Prishtinë, 27 nëntor 2011, NOA – Një vajzë e mitur kosovare është nxjerrë nga skllavëria e prostituimit ku e mbanin mbërthyer disa persona, katër prej të cilëve kanë rënë në prangat e policisë së Kosovës, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.
Nën akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore për prostitucion, Policia e Kosovës finalizoi një operacion policor të koduar “Lulishtja 2” arriti të arrestojë katër prej trafikantëve, të gjithë nga Kosova, duke identifikuar edhe një viktimë prostitucioni, një vajzë të mitur kosovare.
Fillimisht operacioni nisi nën kodin “Person i zhdukur”, për shkak të padisë së prindit të viktimës në Stacionin Policor të Obiliqit, por më pas ajo rezultoi të ishte trafikim i qenieve njerëzore.
Gjatë hetimeve policia gjeti dëshmi dhe elemente të veprës penale të trafikimit e brenda një kohe të shkurtër arriti të gjejë edhe viktimën, vajzën e mitur e cila mbahej në kushte skllvërimi dhe detyrohej të prostituonte në disa lokale të ndryshme në rajonin e Prishtinës, përkatësisht në komunën e Drenasit.
Policia informon se tashmë viktima është strehuar dhe aktualisht po trajtohet sipas Procedurave kombëtare për Viktimat e Trafikimit.
Personat e arrestuar janë:
SH. Q. dl. 17.05.1985 mashkull - shtetas kosovar
R. GJ. dl. 01.08.1986 mashkull - shtetas kosovar
I. M. dl. 19.04.1992 mashkull - shtetas kosovar
F. G. dl. 01.02.1983 mashkull - shtetas kosovar
Katër të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë (30) ditësh.
Ndërkohë mësohet se ky është operacioni i tretë i suksesshëm i policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Gjatë këtyre operacioneve deri më tani janë arrestuar dymbëdhjetë persona dhe janë identifikuar dy viktima të trafikimit.
mit/NOA