English

Njëkohësisht

Nga Edmond Tupja

Po, po, të dyja veprimet ndodhën njëkohësisht. E pashë vetë. Me sytë e mi. Në mes të ditës. Në mes të qytetit. Të një qyteti bregdetar. Zonja e vjetër, goxha e bëshme, kishte blerë një akullore, nga ato me kaush. Dukej e lodhur. U mbështet pas trungut të trashë të pemës dhe mori frymë. Pastaj afroi akulloren te goja. Për ta lëpirë, sigurisht. Për ta shijuar gjithashtu. Në të njëjtën kohë, një zotëri, nga ana e kundërt, nxitoi të mbërrinte te pema. Ja tek ngjitet pas trungut të trashë. Sheh majtas, pastaj djathtas. Nxjerr diçka fshehurazi nga pantallonat. Sheh edhe një herë nga të dy krahët. Pastaj urinon. Urina rrjedh. Ndjek pjerrësinë e trotuarit. Detyrimisht, vjen një çast kur ajo arrin te këmbët e zonjës që po shijon akulloren (Me ç’shije ta ketë zgjedhur vallë: Vanilje? Çokollatë? Luleshtrydhe? Fëstëk?). Befas, zonja lëshon një klithmë: akullorja i bie nga duart. Në urinën e tjetrit. E tjetrit që befasohet. Që nxiton të fshehë gjënë e tij. Që ikën me vrap. Zonja gjithashtu. Në drejtim të kundërt. Vetëm unë nuk lëviza. Nuk lëviza sepse u krodha në mendime për skenën që kisha vëzhguar dhe që sapo përshkrova. Secila prej lexueseve dhe secili prej lexuesve të mi të vëmendshëm e të paanshëm janë të lirë ta përsiatin si të duan këtë episod, të filozofojnë si t’ua ketë ënda lidhur me këtë ngjarje, veçse për një gjë jam i sigurt: gati të gjitha e të gjithë do ta dënojnë veprimin e zotërisë dhe do të ndiejnë keqardhje për zonjën. Gjithsesi, në shtëpi me të afërmit apo në punë me koleget e kolegët, pasi t’i kenë vënë në dijeni, do të nisin të qeshin dhe skena do t’u duket komike, vërtet komike (Po t’ia kishe parë fytyrën asaj/ atij kur ai/ajo vuri re se tjetra/tjetri ishte aty fare pranë duke…, ndërkohë që ajo, ai vetë ishte duke… etj., etj.) Pastaj, do t’i rrëmbejë vala e pamëshirshme e përditshmërisë dhe, me siguri, të nesërmen do ta kenë harruar krejtësisht incidentin në fjalë. Gjatë reagimit të tyre emocional, por qoftë edhe racional, me shumë gjasë, ata do të kenë harruar ta vënë veten e tyre në vendit e dy protagonistëve: Po sikur zotëria të vuante nga prostata apo nga veshkat? Po sikur bashkia ta kishte lënë qytetin pa nevojtore publike? Po sikur zonja të vuante nga nepsi i papërmbajtshëm apo nga mania e lëpirjes së akullores mbështetur pas një trungu të trashë peme në mes të ditës e në mes të qytetit? Po sikur të dy të vuanin paralelisht dhe papërgjegjshmërisht nga njëfarë ekzibicionizmi? Po sikur zotëria apo zonja në fjalë të ishin farefis, të afërm (krushq apo kushërinj si shumica e shqiptareve dhe e shqiptarëve?) shokë, miq, të njohur etj., etj. të aksh lexueseje apo lexuesi të rubrikës sime sot? Pra, po të kishin arsyetuar pak a shumë me një minimum tolerance, ndoshta do të kishin qenë a do të ishin përpjekur të tregoheshin më pak kategorikë në gjykimin e tyre ose do të ishin gajasur më pak me skenën që panë. Nga ana tjetër, duhet ta vëmë veten edhe në vendin e trungut të trashë të pemës, dëshmitar memec, por pa dyshim jo i pandjeshëm i incidentit. Si do të ishim ndier ne sikur te trupi ynë të mbështetej me shpinë e vithe një alamet zonje e të niste të lëpinte e të shijonte akulloren e saj me kaush? Si do të na vinte sikur një zotëri të na ngjitej pas trupit dhe të na vadiste apo spërkaste me shkulmet e urinës së tij kutërbuese? A nuk do të na dukej vetja rob i një sanduiçi njerëzor të paturpshëm, gati-gati agresiv? Së fundi, veçse në mbrojtje të dy personazheve tanë, mund të thuhet se të paktën ata janë treguar transparentë, meqenëse veprimet e tyre i kryen në mes të ditës faqe njerëzisë. Kushedi se ç’do t’i kishin bërë trungut të trashë të pemës, trotuarit, lagjes, qytetit, atdheut tonë të dashur kapitalist, botës në krizë sikur të kishin vepruar natën pa hënë, fshehurazi e pabesisht, jo me akullore e urinë, por me mjete të tjera të frikshme dhe burim pasojash të pallogaritshme… E keqja s’ka fund!

*Gazeta Panorama

KOMENTE