English

Stringa: Rritjen ekonomike po e gllabëron borxhi i lartë

Tiranë, 27 nëntor 2011, NOA - Parlamenti në Tiranë miratoi parimisht në orët e para të të shtunës projekt-buxhetin e shtetit 2012, megjithë kundërshtimet e deputetëve të opozitës. Javën tjetër nis diskutimi nen për nen i projekt-buxhetit me detaje konkrete. Qeveria thotë se ky është një buxhet ambicioz në investime dhe rritje të pagave e të pensioneve. Por opozita thotë se ky projekt-buxhet nuk e ndihmon ekonominë e vendit, dhe nuk e zbut varfërinë e shtresave në nevojë.

Por çfarë mendojnë ekspertët e ekonomisë? Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, profesor Omer Stringa, në një intervistë për Zërin e Amerikës, seksioni shqip, thotë se projekt-buxheti është një dokument realist, që për herë të parë synon të përballet me krizën ekonomike rajonale. Por, zoti Stringa thotë se një kujdes më i madh i duhet kushtuar uljes së borxhit publik, sa kohë që rritja ekonomike është e pamjaftueshme.

Cili është vlerësimi juaj i parë për projekt-buxhetin e 2012?

Mund të them se ky projekt-buxhet është nga projekt-buxhetet më me këmbë në tokë të gjithë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike. Pavarësisht se nuk është shumë optimist, por është realist dhe në vetvete ka edhe pak optimizëm, që i shërben ekonomisë. Ky është buxheti i parë, i cili gjykon që kriza është në prag. Edhe kriza botërore ka ndikuar në mënyrë të pamohueshme në buxhetin tonë. Nëse ky buxhet realizohet ashtu si është, nëse investimet bëhen me eficiencë të plotë, do ta lejojë Shqipërinë të eci përpara, jo me ritme si pretendohet 4-5 për qind, por është e mjaftueshme edhe 2-3 për qind në kushtet kur gjithë rajoni është në krizë, dhe kur dy vendet fqinjë, Italia dhe Greqia, me të cilat kemi marrëdhënie të ngushta janë në krizë totale. Masat tona antikrizë nuk i shërbejnë zhvillimit të marrëdhënieve me vendet fqinje.

Cilat do të ishin disa nga sugjerimet tuaja teknike, për të përmirësuar këtë projekt-buxhet?

Në radhë të parë, ky projekt-buxhet duhet të merrte në konsideratë borxhin. Me rritjen ekonomike të Shqipërisë 4-5 për qind, borxhi asnjëherë nuk duhet ta kalojë 60 për qindshin. Kapërcimi i këtij niveli piku do të thotë që vetë rritja që krijon ekonomia shqiptare shkon për shlyerjen e borxhit. Pra, vendi qëndron në nivel konstant. Rritjen e borxhit dhe kalimin e nivelit 60 për qind, si ka thënë ministri i financave, unë e quaj një veprim shqetësues. Borxhi mblidhet pak nga pak dhe e keqja merret vesh më vonë. Sot Greqia për të rregulluar financat e saj ka bërë një tërheqje 12 vjet prapa. Pra, sot popullsia greke, sipas të gjithë reformave që i kërkohen dhe duhen bërë, është në nivelin e 12 vjetëve para. Të ardhurat dhe shpenzimet e tyre e tyre janë ato të vitit 1999. Borxhi është diçka që të gëzon kur e merr, por ajo më pas na bie në kurriz neve ose fëmijëve tanë.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë konkretisht qeveria për të trajtuar më mirë borxhin, ose për ta ulur atë?

Së pari, shpenzimet qeveritare duhet të jenë shumë shumë të kursyera. E dyta, rritja e pagave dhe pensioneve në kurriz të borxheve asnjëherë nuk është e rekomandueshme. Por shpesh politika dominon mbi ekonominë dhe ky është një fakt. Nuk duhet harruar që Shqipëria vjen në 2012 pas një viti elektoral. Kam bërë një studim dhe ka dalë se vitet elektorale janë vitet më të këqija buxhetore. Viti 2012 ka pasojat ekonomike edhe të vitit elektoral 2011 edhe të krizës ekonomike rajonale. Prandaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm për të ndjekur edhe këshillat e Bankës Botërore dhe të FMN-së. Ditën që kalojmë 60 për qindshin çfarëdolloj rritje ekonomike 3-4 për qind shkon si kosto e borxhit, madje është shumë më pak.

