Kukës, 26 nëntor 2011, NOA – Policia e Kukësit arrestoi njërin prej dy vëllezërve Matmuja, që plagosën me armë një 20-vjeçar në fshatin tërthore në Kukës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
I arrestuari, 52-vjeçari Kadri Mehmet Matmuja, nga fshati Pobreg i Komunës Tërthore të rrethit Kukës, dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin Faik Mehmet Matmuja, 40 vjeç, rreth orës 23.50’ të datës 25 nëntor 2001, në aksin rrugor Kukës -Kalimash, në afërsi të tunelit, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip furgon, të drejtuar nga shtetasi Vladimir D, 20 vjeç, nga Kukësi, duke e plagosur atë.
I plagosuri Vladimir D. aktualisht është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku është dërguar për ndihmë më të kualifikuar mjekësore.
Pas arrestimit të Kadri Matmujës, policia ka shpallur në kërkim vëllanë e tij Faik Matmuja.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e shtetasit Kadri Matmuja u gjetën dhe sekuestruan 900 copë fishekë model 56, ndërkohë që në banesën e shtetasit Faik Matmuja u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatik model 56, me një krehër me fishekë.
Dy vëllezërit Matmuja janë nën akuzë për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
mit/NOA