English

Rama: Shqipëria para stuhisë financiare

Bruksel, 26 nëntor 2011, NOA - Kreu i opozitës Edi Rama, paralajmëroi se Shqipëria ndodhet përpara një stuhie financiare, e sipas tij nëse qeveria do të vazhdojë ta mohojë krizën me kokëfortësi, stuhia do të jetë shumë më e rëndë.

Këtë deklaratë, kreu i PS-së Edi Rama e ka bërë në Bruksel.

Gjatë qëndrimit atje në kuadër të punimeve të Këshillit dhe Konventës së Partisë së Socialistëve Europianë, Rama ka zhvilluar edhe takime të veçanta me personalitete me ndikim në politikën europiane. Pas takimeve të veçanta me Komisionerin e Zgjerimit Fyle, Presidentin e Internacionales Jorgos Papandreu, kreu i PS-së ka zhvilluar edhe një takim me kreun e grupimit të majtë në Parlamentin Europian, Martin Schultz.

“Ne jemi absolutisht të bindur, që Shqipëria është përpara një stuhie financiare, për të cilën qeveria jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta shmangur, por duke e fshehur krizën e ka bërë stuhinë edhe më të pashmangshme. Jemi ende në kohë për të ulur efektet e saj, por në rast se kokëfortësish qeveria do të vazhdojë ta mohojë krizën, stuhia do të jetë shumë e rëndë dhe fatkeqësisht do ta paguajnë ata që kanë më pak, dhe të cilëve qeveria ju kërkon të paguajnë më shumë taksa se sa ata që kanë më shumë dhe paguajnë më pak taksa”, u shpreh Rama.

Kreu i opozitës Rama dhe kreu i europarlamentarëve socialistë Schultz duke folur për Top Channel thanë se kriza ekonomike në vend ishte një prej çështjeve të diskutuara në takimin mes tyre.

“Kriza ekonomike dhe problemet në vijim edhe për Shqipërinë, ishte një nga pikat e diskutimit. Është logjike që Shqipëria është e prekur nga zhvillimet negative ekonomike si e gjithë Europa dhe transparenca për buxhetin është parakusht për demokracinë. Janë paratë e taksapaguesve ato që përbëjnë bazën e buxhetit, ndaj për shpenzimin e parave të popullit nevojitet maksimumi i transparencës dhe sinqeritetit. Për t'ju përgjigjur më drejtpërdrejt pyetjes suaj, transparenca është element kyç i demokracisë dhe i përgjegjshmërisë së organeve të shtetit ndaj Parlamentit, e përmes anëtarëve të parlamentit, ndaj votuesve, çfarë përbën shtyllën themeltare të demokracisë”, u shpreh kreu i eurodeputetëve të majtë Martin Schultz.

Ai bëri me dije se “Ne diskutuam situatën në Shqipëri. Diskutuam mbi marrëdhëniet e grupit tonë parlamentar me socialistët shqiptarë. Patëm një shkëmbim intensiv mendimesh mbi hapat që do të ndërmarrim për të zhvilluar më tej këtë marrëdhënie. Kolegët e grupit tonë do të shkojnë në Shqipëri në javët që vijnë. Mbeta i kënaqur nga takimi me Edin. Kishim kohë pa u takuar, me duket se herën e fundit jemi takuar në Strasburg, e tani në Bruksel, e këto janë dy vendet e politikës europiane, meqë Shqipëria po i afrohet Europës”.

Ndërkohë, Kryetari i PS-së Edi Rama tha se gjeti mbështetjen e kolegëve europianë për reformat dypalëshe të nisura.

“Siç e tha edhe Martin Schultz diskutimi kishte të bënte me mbështetjen, që ne kërkuam nga Parlamenti Europian, nga grupi parlamentar socialist për reformën parlamentare, për procesin e reformave dhe domosdoshmërish për monitorimin nga afër të Europës dhe Parlamentit Europian të këtij procesi reformash, që nuk duhet të jetë thjesht në letër, por duhet të kthehet në një proces të implementuar, në mënyrë të atillë që çfarë ka ndodhur në të shkuarës mos të përsëritet në të ardhmen”, nënvizoi Rama.

Zhvillimet e fundit politike në vend ishin edhe në fokus të bisedës me sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala, i cili theksoi fort vendosmërinë për të qenë në krah të Partisë Socialiste në axhendën e saj, bëhet me dije në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit e PS-së mbi takimet e kryesocialistit Rama në Bruksel.

“Mendoj se rruga më e mirë për Shqipërinë është ajo e reformave, në mënyrë që t'u garantohet shqiptarëve se jetojnë në një demokraci të vërtetë sot dhe se kanë mandatin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj ne jemi të angazhuar dhe e mbështesim axhendën e Partisë Socialiste, mbështesim pozicionin e tyre për negociata efikase që do të sjellin rezultate. Ne i besojmë dhe kemi arsye për të besuar në Partinë Socialiste të Shqipërisë. E dimë që ajo dhe Edi Rama janë angazhuar për të çuar përpara këtë axhendë për ndryshimet dhe reformën zgjedhore, e cila mbetet kyçe, themelore për Shqipërinë. Ajo që kemi parë në të kaluarën, nuk mund të përsëritet më. Tani dua të shoh nëse të tjerët janë të angazhuar vërtetë për një gjë të tillë. Mendoj se është kyçe për Shqipërinë, për gjithë aktorët e saj politikë, për të gjitha institucionet e saj, që të ecet përpara me këtë axhendë, sepse siç e thashë, Europa nuk mund t'ia lejojë vetes, Shqipëria nuk mund t'ia lejojë vetes dhe janë shqiptarët ata që do të vuanin pasojat, nëse këta politikanë nuk janë në gjendje për të çuar përpara këtë axhendë ndryshimesh”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala.

mit/NOA

KOMENTE