English

Thaçi: 2012-ta, viti i liberalizimit të vizave

Prishtinë, 25 nëntor 2011, NOA- Kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi në fjalën e mbajtur në takimin e nëntë të Këshillit Ministror për Integrim Europian tha se, pas publikimit të Raportit të Progresit për vitin 2011, Qeveria menjëherë ka nisur procese të rëndësishme me qëllim të adresimit të sfidave të Raportit të Progresit.

Ai tha se, Qeveria e konsideron Raportin e Progresit si mjet kyç në ndërmarrjen e reformave të nevojshme në të gjitha fushat e qeverisjes dhe theksoi se kjo do të jetë axhenda e Qeverisë gjatë tërë vitit 2012, por edhe gjatë viteve në vijim.

Thaçi theksoi se pas publikimi të Raportit të Progresit, Qeveria ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Europian për vitin 2012.

“Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave. Në vitin 2011, institucionet qendrore dhe lokale, kanë shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e riintegrimit të personave të riatdhesuar. Kjo është konfirmuar edhe në Raportin e Progresit 2011 për Kosovën, dhe Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Thaçi.

Më tej ai shtoi se, janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.

Thaçi konstatoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin efektiv dhe në afat rekord të të gjitha kritereve pas hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave.

Në vijim ai tha se Kosova nuk pret favore apo lehtësime, por trajtim të barabartë, si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në kritere strikte.

a.y/NOA

KOMENTE
  • canada 08:53 - 26 Nëntor 2011
    po ku doni me i kthy krejt shqiptart ,po a pak ka rini neper rruget e kosoves qe sillen pa pun po qka po ju vyn ma shum, a e dini sa familjen e merrni ne qaf sa familja mvaret prej prej kesaj rinie qe punojn neper bot, more na e dim se juve nuk ju vret shum a kan populli buk me ngran a jo ju kqyrni veq kolltukun e juv .