Nga Agim Vinca
Shkrimi i Bujar Hudhrit, “Kur një përçarës troket në derë si mik”, i botuar te “Panorama” më 23 nëntor 2011, është i shkruar aq keq dhe aq ngatërrueshëm, sa lirisht mund të thuhet se nuk është i denjë për përgjigje. Nuk do t’i përgjigjesha këtij shkrimi diletant, që s’ka as bisht, as krye, po të mos ishin, megjithatë, nja dy-tri gjëra që u duhen sqaruar lexuesve. Bujar Hudhri më quan “përçarës”, njeri që nxitkam përçarjen mes intelektualëve të Kosovës dhe të Shqipërisë! Është një akuzë e rëndë, që s’ka të bëjë fare me të vërtetën dhe që vetëm një njeri i papërgjegjshëm mund ta shqiptojë publikisht. Në shkrimin tim “E vërteta për takimin me Kadarenë”, në të cilin kam folur gjerësisht për takimin me shkrimtarin Ismail Kadare në verë të vitit 2005, takim që është paraqitur në mënyrë krejtësisht të shtrembër në librin me kujtime të zonjës Kadare, kam thënë se nuk kam shkuar te Kadareja me “mision pajtimi”, pra jo për ta pajtuar atë me Qosjen, siç spekulohet, por kam theksuar gjithashtu, më se një herë, se e konsideroj të panevojshme e madje edhe të dëmshme përplasjen mes dy njerëzve të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare. Por kjo nuk i mjafton zotit Hudhri, që ashtu kuturu, si të fliste jerm, ta përsërisë akuzën e të qenit tim “përçarës”, ngaqë, sipas tij, paskam mundur “të ndikoj në pajtim”, por nuk paskam dashur, sepse qenkam nga ai soj njerëzish që i gëzuakësha përçarjes! Se është krejt e kundërta, do ta dëshmoj duke cituar një shkrim timin të shkruar dhe të botuar në shtypin e Tiranës, të Prishtinës dhe të Shkupit në vitin 2006, pra në kohën kur as që më ka shkuar mendja se do të vijë dita të polemizoj për këtë çështje me dikë dhe aq më pak me Bujar Hudhrin e Onufrit, me të cilin më lidh njëfarë miqësie që nga fillimi i viteve ‘90. Shkrimin tim me titull “Kadareja, Qosja dhe ne të tjerët”, që lindi në kohën kur debati Qosja-Kadare për çështjen e identitetit ishte në kulmin e tij, e mbyllja me këto fjalë: “Autori i këtyre rreshtave, si njeri që e çmon lart veprën e të dyve dhe që asaj vepre i ka bërë mjaft shërbime, është përpjekur, me mundësitë e tij, ta pengojë përplasjen mes ‘dy të mëdhenjve të letrave shqipe’, me të cilët ka marrëdhënie korrekte e miqësore (veçanërisht me Qosjen), por nuk ka pasur sukses. (Përveç të tjerash, edhe për shkak se shumë të tjerë, duket, andej e këndej kufirit, kanë bërë të kundërtën: i kanë fryrë zjarrit!). Dhe jo për tjetër, por për shkak se e konsideron të dëmshme këtë ‘luftë’ për letërsinë dhe kulturën shqiptare, përkatësisht për klimën e marrëdhënieve kulturore në relacionin Tiranë-Prishtinë, në të cilën ajo domosdoshmërisht ndikon. Kadareja dhe Qosja kanë miq të ndryshëm, por armiqtë i kanë, pak a shumë, të përbashkët. Të tillë janë në radhë të parë smirëzinjtë dhe mediokrit, që s’lënë gjë pa bërë për të zhvleftësuar çdo vlerë dhe për të rrënuar çdo autoritetet moral e shpirtëror. Pas kësaj që ndodhi ditëve të fundit a mund të shpresohet për një rivendosje të paqes mes këtyre dy krijuesve, në mos sot, në një të nesërme jo shumë të largët? E vështirë, por jo edhe e pamundur. Konica dhe Noli kanë pasur, siç dihet, shumë përplasje midis tyre, herë-herë, madje, edhe tejet të ashpra e fyese, por, megjithatë, kanë gjetur forcë që të ngrihen përmbi to dhe t’ia falin ‘mëkatet’ njëri-tjetrit. Duke u nisur nga ky fakt, Konica do ta krahasonte Nolin dhe veten me heronjtë e Homerit, të