Bruksel, 25 nëntor 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama i pranishëm në punimet e Këshillit dhe Konventës së Partisë Socialistëve Europianë në Bruksel, u takua me Presidentin e Internacionales Socialiste, kreun e PASOK, Jorgos Papandreu.
Pas takimit me ish- Kryeministrin e Greqisë, Rama deklaroi se qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencën e plotë të të dhënave të ekonomisë së vendit, me qëllim që Shqipëria të mos gjendet para një stuhie.
Ndërsa ish- Kryeministri i Greqisë në një prononcim për mediat pas takimit theksoi rëndësinë e transparencës së ekonomisë gjë që nuk ndodhi në vendin e tij: "Çështja e transparencës është kyçe. Në Greqi ne nuk patëm transparencë për buxhetin dhe as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund ta kishin ndaluar, nëse do të kishim patur transparencë. U krijua gjithashtu shumë pabarazi dhe mungesa e transparencës mund të sjellë dhe korrupsionin. Dhe korrupsioni në fund të fundit dëmton shtresën e mesme, ata të cilët kanë më shumë fuqi dhe që mund të sjellin më shumë para, barazi dhe drejtësi për shoqërinë. Ndaj transparenca është një çështje për qeverisjen e mirë, demokracinë dhe është një çështje e kohezionit social. Për këtë arsye, qeveria jonë në Greqi sot mban si “flamur” transparencën. Gjithçka bëhet online, çdo çështje edhe buxheti është online, e kjo përbën një bazë të mirë për të krijuar një Greqi të sigurt”, përfundoi Papandreu.
Ndërkaq në këtë linjë kryesocialisti Rama vlerësoi si shumë të rëndësishme për të parë qartë realitetin ekonomik përmes transparencës së të gjitha të dhënave ekonomike.
“Është shumë e rëndësishme sot që shqiptarët dhe klasa politike në Shqipëri të jenë të gjithë bashkë për të bërë transparencën e të gjitha të dhënave të realitetit ekonomik, përndryshe shumë shpejt do të gjendemi përpara një stuhie që do të jetë e tmerrshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. E në këtë aspekt eksperienca e qeverisë së mëparshme të djathtë greke e cila fshehu të gjitha të dhënat është një eksperiencë që duhet të na mësojë shumë”, deklaroi Rama.
a.y/NOA