English

Jepnin diploma mature false, prangosen drejtori i shkollës dhe dy vetë

Tiranë, 27 nëntor 2011, NOA – Nën akuzën e dhënies së dëftesave të shkollës së mesme, në këmbim të parave janë arrestuar një drejtor i një shkolle të mesme në Martanesh, një mësues dhe një sekser, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Policia e krimit ekonomik në Tiranë bën me dije se tre shtetasit, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre u prangosën në kryeqytet falë operacionit të koduar “Gjimnazisti”.

Tre shtetasit e arrestuar në Paskuqan dhe në afërsi të rrugës “Siri Kodra” në Tiranë janë Bashkim Allman Leti, 40 vjeç, banues në Martanesh, me detyrë Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit; Kadri Hasan Gjoni, 48 vjeç, banues në Tiranë, ish-Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit, aktualisht me detyrë mësues i lëndës së Historisë në Shkollën 9 – Vjeçare Yzberisht dhe Sajmir Met Levonja, 36 vjeç, banues në Tiranë.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri – tjetrin, pajisnin me dëftesa mature të shkollës së mesme persona që nuk e kishin mabruar arsimin e mesëm.

Këtë shërbim tre të arrestuarit bashkë me dëftesën e mundësonin kundrejt përfitimit të 200 000 - 400 000 lekëve të rinj.

Sipas policisë, Sajmir Levonja, sekseri, gjente personat e interesuar për një dëftesë të shkollës së mesme, ndërkohë që Kadri Gjoni, ish-Drejtor pranë Shkollës së Mesme “Jani Fullani”, ia jepte dokumentacionin përkatës, Bashkim Leti-t, aktualisht Drejtor pranë kësaj shkolle, dhe që të tre realizonin në bashkëpunim nxjerrjen e diplomave të shkollës së mesme dhe vërtetimeve të ndryshme pranë kësaj shkolle.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Dokumenta shkollore të personave për aplikim për studime të shkollës së mesme, vërtetime të ndryshme shkollore, një shumë e konsiderueshme parash, të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Njësinë Taks Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës po punojnë për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

mit/NOA

KOMENTE