cilët, ‘njëherë shkëmbejnë fjalë të ashpra, pastaj bashkohen, si më parë’. Edhe atëherë kur pikëpamjet politike i ndanin, ata i bashkonte dashuria e madhe për artin dhe kulturën, si dhe për gjuhën në të cilën shkruanin. A do të gjejnë forcë Kadareja dhe Qosja ose, vice versa, Qosja dhe Kadareja që të ngrihen në lartësinë e Nolit dhe të Konicës, apo do të katandisen në nivelin e Kapllanit (Resulit), mbetet të shihet në të ardhmen? Kjo varet, në radhë të parë, nga ata vetë, por edhe nga ne të tjerët në njëfarë mase po”. (Shih: Agim Vinca, (Po)etika e fjalës, “Ars ZZ”, Tetovë 2010, f. 392) Ja, pra, se ç’paskam menduar dhe përse qenkam angazhuar unë në vitin 2006! Tingëllon përçarës ky qëndrim? Duket i tillë? Është krejt e kundërta e asaj që thotë Hudhri në hurdhën e tij në formë replike, thuajse nuk e di kuptimin e fjalës “përçarje” në gjuhën shqipe. Që unë hyj tek ata që kanë dashur ta shmangin konfliktin Qosja-Kadare dhe përplasjet e tjera të ngjashme, Bujari e di mirë. Edhe Zeusi Kadare, besoj, e di. Edhe zonja Kadare gjithashtu. E dinë edhe shumë të tjerë, krijues e intelektualë me emër dhe lexues anonimë, në Tiranë dhe në Prishtinë. Këtë qëndrim kam mbajtur unë edhe në takimin e vitit 2005 dhe vazhdoj ta mbaj edhe sot, pavarësisht nga të gjitha. Dhe jo për tjetër, por ngaqë kjo sjellje është pjesë organike e formimit tim intelektual e shpirtëror dhe e karakterit tim njerëzor. Kur jemi këtu, të shtojmë se, ndryshe nga ç’pohojnë Helena e Bujari dhe, natyrisht, edhe vetë kryepersonazhi i librit “Kohë e pamjaftueshme”, i quajtur “Is” në faqet e tij, Qosja dhe Kadareja nuk “u prishën” në ‘97-n dhe as për shkak të ’97-s. Jo. E vërteta është krejt tjetër nga ç’e paraqesin ata, secili veç e veç dhe që të tre së bashku. Prishja ndodhi shumë vjet më vonë dhe, më shumë sesa për arsye parimore, për motive të tjera, në radhë të parë për shkak të kapriçove të njërit dhe të tjetrit. Se është kështu do ta dëshmoj jo me një, por me dy shembuj konkretë e të pakontestueshëm. Në korrik të vitit 1998, pra më se një vit pas ngjarjeve të ’97-s, në Tiranë, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, u bë përurimi i librit “Kombi. Rrugët e bashkimit kombëtar”, në të cilin qenë marrë opinionet e rreth njëzet intelektualëve shqiptarë, përfshirë edhe vogëlsinë time, për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Kishin ardhur socialistët në pushtet, pas “revolucionit të vonuar demokratik” dhe Qosja e Kadareja ishin bashkë jo vetëm në tribunë, por edhe në ndeja, dreka, darka e gjetkë. Dhe jo një orë a dy, por dy-tri ditë të gjata e të nxehta vere. Një vit më vonë, në nëntor 1999, u mbajt në Prishtinë Panairi i parë i Librit pas çlirimit të Kosovës. Në atë panair mori pjesë, si i ftuar i nderit, edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, tok me zonjën e tij, po ashtu shkrimtare, Elena Kadare, si quhej atëherë (pa “h”). Me atë rast, në mjediset e Panairit, u bë promovimi i librit “Ra ky mort e u pamë”. Për librin foli, sipas marrëveshjes së bërë një natë më parë, Rexhep Qosja. Fola edhe unë si i paparaparë, për të mos dështuar promovimi, duke marrë përgëzime nga autori. Pati edhe ndonjë fjalë tjetër, por kjo s’ka rëndësi. Rëndësi ka që aty ishte, madje në kryesinë e punës, pos autorit të librit, Kadaresë, edhe botuesi i tij, Bujar Hudhri. Kishte edhe shumë të tjerë, shkrimtarë, gazetarë, botues etj., pa llogaritur organizatorët e Panairit dhe publikun