Tiranë, 26 nëntor 2011, NOA - “Çdo nismë që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së jetës është shumë e vlefshme. Tashmë përmes qelizave staminale të kordonit umbilikal mund të shpëtohen jetë”.
E pranishme në Konferencën “Qelizat Staminale: E ardhmja e mjekësisë”, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi se dobia e këtyre qelizave është e jashtëzakonshme për shëndetin e fëmijës dhe të të afërmve të tij.
Me përdorimin e qelizave staminale, mund të parandalohen sëmundjet kancoregjene, sëmundje të trurit, të zemrës, diabetit, sëmundjeve të gjakut e të tjera, duke ruajtur qeliza dhe inde të kordonit umbilikal.
Topalli vuri në dukje rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i qytetarëve në ruajtjen e qelizave staminale. Të dhënat tregojnë se në 20 vitet fundit janë kryer mbi 20 mijë transplante me gjakun e kordonin umbilikal në të gjithë botën për trajtimin e tumoreve të gjakut, ç’rregullimeve metabolike etj.
a.q/NOA