English

“Shqipëria: para dhe pas”, një ekspozitë fotografike në Torino

Torino, 26 nëntor 2011, NOA - Gjatë ditë së dytë të qëndrimit në Torino, Presidenti i Republikës Bamir Topi mori pjesë edhe në përurimin e ekspozitës fotografike “Shqipëria: para dhe pas – vendi i tyre i parë nën këndvështrimin e të rinjve shqiptarë”, e organizuar nga Bashkia e Torinos dhe Qendra e Kulturore Shqiptare në Qendrën Ndërkulturore të qytetit.

Fotot e ekspozuara i përkisnin periudhës para ndryshimeve demokratike dhe pas tyre, të realizuara nga studentë shqiptarë, që ndjekin universitete të ndryshme të Italisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Fotografitë janë një përzgjedhje realiste dhe estetike, dhe përshkruajnë dy sisteme të ndryshme, para dhe pas vitit të madh të ndryshimeve.

Fotoja, që ndante të dyja epokat ishte e shkrepur në Qytetin Studenti në dhjetor 1990.

Në përfundim, të pranishmit ndoqën një homazh muzikor e letrar për nder të poetit të madh shqiptar, Migjenit, i cili u shua pikërisht në Torino.

Kreu i shtetit duke përgëzuar organizatorët u shpreh se “kjo foto-ekspozitë na kujton se si ishim, por na shërben edhe për të rikujtuar mikpritjen që ju keni gjetur këtu. Prandaj si qytetar, si politikan, si President i Republikës, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se si u hapën zemrat e italianëve duke ju krijuar ju mundësi që të ndërtoni jetën dhe të ardhmen. Brezi i ri, sidomos duhet të jetë i ndërgjegjshëm për sakrificat e prindërve, por edhe për perspektivën që do të zgjedhë qoftë duke jetuar, studiuar e punuar në Itali në të ardhmen, qoftë duke u kthyer në Shqipëri, por një gjë është e qartë: të gjithë do të jemi pjesëtarë në familjen e madhe evropiane”, nënvizoi Topi.

Në përurimin e foto-ekspozitës merrnin pjesë edhe Drejtuesi bashkiak për Kulturën, Promovimin dhe Turizmin, Mauricio Braçialarge, drejtues vendorë dhe personalitetet të artit e kulturës si dhe mjaft bashkatdhetarë.

Kryetari i Shtetit u takua dhe u përshëndet përzemërsisht edhe me Ministrin e ri të Arsimit të qeverisë italiane, Françesko Profumo, me Senatoren Ana Maria Serafini, me Rektorin e Universitetit Politeknik të Torinos, Ecio Peliceti dhe me të tjerë personalitete të botës politike, financiare dhe akademike.

E duke qenë se kjo foto-ekspozitë përkoi edhe me vigjiljen e Festës së Flamurit dhe Pavarësisë, Kryetari i Shtetit shqiptar i uroi të gjithëve Festën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë, të cilën po e feston sonte së bashku me bashkatdhetarët e shumtë të Rajonit të Piemontes dhe kryesisht të qytetit të Torinos.

mit/NOA

KOMENTE