e shumtë, që ndiqte me vëmendje gjithë sa ndodhte. Kishte dy vjet e gjysmë që kishte ndodhur ’97-a dhe Kadareja me Qosjen ende flisnin bashkë. Mund të thuhet, madje, se ishin shumë të përzemërt me njëri-tjetrin, më të përzemërt se kurrë ndonjëherë më parë. Thirri pak kujtesës, Bujar! Mos i ngatërro gjërat, ngjarjet, datat, detajet, sepse kështu, me ngatërresa, gënjeshtra e pështjellime, të vogla e të mëdha, nuk bëhet historia. Bujar Hudhri, në shkrimin e tij çapraz, të shkruar si me këmbë, përmend kodin e mikpritjes e të mirësjelljes, duke më quajtur mua, poetin A. Vinca, si thotë ai, në hidhërim e sipër, “njeri të paqytetëruar”! Shkrimi i tij me titull “Kur një përçarës troket në derë si mik”, hapet me fjalën “përçarës” dhe mbyllet me fjalën: “i paqytetëruar”. E para është akuzë, me të cilën reaguesi dëshiron të më diskualifikojë si intelektual (“përçarës i kulturës kombëtare”), kurse e dyta fyerje me të cilën tenton të më njollosë si njeri (“njeri i paqytetëruar”). Aferim, Bujar aga, aferim! Po ç’kupton ti me fjalën “qytetërim”? Në qoftë se me qytetërim kupton hilen, intrigën, gënjeshtrën, mashtrimin, baltën dhe hurdhën, atëherë unë pranoj të jem “i paqytetëruar”. Sikush ka formimin e vet kulturor dhe karakterin e vet njerëzor, ashtu siç ka edhe edukatën familjare, që është, tekefundit, baza e të gjithave. Kultura të cilës i takoj unë nuk është kulturë e frikës dhe e nënshtrimit; e interesit dhe e mashtrimit; e inferioritetit dhe servilizmit të pështirë, që të ngjall krupën e të bën të vjellësh. Kultura së cilës i takoj unë është kulturë e lirisë dhe e virtytit; e së drejtës dhe së vërtetës; e etikës dhe dinjitetit njerëzor, pa të cilat nuk kanë kuptim as fama dhe karriera e shkrimtarit të suksesshëm. Thelbi i virtytit të njeriut është “të vepruarit me drejtësi”, porosiste filozofi më i madh i të gjitha kohëve, Aristoteli, kurse Volteri, në kohën e tij, përsëriste shpesh se tri janë gjërat për të cilat e vlen të jetosh dhe të sakrifikosh: liria, e vërteta dhe e drejta. Por është e kotë të flasësh me Bujarin për vlera e standarde morale të këtij niveli, sado që ai, ashtu mahmurshëm, si njeri që ende nuk i ka dalë plotësisht pija, nuk harron të ma përmendë mua kodin e mikpritjes dhe respektin për gruan. “… po si mund t’i drejtohesh kështu – më mban ders derdimeni – një gruaje, një personaliteti të kulturës shqiptare, shkrimtares Helena Kadare, aq më tepër kur kjo zonjë është njëherësh e zonja e shtëpisë ku keni bujtur me mikun tuaj” (nënvizimi im – A. V.). E si mund të flasë për mikpritjen një njeri që nuk e di kuptimin e fjalës “bujtës”? Sipas Hudhrit unë dhe miku im, N. Kryeziu, që kemi qenë në një vizitë të shkurtër te familja Kadare, ku kemi qëndruar një copë herë dhe kemi pirë kafe (pa u treguar për asnjë çast bukëpërmbysës), paskemi bujtur aty. Kultura gjuhësore e këtij njeriu është aq e mjerë sa ai nuk e di kuptimin e fjalës “bujtje”. Këtë së paku ka mundur ta mësojë nga shkrimtari i tij! Por, ngaqë s’e ka mësuar deri më sot, le ta mësojë së paku tani! Sipas “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980, f. 190, fjala “buj”, ka kuptimin: “kaloj natën ose rri për disa ditë diku si mysafir”. Ja sa i saktë është Bujar zeza dhe sa mund t’i besohet atij! Bujar Hudhri nuk ka përgënjeshtruar asgjë, ama bash asgjë, nga ato që kam thënë unë në shkrimin tim “E vërteta për takimin me Kadarenë”. Kush e ka lexuar atë shkrim e di fare mirë këtë