English

Basha: Tirana, vendi i duhur për të festuar

Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA – Tirana e zbukuruar prej ditësh me ngjyrat kuq e zi, u shndërrua sot në qendrën më të madhe festive të ditëlindjes së 99-të të Pavarësisë.

Aktivitetet e larmishme të shpërndara nëpër bulevardin kryesor të Tiranës dhe sheshet më të frekuentuara të kryeqytetit, ishin një ftesë e hapur për pjesëmarrjen e të gjitha grupmoshave.

Rruga e vetme për këmbësorë në kryeqytet, ajo që mban emrin e firmëtarit të Pavarësisë “Murat Toptani”, u kthye në një panair të vërtetë ku u tregtuan prodhime shqiptare.

Mes blerësve të shumtë në panairin “Blej Shqip” dhe qytetarëve kureshtarë në festimet për Pavarësinë të organizuara nga Bashkia e Tiranës, mori pjesë edhe kryebashkiaku Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela dhe vajza e madhe, Dafina.

Fillimisht çifti Basha me të bijën u ndalën në panairin “Blej Shqip”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten e tij, Liri Berisha.

Ata panë nga afër panairin me mallrat shqiptare dhe tradicionale të ekspozuara bukur përgjatë tërë rrugës “Murat Toptani”.

Mandej kreu i Bashkisë duke vijuar itinerarin festiv me familjen e tij u zhvendosën në bulevard dhe në Parkun Rinia, ku ndoqën bashkë me dhjetëra vogëlushë premierën “Thesaret e Cirkut”, shfaqjen për fëmijë “Maçoku me Çizme”, ndërsa vizituan edhe ekspozitën e pikturave me temë: “Shqipëria ime”.

Më pas, Kryebashkiaku vizitoi edhe stendën e fotografisë ku bëri foto me firmëtarët e deklaratës së Pavarësisë, të interpretuar nga aktorët e Teatrit të Metropolit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës duke shëtitur nëpër bulevardin e zbukuruar me flamuj kombëtarë u përshëndet me qindra qytetarë që festonin, duke i uruar ata 99-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare.

Kryebashkiaku Basha në mesazhin e tij uroi që shqiptarët ta kenë zgjedhur Tiranën për të festuar festën e Pavarësisë.

Madje, ai i ftoi të gjithë qytetarët e kryeqytetit të sjellin fëmijët e tyre për t’iu bashkuar aktiviteteve shumëngjyrëshe, të organizuara enkas për këtë ditë të shënuar në kalendarin e kombit.

“Shpresoj, që qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët që sot kanë zgjedhur Tiranën për 28 Nëntorin, festën tonë kombëtare, të gjejnë në qytet atë që kërkojnë. Nëse kanë fëmijë të vegjël, shpresoj të jenë kënaqur me shfaqjet e ndryshme të Cirkut apo të Teatrit; ata që kanë interes për historinë, sot kanë pasur mundësinë të fotografohen bashkë me personazhet kryesore të Aktit të Pavarësisë, të performuar nga artistët e Teatrit “Metropol” dhe Teatrit Kombëtar.

Të gjithë ata që kanë në zemër kuzhinën e produktet shqiptare, prodhimet e dorës, mund t’i kenë gjetur ato apo mund të vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes në Panairin “Blej Shqip”, tek rruga pedonale “Murat Toptani”, ndërkohë që fëmijët dhe të rinjtë e kryeqytetit janë angazhuar në një ekspozitë interaktive të pikturës, ku pikturojnë jo vetëm me telajo, mbi tablo të ndryshme të qytetit, por edhe në faqet e njeri-tjetrit, simbolin kombëtar dhe të tjerë artistë të vegjël të Liceut Artistik po performojnë këngë të repertorit tonë folkloristik, të orkestruara nga orkestra e Liceut Artistik. Bashkia e Tiranës ka organizuar për të gjithë të rinjtë e kryeqytetit dhe të gjithë të rinjtë shqiptarë, por jo vetëm të rinjtë që kanë zgjedhur Tiranën si destinacionin e tyre për 28 Nëntorin, një koncert me këngëtarët më të mirë dhe repertorin më të zgjedhur të muzikës së lehtë, të muzikës rrok dhe pop shqiptare por edhe të muzikës popullore shqiptare në shesin ‘Nënë Tereza”, në orën 18.00 deri në 20.30. Mos mungoni në këtë mundësi”, tha kryebashkiaku ndërsa pa nga afër panairin në rrugën “Murat Toptani”.

Dhe në fund urimi i tij ishte “Gëzuar festat! Gëzuar 28 Nëntorin dhe bëfshi sa më shumë qejf në Tiranë! Është vendi i duhur për të kënduar, për t’u argëtuar e festuar sëbashku”, uroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Më herët kryebashkiaku bëri homazhe pranë bustit të Adem Jasharit në Tiranë, ku premtoi se vitin e ardshëm në 100-vjetorin e Pavarësisë në vendin ku ndodhet busti do të ngrihet përmendorja në nderim të veprës së Adem Jasharit, e cila do të jetë vepër e skulptorit Mumtaz Dhrami.

I shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Kosovës në vendin tonë, Basha vendosi kurorë me lule pranë bustit të komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, në një ditë që përkon edhe me ditëlindjen e heroit të Kosovës.

“Është dita e lindjes së Adem Jasharit, por edhe dita e rilindjes së tij dhe gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan në altarin e sakrificës për lirinë e kombit, pavarësinë e tij dhe për të drejtat e qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë. 28 nëntori është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është dita e Flamurit Kombëtar, por ka një domethënie shumë të madhe. Në historinë tonë, njihet si dita e ngritjes së flamurit në Krujë nga heroi ynë Gjergj Kastriot Skënderbeu, por është edhe dita e lindjes së heroit së luftës së Kosovës, Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Këtu ku ndodhet busti i Adem Jasharit, vitin tjetër ne do të vendosim përmendoren e Adem Jasharit, për të cilën puna ka filluar nga skulptori i Popullit, Muntaz Dhrami”, deklaroi kryebashkiaku Basha.

Ndërkohë festimet për 99-vjetorin e Pavarësisë do të mbyllen me një koncert me këngëtarët më të mirë shqiptarë në sheshin “Nënë Tereza”, që pritet të nisë në orën 18.00.

Më pas do të jenë fishekzjarret shumëngjyrësh, ata që do të shndrijnë magjinë e një feste kuq e zi, që i riktheu krenarinë festive kryeqytetit shqiptar, Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE