English

99-vjetori i Pavarësisë, Kurti-Rama: Shqiptarët të ndarë e të dobët politikisht

Prishtinë, 28 nëntor 2011, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama dhe delegacioni, që e shoqëron kanë vizituar në Ditën e Pavarësisë edhe selinë e Lëvizjes “Vetëvendosja”, ku u prit nga udhëheqësi i saj, Albin Kurti, informon agjencia e lajmeve NOA.al.

Ky ishte takimi i parë zyrtar i dy subjekteve politike nga Kosova dhe Shqipëria, bën me dije Lëvizja “Vetëvendosja”, në këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar.

Gjatë takimit, dy liderët shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale politike dhe ekonomike në të dyja vendet, me fokus të veçantë në gjendjen ekonomike, politike të kombit shqiptar kah zhvillimeve të fundit në rajon si dhe në Bashkimin Evropian.

Të dy delegacionet u pajtuan se në 99-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët mbeten të ndarë, pa zhvillim ekonomik, dhe shumë të dobët politikisht dhe të rrezikuar nga të gjitha anët.

Gjithashtu dy delegacionet shpalosën pjesë nga programet e tyre, që forcojnë bashkëpunimin mes shqiptarëve anekënd trojeve shqipfolëse.

Kreu i PS-së Edi Rama prezantoi pjesë nga programi i ri i Partisë Socialiste që flet për integrimin arsimor të shqiptarëve, duke inkurajuar, që shqiptarët në të gjitha trojet, të mësojnë me libra të njëjtë, për të cilat është bërë pak në vitet e fundit.

Në prononcimin për mediat, kryesocialisti Rama i uroi të gjithë shqiptarëve Festën e Flamurit dhe Pavarësisë, ndërsa e cilësoi Lëvizjen “Vetëvendosja” si një pasuri kombëtare.

Duke folur integrimin arsimor të shqiptarëve, pjesë e programit politik të PS-së, zoti Rama tha se “integrimi arsimor është një domosdoshmëri. Shqiptarët në vitin 2011 ende janë tek unifikimi i abetares, e nuk mund të presin edhe një mijë vjet, që të bëhet integrimi i plotë arsimor”.

Nga ana e tij, kreu i Lëvizjes “Vetëvendosja” Albin Kurti theksoi se kombi është gjuhë, është kulturë, por është edhe politikë kombëtare dhe ekonomi kombëtare.

“Integrimet e jashtme evropiane dhe botërore janë shumë të mirëseardhura dhe të domosdoshme për shqiptarët, mirëpo nuk zëvendësojnë dot integrimet e brendshme”, u shpreh Kurti.

Lideri i “Vetëvendosjes” theksoi në këtë mes rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, prodhimit vendor shqiptar për të ardhmen e kombit shqiptar.

Të dy delegacionet u pajtuan, që në të ardhmen të takohen prapë për të diskutuar çështjet e ngritura në takim, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e subjekteve politike shqiptare në të gjitha anët si domosdoshmëri në përmirësimin dhe forcimin e kombit shqiptar.

Pas mbylljes së takimit, Rama në impresionet e tij shkruan se “Selia e Lëvizjes “Vetëvendosja” është një hapësirë plot energji dhe imazhe tërheqëse. Biseda me Albin Kurtin një kënaqësi intelektuale”, thekson Rama në “Twitter”.

Më pas shefi i opozitës u takua edhe me krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në faqen e tij personale në “Twitter” lideri i PS-së Edi Rama bën me dije se në selinë e LDK-së diskutuan për cilësinë e procesit zgjedhor.

“Miqtë e LDK-së vlerësojnë të dështuara listat e hapura dhe jetik numërimin elektronik”, shkruan Edi Rama në faqen e tij në internet.

mit/NOA

KOMENTE