English

“Kurban”, në Kosovë: Portretizimet e Berishës dhe Nanos politikisht legjitime

Prishtinë, 26 nëntor 2011, NOA – Nga Tirana ku njerëzit u dyndën kush e kush ta merrte më parë bashkë me një autograf personal, libri “Kurban” i Edi Ramës mirëpritet edhe në Prishtinë, ku kryesocialisti Edi Rama zgjodhi për ta promovuar pikërisht në ditët e shënuara në vigjilje të Ditës së Flamurit Kuq e Zi.

“Portretizimet e Ramës ndaj Berishës dhe Nanos i shoh si politikisht dhe totalisht legjitime, sepse këta të dy janë personat kyç, që e kanë penguar realizimin e vizionit të Edi Ramës për Tiranën”, vlerësoi publicisti kosovar Shkëlzen Maliqi, gjatë promovimit të librit “Kurban” të Edi Ramës në Prishtinë.

Gjatë ceremonisë së organizuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës merrte pjesë edhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ka mbërritur sotKosovë.

Gjatë përurimit të “Kurban”, që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve shqiptarë anekënd vendit dhe anembanë territoreve shqipfolëse, analisti Shkëlzen Maliqi do të shprehej kështu: “Mendoj se duhet të vlerësohet transparenca dhe me publikun e Edi Ramës. E shoh si një kontribut të vyer dhe kuptohet që Ramës mund t`i bëjnë vërejtje për portretizimet e njëanshme të kundërshtarëve, sidomos të Sali Berishës dhe Fatos Nanos dhe këto vërejtje i ka bërë në kritika, vetëm se unë portretizimet e Ramës ndaj Berishës dhe Nanos i shoh si politikisht dhe totalisht legjitime, sepse këta të dy janë personat kyç që e kanë penguar realizimin e vizionit të Edi Ramës për Tiranën”.

Por, vlerësimet kanë qenë të shumta edhe nga personalitete të tjerë të jetës publike në Kosovë.

Një profesor i Akademisë së Arteve të Kosovës e sheh “Kurbanin” e Ramës në aspektin artistik, dhe ai inkurajon lexuesit ta lexojnë këtë libër, pasi sipas tij në të flitet për Tiranën e 11-të viteve të shkuara, në një këndvështrim të vetë autorit, i cili po vetë është protagonist.

“Lexojeni librin, sepse mua më duket se edhe në libër dominon Edi si artist, është një libër thellësisht i sinqertë, së paku ashtu duket është një tregim ku edhe autori thotë se nuk kishte ambicie që të shkruhet historia e Tiranës për këto 11 vite, por është një këndvështrim i autorit i cili është edhe protagonisti kryesor në këtë tregim. Interesante është forma ku ai të rrëfehet ty, lexuesit të tij dhe provon t’i kallëzojë jo vetëm ato që duken, por edhe brengat dhe ndjenjat më intime, momentet më të vështira, më të gëzueshme e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Dhe nuk kish si të mos fliste aty edhe vetë autori, lideri socialist Edi Rama, i cili tha se ai rrëfen në libër të vërtetën e tij.

“Libri është një rrëfim që si çdo rrëfim pretendon të jetë historia e gjithë pranuar dhe e vërteta e gjithsekujt. Është vetëm historia ime dhe e vërteta ime dhe jam i bindur që secili nga personazhet e librit po ta shkruante të njëjtën histori, do shkruante një histori tjetër dhe do të rrëfente një të vërtetë tjetër e ajo që unë besoj, ne të gjithë së bashku si shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë kemi nevojë jo të ndërtojmë të vërtetat e të tjerëve, por të rrëfejmë të vërtetat tona”, u shpreh Rama, i cili librin e tij "Kurban" ia dhuroi sot edhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Libri “Kurban” i pari libër i Edi Ramës ka ngjallur shumë polemika në qarqet shqiptare.

Ka nga ata që thonë se libri është i lustruar, apo nga ata që thonë se ai flet për atë çka do të donte të ishte Edi Rama, por e rëndësishme është se, publiku shqiptar është tërhequr kah këtij libri duke treguar se ajo, që i intereson, është të lexojë ç’farë ka shkruar në “Kurban” Edi Rama, lideri i opozitës.

mit/NOA

KOMENTE