Vatikan, 26 nëntor, NOA - Çdo ditë, janë 34 mijë vetë në mbarë botën, të cilët hyjnë në familjen e Kishës Katolike. Kjo statistikë është dhënë nga raporti vjetor “Statusi i Misionit Global”, realizuar për vitin 2011.
Sipas tij, sot në botë numërohen rreth 1 miliard e 160 milionë katolikë.
E megjithëkëtë, sipas këtij studimi, ka ende 2 miliard njerëz, mes rreth 7 miliard banorëve të globit, që nuk e kanë dëgjuar kurrë Ungjillin.
Ndërsa për 2 miliard e 680 milionë të tjerë, thuhet se e dëgjojnë herë pas here dhe e njohin në mënyrë të vagëlluar, edhe pse nuk janë të krishterë.
Ndërkaq, lidhur me numrin e protestantëve më botë, thuhet se ata arrijnë në 612.000.000 veta. Ndërsa norma e rritjes së tyre, është me 20.000 veta në ditë. Sa për kishat ortodokse, raporti i lartpërmendur citon se ato kanë një normë rritje prej 5 mijë besimtarësh në ditë, në mbarë botën.
E sa për kishën anglikane, raporti pohon se ajo është e përqendruar kryesisht në Afrikë dhe Azi, me shumën prej 87 milionë besimtarësh, me 3 mijë që i bashkohen asaj çdo ditë.
Në fund, “Statusi i Misionit Global” citon faktin se Dëshmitarët e Jehovait dhe mormonët, janë aktualisht në në kuotën prej 35 milionë besimtarësh në botë, me një normë rritje prej 2 mijë besimtarësh në ditë. Ndër të tjera, thuhet edhe se në vitin 2011, të krishterët e të gjitha fraksioneve janë të organizuar në 4800 organizata të ndryshme misionare në mbarë botën.
n.e/NOA