Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi nga foltorja e parlamentit ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2012 u shpreh se qytetarët po varfërohen dita-ditës.
“Qytetarët presin që ky buxhet e forcon dhe konsolidon ekonominë e vendit, apo e dobëson, e rrit ekonominë e tyre apo e dobëson, e rrit korrupsionin apo e zvogëlon. Ky buxhet nuk i ndihmon qytetarët, sepse ky buxhet nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik, ku çdo familje shqiptare do paguajë në muaj 65 dollarë për uljen e borxhit, ky buxhet nuk zbut varfërinë pasi nga 2008 por ajo rritet mbi 11%. Buxheti nuk mbështet as arsimin dhe as shëndetësinë, ky buxhet nuk shpëton dot nga plehrat, nuk përmirësohet mjedisi”, u shpreh Ruçi.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Ruçi tha se, buxheti i vitit 2012 nuk jep asnjë shpresë të venitur për ish-të përndjekurit dhe pronarët dhe se ky buxhet nuk rekomandon në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjë nga 12 rekomandimet për BE.
Ruçi përmendi përqindjen e rritjes ekonomike nga qeverisa socialiste dhe ajo demokratike dhe duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha tha se, “Qytetarët nuk hanë as përqindjet e rritjes tënde ekonomike dhe as tonat”.
Ndër të tjera kreu i grupit kuvendor socialist veçoi faktin se shqiptarët hanë e vishen me lekë borxh dhe buxheti i vitit 2012 nuk bën tjetër veçse i varfëron më tej shqiptarët.
Në përfundim Ruçi tha që deputetët të paguajnë më shumë për pagën se qytetarët e tjerë dhe që TVSH e bukës, miellit qumështit, vezës, e vaji të kushtojnë 8% më pak.
Ai renditi edhe një sërë propozimesh të tjera të socialistëve duke thënë se nëse ato përfshihen në buxhet ligjvënësit socialist do e votojnë atë.
a.y/NOA