English

Ekspeditë për të studiuar shtresën e akullit në Antarktidë

Antraktidë, 28 nëntor, 2011, NOA - Një ekip ndërkombëtar shkencor do të shkojë në Antarktidë brenda pak javësh për të studiuar shtresën e akullt të kontinentit që po shkrin me shpejtësi. Ata do të ngrenë një kamp fushimi mbi një shtresë akulli, rreth 2200 kilometra larg fqinjit më të afërt, Stacionit Kërkimor Amerikan McMurdo. Korrespondentja Rosanne Skirble njofton se zbulimet e tyre do të ndihmojnë për të bërë parashikime më të sakta për shkrirjen e madhe në Antarktidë, si rezultat i ngrohjes globale që do të rrisë ndjeshëm nivelin e detit gjatë shekullit të ardhshëm:

Ekspedita përqendrohet tek akullnaja Pine Island, një masë akulli me sipërfaqe 2300 kilometra katrorë dhe thellësi 500 metra. Shkrirja e akullit në këtë zonë të Anktarktidës është përgjegjëse për rritje prej 7 për qind të nivelit të detit të regjistruar gjatë viteve të fundit, thotë specialisti i akullnajave pranë NASA-s dhe drejtuesi i ekipit Rober Bindschadler:

“Në këtë pikë Antarktida po shkrin duke shkaktuar ngritjen e nivelit të detit. Prandaj duhet të shkojmë aty. Kemi identifikuar në veçanti akullnajën Pine Island pasi është akullnaja që po lëviz më shpejt. Po ashtu kjo është akullnaja që po shkrin më shpejt në pjesën e poshtme që shtrihet në oqean. Parashikojmë ritme shkrirjeje në disa vende, prej 100 metrash në vit, që janë në fakt ritme tepër, tepër të larta”.

Ekspedita ka për synim të zbulojë se çfarë po ndodh në atë zonë. Zoti Bindschadler thotë se shkrirja shkaktohet nga reaksioni i ndërsjelltë mes erës, ujit dhe akullit, kur ka çlirim nxehtësie që del nga një boshllëk nën shtresën e akullit. Ekipi do të përpiqet të zbulojë çfarë tiparesh ka kjo zgavër:

“Nuk dimë hollësi. Pikërisht këtë do të zbulojmë përmes matjeve”.

Satelitët ofrojnë hartën e akullnajës dhe identifikojmë drejtimin që ndjek ajo në lëvizje, por nuk mund të masin çfarë ndodh nën shtresën e akullt. Për të grumbulluar të dhëna për qarkullimin e ujit, rrymat dhe ndryshimet e akullit nën ujë, ekipi duhet të shpojë një vrimë në akull. Oqeanografi Timothy Stanton thotë se duke pasur parasysh kushtet ekstreme në Antarktidë, shpimi bëhet me mjete të thjeshta teknike:

“Ky sistem shpon një vrimë me diameter prej 27 centimetrash në këtë shtresë akulli me trashësi 500 metrash. Shpimi realizohet duke përdorur ujë të ngrohtë. Është një proces shumë primitiv, që kërkon shumë mund, por ky është procesi që rezulton në shpimin e kësaj shtrese të thellë akulli”.

Pasi përfundon shpimi, shkencëtarët do të zbresin një kamera përmes vrimës deri në zonën ujore, nën shtresën e akullit. Zoti Stanton thotë se ekipi do të përdorë edhe një pajisje që lëviz lart e poshtë nëpër vrimën mes akullit për të matur temperaturën, nivelin e kripës dhe lëvizjen e rrymave nën shtresën e akullit deri në tabanin e detit.

“Më pas, duke përdorur ndjesorë me precision të lartë mund të llogarisim ritmet e shkrirjes të shtresës së akullit. Është ngritur hipoteza se kjo ngrohje ndryshon forcën e shtresës së akullit dhe është shumë e rëndësishme për të parashikuar modelin e ndryshimeve të kësaj shtrese me kalimin e kohës”.

Do të hapet një vrimë e dytë dhe përmes saj do të dërgohet një instrument i ngjashëm që do të vendoset në pjesën e poshtme të akullit. Ekipi do të përpiqet të identifikojë formën e zgavrës oqeanike me pajisje zanore. Ata kanë në plan të aktivizojnë shpërthime të vogla dhe të godasin akullin me vare, për të ndjekur lëvizjen e valëve zanore përmes akullit.

Kampi në akullnajën Pine Island do të ushqehet me energjinë që prodhojnë gjeneratorët me erë, diell dhe një sistem baterish që zoti Stanton thotë se do të mundësojnë komunikimin me Departamentit Pasuniversitar të Marinës në San Diego:

“Në këtë mënyrë, çdo ditë mund të ndryshojmë strategjinë e marrjes së mostrave”.

Studimi i Akullnajës Pine Island financohet nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës dhe NASA. Oqeanografi Timothi Stanton thotë se zbulimet mund të ndihmojnë për të përmirësuar saktësinë e modeleve që parashikojnë shkrirjen e akullit dhe rritjen e nivelit të detit në pjesët e planetit që po përjetojnë ndryshime të shpejta klimatike.

NOA/VOA

KOMENTE