Prishtinë, 27 nëntor 2011, NOA- Vetëm pak orë para ditës së Flamurit, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka uruar gjithë shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, etj, për ditën e Pavarësisë, ditën e krijimit të shtetit shqiptar. Agjencia e lajmeve NOA.al jep të plotë mesazhin e urimit të Presidentes Jahjaga:
Urimi i plotë:
Uroj të gjithë kombin shqiptar që këtë Ditë të rëndësishme të historisë sonë ta kalojë në festë, i lirë, i dinjitetshëm, i barabartë me të gjitha kombet e tjera të botës.
Dëshiroj që të gjithë shqiptarët Ditën e Flamurit ta kalojnë së bashku me familjet, me të afërmit, me miqtë dhe me më të dashurit e vet duke kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, duke kujtuar e nderuar dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe të kombit.
Në këtë Ditë që simbolizon identitetin dhe krenarinë tonë kombëtare të mendojmë se si t’i ndihmojmë atdheut me punën tonë të përditshme, duke ndërtuar marrëdhëniet e përgjithshme dhe duke vepruar për të ardhmen tonë më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Kombi shqiptar është një popull që dha kontribut në historinë e njerëzimit, është një popull që i përket civilizimit evropian, është një popull që çdo herë gjatë historisë ishte në anën e përparimit dhe të forcave progresive.
E ardhmja jonë është integrimi në BE, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO dhe në OKB.
Këtë e realizojmë duke punuar dhe duke u përpjekur të gjithë së bashku, duke nxjerrë në pah vlerat dhe cilësitë tona më të mira që i kemi, duke punuar së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në dhe shtetet e BE-së, duke dhënë kështu kontributin tonë, modest por domethënës, arsimit, shkencës, ekonomisë dhe mbarë kulturës dhe civilizimit njerëzor, duke qenë faktor mirëkuptimi, përparimi, paqeje dhe stabiliteti.
a.y/NOA