gjë. Dhe në fund edhe diçka. Përpara se ta nisja për botim shkrimin “E vërteta për takimin me Kadarenë” ia dërgova dëshmitarit të vetëm të atij takimi fatkeq – të vetmit që ka qenë i pranishëm nga fillimi deri në fund në të, zotit Naim Kryeziu, që ta lexonte dhe të më jepte një mendim. Brenda ditës mora përgjigjen. “Të gjitha gjërat që shkruani ju në lidhje me takimin tonë me z. Kadare janë shumë të vërteta. Ju uroj nga zemra për shkrimin tuaj”. Me këto fjalë m’u drejtua Naim Kryeziu në e-mail-in e tij të shkruar më 10 nëntor 2011. Vetëm pas kësaj letre unë e nisa shkrimin tim për botim. Dhe shkroi kështu, jo pse është mik imi, por pse është mik i së vërtetës. E vetmja vërejtje e tij ndaj shkrimit tim ishte koha e mbajtjes së Festivalit të Bazelit, jo në vjeshtë, siç kisha thënë unë, por në pranverë. Asgjë më shumë. Naim Kryeziu është njeri i edukuar e me karakter, sepse po të mos ishte i tillë do të ishte sjellë ndryshe me provokatorin. “I telefonova z. Kryeziu në Zvicër, ku edhe jeton” – shkruan pa fije turpi Bujar Hudhri, por nuk tregon se të njëjtën gjë ka bërë edhe me mua në Prishtinë, duke më marrë në telefon në orën 10 të mbrëmjes dhe duke kërkuar nga unë t’ia konfirmoja botimin e shkrimit “kundër Helenës” dhe, madje, edhe t’ia përflisja atë! E shihni deri ku arrin pafytyrësia e këtij njeriu? S’lë gur pa luajtur derisa ia gjen tjetrit numrin e telefonit, pastaj e thërret kohë e pa kohë, duke i bërë presion tërthorazi për t’u distancuar unë. Ç’janë këto telefonata të natës nëpër Kosovë, Zvicër e kushedi ku tjetër në Ballkan e Europë dhe a s’është kjo një sjellje e tipit mafioz? Përse e shqetëson burrin e botës dhe kërkon ta fusësh në rrjetin e intrigave pa fund? Përse kërkon nga ai të implikohet në këtë polemikë të pistë? Gënjen ashiqare se ai gjoja qenka kthyer mbrapsht pasi na paska përcjellë zotëria i tij, ashtu siç gënjen që na paskësh përcjellë vetëm ai, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër: na përcollën që të tre deri tek dera e jashtme e shtëpisë! “E mbyll telefonin”, shkruan më tutje B. Hudhri dhe, me një dinakëri sa perfide, aq dhe trashanike, shton: “Naim Kryeziun e lë përballë ndërgjegjes së vet dhe çiftit Kadare, që ishin mikpritësit e tij”. Nuk e di a do ta pranojë Naimi ofertën bujare të Bujarit për ta futur edhe atë në lojë. Unë nuk insistoj, jo për tjetër, por pse s’dua ta implikoj në këso punësh të pista prej lakuriqësh të natës, në të cilat ai është krejtësisht i papërvojë. Ia bëj me dije, ndërkaq, Hudhrit dhe hudhrave të tjerë se miku im, Naim Kryeziu, më ka informuar për bisedën që ka pasur me të, natyrisht pa dëshirën e tij. Dhe, fjalët e tij të fundit, të shqiptuara përmes telefonit, qenë: “Do ta them të vërtetën po qe nevoja edhe në gjyq!”.
P. s. Këtij shkrimi po ia bashkëngjis tekstin e plotë të e-mail-it të z. Naim Kryeziu të dt. 10 nëntor 2011. From: naimkryeziu@bluewin.ch To: agimvinca@gmail.com Date: Thu, Nov 10, 2011 at 11:26 PM Subject: AV: Për lexim Përshëndetje Prof., të gjitha gjërat që shkruani ju në lidhje me takimin tonë me z. Kadarenë janë shumë të vërteta. Kam vetëm një vërejtje të vockël në lidhje me mbajtjen e Festivalit në Bazel. Ky Festival mbahet gjithmonë në fillim të muajit maj. Ju uroj nga zemra për shkrimin tuaj. Me shumë përzemërsi Miku juaj, Naim Kryeziu
Në foto: Botuesi i "Onufri" Bujar Hudhri dhe Helena Kadare, gjatë panairit të librit ku u pubikua libri "Kohë e pamjaftueshme".