Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA – Nën një atmosferë festive me muzikë e valle çame pranë Urës së Vogël mbi lumin Lanë, nën ngjyrat kombëtare Kuq e Zi, kryetari i partisë për mbrojtjen e të drejtave të çamëve, PDIU, Shpëtim Idrizi kërkoi ngritjen në Tiranë të një panteoni për të gjithë rilindësit.
Duke folur mes mijëra kalimtarëve, që u bashkuan për të festuar së bashku me PDIU-në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Idrizi përsëriti thirrjen që në çdo shtëpi të valëvitet flamuri shqiptar përgjatë tërë vitit të 100-ë të Pavarësisë.
“PDIU për katër vite rresht ka organizuar thirrjen e madhe, që çdo shtëpi shqiptare të ketë një flamur. Sot gjithë Shqipëria, Kosova, Çamëria janë veshur kuq e Zi. Unë bëj thirrje që gjatë gjithë vitit deri në përvjetorin e 100 të pavarësisë të valëvitet flamuri kuq e zi pa rreshtur në çdo shtëpi shqiptari”, deklaroi kreu i PDIU-së.
Ai theksoi nevojën që në qendër të Tiranës të ngrihet një panteon për të respektuar rilindësit tanë.
“Nuk mund të kemi vëllezërit Frashëri nga liqeni, Skënderbeun në Lezhë, Ismail Qemalin në Vlorë. Sot është një ditë ku duhet të vlerësojmë dhe të nderojmë ata burra dhe gra, që e bënë Shqipërinë të lirë siç është sot. Unë i bëj thirrje forcave politike dhe qeverisë shqiptare të ngrejë memorialin e të gjithë shqiptarëve, të mos lejojmë, që rilindasit të jenë të shpërndarë. Në zemër të Tiranës të qëndrojë panteoni i shqiptarëve dhe ne të respektojmë të gjithë shqiptarët. Prandaj në emër të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet propozoj ngritjen e panteonit ku të vendosen eshtrat e të gjithë rilindasve tanë në qendër të kryeqytetit, në një vend pelegrinazhi”, theksoi ai.
Kryetari i partisë së çamëve Shpëtim Idrizi e përfundoi fjalën e tij me një thirrje dhe urim për bashkim kombëtar.
“Të gjitha forcat politike duhet të bashkëveprojnë sot në mënyrë që të arrihet që të bashkohen të gjitha trojet shqiptare nga Presheva në Prevezë dhe shqiptarët të jetojnë në një shtet aty ku i ka vendosur Zoti”, tha Idrizi.
Sakaq, të rinjtë e Klubit të Patriotëve të Rinj dhuruan për të gjithë të pranishmit dhe kalimtarët mijëra flamuj, me qëllim vendosjen e tyre nëpër shtëpitë e tyre si dhe kartolina urimi e stema për pavarësinë.
Sipas PDIU-së sot janë shpërndarë në Tiranë më shumë se 5 mijë flamuj.
Gjatë koncertit festiv, që zgjati për mëse tri orë në urën e vogël kënduan këngëtarë të mirënjohur si Eranda Libohova, Endri & Stefi, Hysni Alushi si dhe performoi Ansambli i Valleve të Vlorës.
mit/NOA