Prishtinë, 26 nëntor 2011, NOA – Me rastin e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, një urim ka mbërritur edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Zonja Jahjaga i ka dërguar pasditen e sotme një mesazh urimi Presidentit Topi, ku i shkruan se “Bërja e Shqipërisë gati një shekull më parë dhe stabilizimi i saj përgjatë kësaj periudhe përbën rrëfimin më të suksesshëm të historisë sonë kombëtare. Shtet-bërja dhe shtet-ndërtimi i Kosovës pothuaj njëqind vjet më vonë dhe kontributi e përkrahja e Shqipërisë në këtë proces jetësor është kapitulli më i ndritur i kësaj historie”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Presidentja e Kosovës thekson se Shqipëria sot është një vend demokratik, me vlera të qëndrueshme të civilizimit evropian, që i kontribuon stabilitetit dhe paqes në rajon dhe botë, me vizion dhe përkushtim të qartë për idealin e integrimit euroatlantik.
“Jam e bindur, që ky rrugëtim i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe përparimi që institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë po shënojnë çdo ditë, do të kurorëzohet së shpejti me sukses”, shkruan zonja Jahjaga në mesazhin drejtuar Kreut të Shtetit.
Presidentja Jahjaga e përmbyll mesazhin e saj duke shprehur përkushtimin për të dhënë shembullin e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe të sinqerta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Të ecim drejt këtij ideali tonë të përbashkët, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët tanë do të gëzojnë prosperitetin që e meritojnë”, përfundon urimin e saj për përvjetorin e 99-të të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetarja e Shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, një urim i publikuar në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës.
mit/NOA