English

Pakistani ultimatum SHBA-ve

Islamabad, 26 nëntor 2011, NOA - Qeveria e Pakistanit i ka kërkuar zyrtarisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës të boshatisin brenda 15 ditësh bazën ajrore, që mendohet se përdoret nga CIA për avionët komandues pa pilot, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ky vendim u mor pas sulmit, që avionë të NATO-s ndërmorën në afërsi të një reparti ushtarak në Pakistan, ku për pasojë humbën jetën 24 ushtarakë.

Kjo ngjarje duket se ka rritur ndjeshëm tensionet mes dy vendeve.

Pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes, qeveria pakistaneze bëri të ditur vendimin e saj për heqjen e bazës ushtarake amerikane nga vendi.

Më parë, kryeministri Jusuf Raza Gilani urdhëroi mbylljen e kufirit me Afganistanin dhe ndërprerjen e ndihmës për forcat e NATO-s, që gjenden aty.

Një zëdhënës i NATO-s pranoi faktin se sulmi ku gjetën vdekjen 24 ushtarë palestinezë ka shumë gjasë të jetë kryer nga forcat e aleancës, të cilat, po përpiqeshin t’i vinin në ndihmë një ekipi të NATO-s, që ishte vënë në ndjekje të një grupi ekstremistësh në kufi të Pakistanit.

Kjo nuk është hera e parë, që Pakistani akuzon forcat e NATO-s për sulme ajrore ndaj popullsisë civile, ku sipas autoriteteve pakistaneze kanë humbur jetën dhjetra qytetarë të pafajshëm.

mit/NOA

KOMENTE