shtoi se, “Ju nuk e votuat në Komisionin e Ekonomisë këtë buxhet. Unë uroj që ju të çliroheni këtë vit, një vit më parë ju ratë në sindromën e tundelit të Krrabës dhe qëndruam së bashku deri në orën 5 të mëngjesit. Unë u përpoqa t'u shëroja, por ishte e pamundur. Ju nuk do e votoni sërish buxhetin, pasi ju keni sindromën e tunelit, u mundova t’ju shëroja, absolutisht. Unë e lexoj në fytyrat tuaja se dhe këtë vit ju nuk doni ta votoni”. Ai tha më tej se buxheti ka qëllim madhor, që Shqipëria të jetë dixhitale.

Ndërkaq kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi lidhur me buxhetin tha se, “Qytetarët presin nga ky buxhet nëse e forcon dhe konsolidon ekonominë e vendit, apo e dobëson, e rrit ekonominë e tyre apo e dobëson, e rrit korrupsionin apo e zvogëlon. Ky buxhet nuk i ndihmon qytetarët, sepse ky buxhet nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik, ku çdo familje shqiptare do paguajë në muaj 65 dollarë për uljen e borxhit, ky buxhet nuk zbut varfërinë pasi nga 2008 por ajo rritet mbi 11%. Buxheti nuk mbështet as arsimin dhe as shëndetësinë, ky buxhet nuk shpëton dot nga plehrat, nuk përmirësohet mjedisi”. Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Ruçi tha se, buxheti i vitit 2012 nuk jep asnjë shpresë të venitur për ish-të përndjekurit dhe pronarët dhe se ky buxhet nuk rekomandon në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjë nga 12 rekomandimet për BE. Ruçi përmendi përqindjen e rritjes ekonomike nga qeverisa socialiste dhe ajo demokratike dhe duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha tha se, “Qytetarët nuk hanë as përqindjet e rritjes tënde ekonomike dhe as tonat”.

Ruçi bëri një sërë propozimesh duke theksuar se nëse ato përfshihen në buxhet ligjvënësit socialist do e votojnë atë.

Ndër propozimet e socialistëve Ruçi përmedni, që deputetët të paguajmë më shumë TVSH për pagën; TVSH e bukës, miellit të kushtojë 17% me pak; TVSH e energjisë nga 20% të ulet në 6%; të hiqet TVSH e librit; të dëmshpërblehen të përndjekurit, etj. Ndërkaq njëri pas tjetrit deputetët socialit u shprehën kundër projektbuxhetit të vitit 2012, pasi sipas tij rritja ekonomike është në rënie dhe është e stimuluar nga borxhi, ndërsa ligjvënësit demokrat dhanë pafund argumente se pse ky buxhet ëshët realist.

a.y/NOA

KOMENTE