English

Shqiptarët dhe Palestina

"Duke mbajtur qëndrim përkrahës “në parim” ndaj shtetit palestinez, Shqipëria dhe shqiptarët janë vënë në një pozicion moralisht, politikisht - dhe historikisht të gabueshëm".

Nga Veton Surroi

1. Vizita e kryeministrit Berisha në Izrael, si dhe qëndrimi i mbajtur i Shqipërisë gjatë fillimit të sivjetmë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së karshi çështjes së njohjes së shtetit palestinez tregojnë për një politikë të jashtme të pamjaftueshme ndaj njërës prej çështjeve kyç botërore.

Politika e jashtme e Shqipërisë, e manifestuar gjatë vizitës së kryeministrit dhe qëndrimit në Asamblenë e Përgjithshme, ka adoptuar qëndrimin izraelit ndaj çështjes palestineze, e ky qëndrim është se shteti palestinez mund të ndërtohet vetëm me një proces negociator, në të cilin do të arrihet pajtimi mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Me këtë, Shqipëria i ka dhënë përkrahje të drejtpërdrejtë dy pikave strategjike të politikës izraelite ndaj Palestinës. Një, që Izraeli të ketë të drejtën e vetos, nëpërmjet të formulimit “vetëm marrëveshja e negociuar”, për shtetësinë palestineze. Sipas këtij modeli, nëse Izraeli nuk mbërrin marrëveshje me autoritetet palestineze, atëherë nuk do të ketë shtet palestinez. Dy, e nën mbulesën e “procesit negociator”, t’i njihet e drejta Izraelit për politikën e “realiteteve të reja”. Ai në formë aktive, nëpërmjet kolonizimit, e ka ndryshuar hartën demografike të territoreve të pushtuara, pra të mu atyre territoreve ku do të duhej të ndërtohej shteti i “marrëveshur” palestinez. Çdo ditë që kalon, prej vitit 1967 e këtej, pra nga data e pushtimit, ka gjithnjë e më pak tokë, për më tepër, tokë me ujë, për të ndërtuar shtetin palestinez.

2.

Politika e jashtme e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në Ballkan nuk do të duhej të ishte e njëanshme. Qartazi, kjo politikë e jashtme duhet të konsiderojë si një arritje të madhe të kombit, atë pjesë të historisë së saj kur në tokat shqiptare janë strehuar, fshehur dhe ndihmuar për në liri hebrenjtë e ikur nga gjenocidi nazist. Qartazi, kjo politikë e jashtme duhet të jetë përkrahëse e shtetit të Izraelit, jo vetëm si simbol të një drejtësie karshi një populli të persekutuar, por edhe simbolin e trimërisë së shtetndërtimit në kohë të vështira.

Për një popull që, ndonëse as afër përmasave hebraike, iu ekspozua përndjekjes dhe sfidave të ekzistencës e shtetndërtimit, është lehtë të krijosh simpati për Izraelin.

Por, një politikë e jashtme e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në Ballkan nuk mund ta përfundojë këtu qasjen e vet ndaj regjionit. Në të, ekziston një popull i përndjekur, herë-herë deri në kufi të ekzistencës, me një sfidë shumë më të madhe të shtetndërtimit, të bërjes së shtetit në rrethana të okupimit. Ky është populli palestinez.

Dhe, simpatia për këtë popull nuk mund të përfundojë me një përsëritje të “përkrahjes për shtetin palestinez”. Gjatë njëzet viteve të fundit, gjatë të cilave është shtuar numri i vendeve që, sikur Shqipëria e “përkrahin të drejtën për shtetin palestinez” Izraeli ka krijuar realitete të reja në terren: ka kolonizuar pjesë të mira të Palestinës së ardhshme, ka vënë nën kontroll të vetin pjesën dërrmuese të burimeve të ujit, ka ndarë me mur territoret që mendon t’i aneksojë prej atyre që do t’ua lërë palestinezëve (pas një “marrëveshjeje të negociuar”), ka vënë një pikëkalim kufitar thellë në territoret palestineze, duke mbyllur e hapur qasjen në tregun e punës për palestinezët çdo herë që i konvenon politikisht, ka marrë të hyrat doganore të palestinezëve çdo herë që e konsideron si mjet të nevojshëm presioni, ka mbushur burgjet me palestinezë të të gjitha moshave e të të gjitha aktiviteteve, përfshirë edhe fëmijë që gjuajnë gurë dhe rini që ngrenë dy gishtërinj në shenjë rezistence paqësore, e që prapë quhen terroristë.

