English

Shpallen fituesit e Kampionatit Kombëtar të Mundjes

Tiranë, 26 nëntor 2011, NOA – Mes entuziazmit dhe rezultateve të nivelit të lartë, u zhvillua dhe përfundoi në Tiranë këtë të shtunë, Kampionati Kombëtar i Mundjes për të Rritur.

Gjatë ceremonisë së mbajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” deri në orët e pasdites u shpallën edhe fituesit.

Në mundjen Greko-Romake apo mundjen klasike titullin e meritoi “Partizani”, ndërsa në mundjen Stil i Lirë, përsëri kokëlartë doli “Teuta”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Luftë të fortë treguan mundësit e “Tiranës” dhe të “Tomorit”, ndërkohë që si klub, ai “Teuta” zuri 6 vende të para nga 7 gjithsej në mundjen Stil i Lirë.

E reja e këtij kampionati ishte pjesëmarrja e ekipit të “Tomorit”, i cili nuk ka qenë më parë, e po kështu edhe bashkimi i klubit “Tirana” me Federatën Shqiptare të Mundjes.

Në kampionatin që mbylli veprimtaritë e kalendarit vjetor të Federatës Shqiptare të Mundjes, garuan 15 ekipe në 7 pesha nga 55 kilogramë deri në 120 kilogramë me maksimalisht 7 mundës për secilën kategori.

Drejtësia e ndarë nga 20 gjyqtarë nuk u vu në dyshim nga asnjeri prej mundësve, që shënonin moshën mesatare 23 vjeç.

14 medaljet u ndanë për 7 vendet e para në mundjen Greko-Romake dhe po 7 në mundjen Stil i Lirë.

Gjithashtu gjatë ceremonisë u ndanë katër kupa dhe u shpallën mundësit më të mirë për secilin stil.

Në mundjen Klasike morën pjesë 7 ekipe dhe më i miri mes tyre, doli “Partizani”.

Vendin e dytë e meritoi “Dinamo” dhe të tretin “Tomorri”.

Kampionët sipas peshave:

55 kg Eldi Tafa “Partizani”

60 kg Albi Kryekurti “Dinamo”

66 kg Dritan Therepeli “Tomorri”

74 kg Meraldo Ndoka “Besëlidhja”

84 kg Ergys Mirukaj “Partizani”

96 kg Klodian Koçi “Partizani”

120 kg Dorian Shehu “Partizani”

Në mundjen Greko-Romake, sportisti më i mirë u vlerësua Miraldo Ndoka i “Besëlidhjes”. Trajner i ekipit kampion “Partizani”: Ermir Hasa.

Në mundjen Stil i Lirë, u shpall kampione “Teuta”, e ndjekur nga “Tirana” në vendin e dytë dhe “Kamza” në vendin e tretë.

Kampionët sipas peshave:

55 kg Islam Islami “Teuta”

60 kg Emiljan Rapdishti “Teuta”

66 kg Sahit Prizreni “Teuta”

74 kg Elton Azuni “Teuta”

84 kg Klodian Ahmetaj “Teuta”

96 kg Egzon Shala “Teuta”

120 kg Fatjon Bare “Tirana”

Në mundjen Stil i Lirë, vlerësimin e më të mirit e meritoi Sahit Prizreni.

Trajneri i ekipit kampion “Teuta”: Fuhat Brahi.

Veprimtaria më e rëndësishme u zhvillua nën organizimin e Federatës Shqiptare të Mundjes dhe nën kujdesin e veçantë të presidentit Martin Biba, Sekretarit të Përgjitshshëm, Ndriçim Spahiu dhe Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Mundjes.

Në mënyrë simbolike gjatë ceremonialit të ndarjes së trofeve morën pjesë edhe mundës kampionë në vite.

mit/NOA

KOMENTE