Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA – “Le të jetë ky vit një vit reflektimi, bashkimi dhe bashkërendimi i forcave dhe potencialeve tona mendore e fizike, për t’a përgatitur Kombin drejt një shekulli të ri pavarësie”, shkruan në mesazhin e tij drejtuar shoqatës “Vatra” në Nju Jork, i biri i trashëgimtarit të fronit mbretëror shqiptar, dhe nipi i mbretit Zog, Leka II.
Leka II ishte i pamundur për t’iu bashkuar festës në Nju Jork, ku do të ishte i ftuari i nderit nga shoqata “Vatra”, për shkak se i ati i tij, i biri i mbretit Ahmet Zog dhe mbretëreshës Geraldinë, Leka I, gjendet prej disa ditësh i shtruar në gjendje kritike për jetën në Reanimacionin e spitalit Neurokirurgjik në Tiranë.
“Këtë 28 nëntor, Kombi ynë nis festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ndonëse të pjesshme”, shkruan i biri i trashëgimtarit të fronit mbretëror shqiptar, Leka II, në mesazhin e urimit të dërguar për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, shoqatës “Vatra” në Nju Jork.
Duke folur në emër të Familjes Mbretërore Shqiptare, i biri i trashëgimtarit të fronit mbretëror shqiptar uron me këto fjalë përvjetorin e 99-të të Pavarësisë:
“Me ketë rast i bëjmë një apel vëllazëror të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, që për hir të Atdheut dhe Kombit, të harrojnë gjërat që i ndajnë dhe të përqendrohemi me të gjitha forcat dhe energjitë tona në gjërat që na bashkojnë. Të gjithë së bashku le të punojmë për një të ardhme të ndritur për të gjithë shqiptarët, për popullin tonë të shumëvuajtur dhe për Kombin tonë të lavdishëm”, shkruan Leka II.
Ai shpreh keqardhjen për mospraninë e tij në festimet në Nju Jork, duke nënvizuar se “Me keqardhje, meqenëse gjendja shëndetësore e N.M.T. Mbretit Leka I u përkeqësua ditët e fundit, na u desh që t'a shtyjmë vizitën tonë në SHBA. Përndryshe, sot do të ishim në mesin tuaj. Dëshira jonë mbetet e madhe dhe e pandryshuar, që në një të ardhme të afërt të jemi pranë jush”, nënvizon i biri i trashëgimtarit të fronit mbretëror shqiptar, duke theksuar se të gjithë duhet të punojnë vetëm në interes të popullit dhe kombit shqiptar.
Mesazhi i tij mbyllet me fjalët Rroftë Kombi Shqiptar! Rroftë Bashkimi Kombëtar!”, një ideal i palëkundur për Familjen Mbretërore Shqiptare dhe pasardhësit e mbretit Ahmet Zog.
mit/NOA