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës Izraelit, dhe qytetit të pushtuar të Jerusalemit, ka mundur pasi të ketë vizituar Murin e vajtimit, të bënte edhe tri vizita. Një, në xhaminë Al Aqsa, vendin e dytë të shenjtë për Islamin, të rrethuar me ushtarë izraelitë, të cilët herë pas here vendosin se sa qindra besimtarë mund të hyjnë, e sa duhet të mbesin jashtë mureve të qytetit. Pastaj ka mundur të niset për në Ramallah, kryeqendrën administrative të Palestinës e cila shpreson se një ditë do ta ketë kryeqytet të vetin Jerusalemin. Aty do të duhej të takohej me përfaqësuesit legjitimë të popullit, të drejtën për shtet të të cilit Shqipëria e përkrah në parim, e të dëgjojë prej tyre se si kjo përkrahje në parim nuk vlen gjë karshi hapave të njëanshëm të cilat i ndërmerr Izraeli për mbi 40 vjet. Rrugës për në Ramallah do të mund të shihte pikën e kalimit Qalqidiya, një kufi trishtues, aty ku është më së i dukshëm projekti i murit të madh të betonit që përpiqet të ndaj jetën e qetë dhe prosperuese izraelite prej jetës së prej mentaliteti të refugjatit që kanë palestinezët. Dhe, pika e tretë duhej të ishte Tulqarm, aty ku kryeministri do të mund të shihte, siç kam parë unë, se si ushtarët e rinj izraelit, 18 vjeç nga Rusia e Etiopia, përcaktojnë se kush mund të dalë përtej postbllokut të qytetit. Në mesin e atyre që do të lusnin ushtarët ishte edhe një grua shtatzënë.

Të shkelësh me këmbë në Jerusalem, e të shohësh vetëm anën hebraike të ekzistencës së këtij qyteti është të mohosh një realitet të madh e të dhimbshëm, atë palestinez. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë të drejtë morale ta mohojnë këtë realitet, të drejtën për liri të tjetrit, kur aq kanë vuajtur për lirinë vetjake, dhe me aq fisnikëri janë ndihmuar nga disa fuqi të mëdha, në radhë të parë nga SHBA-ja, për ta arritur atë.

3.

Qëndrimi politik se Shqipëria dhe shqiptarët do të njohin shtetin palestinez atëherë kur të merren vesh për këtë palestinezët dhe izraelitët nuk është vetëm një qëndrim, siç u shpjegua më lart, moralisht i dëmshëm, ngase jep të drejtën e vetos Izraelit që kur dhe si do të dojë të zvarrisë procesin e marrëveshjes me palestinezët, pra edhe të shpalljes së tij si shtet. Ky qëndrim është edhe politikisht i papranueshëm mu për shqiptarët.

Gjatë viteve 1998-1999 një qëndrim të këtillë ka mbajtur Rusia ndaj Kosovës. Asokohe politika e jashtme ruse përsëriste se do të përkrahte çfarëdo marrëveshjeje të negociuar mes Serbisë dhe Kosovës. Një proces negociator, në të cilin Serbia e kishte të drejtuar revolen në kokën e Kosovës dihet se çfarë marrëveshje mund të krijonte. Për më tepër, me një këso qëndrimi përkrahej Serbia, duke u përpjekur që me aksionet e veta ushtarake të krijonte realitete të reja në terren, siç ishte spastrimi etnik i popullatës shqiptare.

Këtë qëndrim Rusia e ka mbajtur edhe gjatë vitit 2005-2008, duke thënë se do të përkrahë vetëm statusin e dakorduar në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, duke u përpjekur t’ i japin shtetit shkatërrimtar të drejtën e vetos mbi ardhmërinë e Kosovës.

Dhe këtë qëndrim e mban Rusia edhe sot, duke thënë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës kur këtë ta bëjë Serbia. Nëse shqiptarët në Ballkan kanë pësuar nga një qëndrim të këtillë “parimor”, pse duhet ta përkrahin, madje në formë krejtësisht të përsëritur ndaj popullit palestinez?

4.

Instinkti parësor i një pjese të politikës shqiptare në Ballkan, siç u shpjegua edhe dje në Kosovë, është që për një çështje siç është ajo e palestinezëve të bëhen konsulta me SHBA-në dhe BE-në. Por, një gjë e tillë nuk do të prodhojë gjë, ngase SHBA-ja, për shkaqe të brendshme ka një qëndrim krejtësisht tjetër prej atij që mbajnë shumica e shteteve të BE-së. Shqiptarët nuk kanë pse marrin anë në këtë mungesë dakordimi. As nuk kanë pse ta marrin seriozisht arsyetimin se liderët palestinezë i kanë premtuar Serbisë se nuk do ta njohin Kosovën. Politika shqiptare ndaj palestinezëve duhet të jetë ajo e respektit të lirisë, jo e reciprocitetit, posaçërisht jo ndaj një populli i cili mezi arrin të artikulojë qartazi politikën e vet shtetndërtuese.

Duke mbajtur qëndrim përkrahës “në parim” ndaj shtetit palestinez, Shqipëria dhe shqiptarët janë vënë në një pozicion moralisht, politikisht - dhe historikisht të gabueshëm.

Përgjigjja më e mirë për çështjen palestineze është përgjigjja që e kemi dhënë vetë me vite të tëra rreth Kosovës. Ashtu si shteti i Kosovës nuk mund të mbahej peng i zhvillimeve në Serbi (“kur të demokratizohet”, “kur të jetë i gatshëm opinioni publik”, etj.), ashtu edhe Palestina nuk mund të mbahet peng i zhvillimeve në Izrael. Në mungesë të marrëveshjes së dakorduar mes Izraelit e Palestinës, që gjithsesi do të ishte zgjidhja më e mirë, përparësi ka shtetësia palestineze, jo okupimi izraelit. Historia e re ka dëshmuar se një qasje e këtillë është e mirë për Kosovën. Shqiptarët janë të fundit që mund t’ua mohojnë palestinezëve.

NOA

KOMENTE