English

99 vjetori i Pavarësisë, në prag të aktiviteteve Tirana vishet kuq e zi

Tiranë, 27 nëntor 2011, NOA- Dita e nesërme e cila shënon 99 vjetorin e Pavarësisë i ka mbushur rrugët e kryeqytetit dhe dritaret nëpër banesat e qytetarëve me flamuj kuq e zi.

Aktivitete të shumta si nga Bashkia dhe nga institucione të tjera në vend janë parashikuar të mbahen, ku do të përshëndesin që nga drejtuesit më të lartë të vendit dhe subjekte të tjera politike, por kryesocialisti Edi Rama këtë vit feston ndryshe, jo në Shqipëri por pranë bashkëkombasve tanë shqiptarë, në Kosovë ku dhe ndodhet prej dy ditësh.

Pas zbukurimit disa ditë më parë të bulevardit kryesor të Tiranës me flamuj kuq e zi, që sollën atmosferën e përvjetorit të 99-të të Ditës Kombëtare të Pavarësisë në kryeqytet, qysh një javë para, 28-nëntori i këtij viti do ta shndërrojë Tiranën në një arenë festive dhe argëtimi, ashtu siç do t’i kishte hije një kryeqyteti europian. Një mori aktivitetesh janë programuar nga Bashkia e Tiranës, e që do të gëzojnë shijet e grupmoshave të ndryshme të qytetarëve të Tiranës, në 99-vjetorin e Pavarësisë. Panaire, shfaqje artistike, valle kombëtare e lojë instrumentale, premiera cirku e aktrim buzë rrugëve kryesore, do të jenë disa nga argëtimet e festës së Flamurit, e cila këtë vit do të sjellë përmes aktorëve edhe disa prej eksponentëve kyç të deklaratës së Pavarësisë. Bashkia e Tiranës ka bërë gati një program të detajuar për festën duke ftuar të gjithë shqiptarët të festojnë bashkë në Tiranë, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë. “Dita në Tiranë do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta ku të gjithë mund të gjejnë atë që duan”, tha zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha, duke bërë me dije hap pas hapi edhe aktivitetet e nesërme, që do të startojnë që në mëngjes. Ja cilat janë aktivitetet për 99-vjetorin e Pavarësisë: Në rrugën pedonale “Murat Toptani”, do të çelet panairi “Blej Shqip”, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare, ndërkohë që Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave përgjatë kësaj rruge, e vetmja ku njerëzit mund të shëtisin në këmbë pa patur frikën se ndonjë makinë mund të prishë qetësinë e tyre. Fëmijët do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve për 28 Nëntorin. Në parkun Rinia, trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri Metropol, do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë etj. Në bashkëpunim me Liceun Artistik, do të organizohet një ekspozim pikture interaktive, me temë: “Shqipëria ime”. Aktiviteti do të shoqërohet nga Kori i Fëmijëve të liceut dhe instrumentistët e Kameratës së Tiranës. Për herë të parë vijnë në mënyrë origjinale protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, do të interpretojnë Ismail Qemalin, Murat Toptanin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Marigonë, etj. Kushdo që ka dëshirë të ketë një foto me këto personazhe, mund ta realizojë në këndin e fotografisë para galerisë së arteve. Tek Galeria Kombëtare e Arteve do të shfaqet me aparaturë tradicionale, jo dixhitale, në ambient të hapur, filmi “Nëntori i dytë”. Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë.

NOA

KOMENTE