Gjirokastër, 27 nëntor 2011, NOA – Një shtëpi dy katëshe në lagjen Manalat të Gjirokastrës është përfshirë e tëra nga flakët mëngjesin e sotëm, për shkak të një shkëndije elektrike, duke rrezikuar edhe jetën e pesë fëmijëve që ndodheshin në banesë vetëm, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.
Pas një telefonate në rajon, patrullat e policisë së qytetit kanë mbërritur në një banesë dy katëshe ku banonin dy familje; në katin e parë banonte me qera familja e shtetasit Petraq Mema nga Tepelena, ndërsa në katin e dytë banonte familja e shtetasit Edmond Rrapo, i cili e kishte blerë këtë banesë.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë Petraq Mema së bashku me bashkëshorten e tij kishin shkuar në punë rreth orës 07.00 të mëngjesit dhe në banesë kishin lënë tre fëmijët e tyre, ndërsa shtetasi Edmond Rrapo së bashku me bashkëshorten e tij ishin jashtë rrethit Gjirokastër për probleme familjare dhe në banesë kishin lënë dy fëmijët e tyre.
Me të ardhur në banesë uniformat blu kanë nxjerrë pesë fëmijët nga banesat në katin e parë dhe të dytë, të cilët për fat mundën të shpëtohen në kohë pa u lënduar, ndërsa banesa sikundër duket edhe nga fotot është djegur thuajse plotësisht.
Në vendin e zjarrit kanë mbërritur edhe dy automjete zjarrfikëse, të cilat kanë vënë zjarrin nën kontroll për të mos u përhapur në banesat përreth.
Sipas grupit hetimor zjarri ka rënë nga kati i parë, nga brendësia e banesës ku banonte familja e shtetasit Petraq Mema, dhe më pas ka përfshirë të dy katet.
Shkak për zjarrin është bërë shkëndija elektrike si pasojë e instalimeve elektrike të amortizuara në katin e parë të banesës.
Flakët e zjarrit kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
mit/NOA