Ne kemi një kosto të madhe borxhi. Ne jemi si një sipërmarrje që çka krijon e harxhon aty aty për borxhin. Shqipëria duhet të marrë borxhe afatgjatë. Por sot në tregjet financiare të marrësh borxhe afatgjatë besoj se ka norma shumë të larta interesi. Shqipëria mund të gjejë borxhe, por jo më poshtë se interesi 7-8 për qind. Ja një llogari e thjeshtë; një rritje ekonomike 7-8 për qind përballë një borxhi mbi 60 për qind, del se mbi 4 për qind e rritjes shkon direkt për shlyerjen e borxhit. Jemi në një situatë delikate që patjetër borxhi duhet të bjerë poshtë 60 për qindshit, dhe çdo tentativë për ta rritur, bashkë me të rrit mjaft edhe rrezikun për ekonominë. Nuk e di çfarë llogarish bën ministria e financave, por unë pranoj t’i qëndroj besnik fjalës “rritje e qëndrueshme”, që do të thotë “të rritemi pa rrezikuar të ardhmen”. Ne mund të rritemi sot dhe të deklarojmë zhvillim, por nëse borxhin nuk e menaxhojmë mirë, atëherë do të detyrohemi të bëjmë tërheqje prapa, si ka bërë Greqia me 12 vjet dhe Italia me 4-5 vjet prapa minimumi.

Po ekonomia reale, kreditimi, investimi, portofoli familjar, biznesi i vogël, si janë aktualisht dhe si mund të fitojnë ato siguri më të madhe?

Është fakt i pamohueshëm që në Shqipëri ka dominuar politika në çështjet ekonomike. Politika thotë se ne rritemi në ekonomi më shumë se sa paraardhësit. Por asnjëherë nuk mbajmë parasysh garën që kemi me kohën. Shqiptarët kanë humbur shumë kohë. Betejën e vërtetë shqiptarët e kanë me kohën, pra, për të fituar kohën e humbur. Një qeveri e ka bërë punën mirë nëse siguron një rritje ekonomike vjetore mbi 7-8 për qind. Kam bërë një studim dhe ka dalë se vetëm rritjet ekonomike vjetore mbi 7-8 për qind do t’i sigurojnë Shqipërisë vendin e fundit në Komunitetin Europian në vitin 2020. Pra, çdo deklaratë se jemi mirë me rritje 3-4 për qind, apo se jemi më mirë se paraardhësit nuk vlen, sepse nuk jemi mirë me shqiptarët dhe ambicjet për ta çuar vendin përpara.

Ky buxhet duhet të jetë buxheti i parë ku ne duhet të merremi seriozisht me borxhin. Kjo është këshilla ime themelore. Deri tani kemi bërë lojëra fjalësh; borxhi nuk ka problem, edhe mund ta shtojmë etj. Por me borxhin një herë po të rrëshqiti pak këmba, edhe një rrëshqitje e vogël të çon me vite të tëra prapa. Mendoj se qeveria duhet t’i rikthehet edhe një herë tjetër këtij buxheti, ta rikonsiderojë borxhin dhe ta marrë me një seriozitet shumë të madh. Duhet të marrim përvojë nga pësimet e vendeve fqinjë. Dëgjoj edhe disa që thonë se kriza greke dhe ajo italiane ka pasoja pozitive për Shqipërinë. Absolutisht jo. Nuk është e vërtetë. Kur komshijtë janë keq, sidomos komshij me peshë, i gjithë pallati është keq, aq më shumë komshiu i katit. Asnjë e mirë nuk vjen nga vuajtjet e fqinjëve. Kush shkon me këtë mendje, besoj që gabon. Qofsha unë i gabuar!

a.q/NOA/VOA

KOMENTE
  • jamshqiptar@..09:59 - 27 Nëntor 2011
    shume sakte eshte nje nga gjerat me themeltare rishikimi ....dhe kontrollimi i borxhit...jo cuba me para borxhe...