English

Topi në Torino, takim me drejtuesit vendorë

Torino, 26 nëntor 2011, NOA - Presidenti i Republikës Bamir Topi, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së të Torinos, Piero Fasino, u prit sot nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Valerio Kataneo.

Siç njofton zyra e shtypit e presidencës, presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe të çmuar të Italisë për Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit për konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të saj, si edhe për mbështetjen ndaj aspiratës së popullit shqiptar për integrim në familjen e madhe evropiane. “Shqipëria shikon tek Italia një partner strategjik, një vend dhe një popull mik me të cilin ne kemi shprehur qartë dhe kemi dëshmuar prioritetet e bashkëpunimit të gjithanshëm në funksion të interesave të vende dhe popujve tanë”, vuri në dukje Presidenti Topi.

Kryetari i shtetit u shprehu mirënjohjen autoriteteve italiane dhe përfaqësuesve vendorë në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, të cilët po kontribuojnë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve, por edhe për vetë të ardhmen e Italisë. Në këtë drejtim, presidenti Topi vuri në pah mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare si shtimin e numrit të investitorëve piemontezë në vendin tonë.

Kataneo dhe anëtarë të Këshillit Rajonal vlerësuan praninë e rëndësishme të bashkësisë së mirëintegruar shqiptare dhe rolin e saj me peshë në Rajonin e Piemontes.

a.q/NOA

KOMENTE