Nga Bamir Topi Dëshiroj sot në këtë ditë të mrekullueshme, në këtë ditë historike, nga ky qytet historik të dërgoj përshendetjet më të zjarrta për çdo shqiptar të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, kudo në diasporë, kudo ku jetojnë shqiptarë për të festuar së bashku këtë ditë të madhe të historisë moderne të kombit shqiptar!
Është kënaqësi dhe nder i madh për mua që sot, në këtë ditë të shenjtë të historisë sonë kombëtare, në Ditën e Pavarësisë në përvjetorin e saj të 99-të, gjendem këtu mes jush, në qytetin e Flamurit.
Vlora dhe Pavarësia, Vlora dhe liria, Vlora dhe shtetformimi, Vlora dhe Ismail Qemali janë binomet, mbi të cilat vetëdija dhe krenaria jonë kombëtare në epokën e modernitetit bëhen lëndë shpirtërore e fuqi morale për një të ardhme më të mirë.
Udhëtimi i shqiptarëve nëpër histori për të mbërritur deri në Vlorë më 28 Nëntor 1912 ka qenë i gjatë, i mundimshëm, tragjik dhe heroik. Por kjo datë dhe ky takim me historinë ishin fati i bardhë i shqiptarëve, ishin madhështia dhe rilindja e tyre, horizonti dhe shpresa, për të cilat derdhën gjakun bijat dhe bijtë më të mirë të kombit shqiptar.
Për këtë deklamim të ëndërruar prej shekujsh, qysh në kohën e Skënderbeut, Vlora, qyteti bregdetar që shihte nga Perëndimi nuk u zgjodh rastësisht. Ne të gjithë e dimë se çfarë është Vlora dhe Labëria për Shqipërinë dhe shqiptarët! Historia me faktet e saj na bën të pohojmë njëzëri, sot, në këtë vend dhe ditë të bekuar, se ju keni qenë gjithmonë mburojë e shqiptarisë, mburojë e Atdheut dhe këtë e keni bërë me pushkë, e keni bërë me pendë, e keni bërë me mendje, e keni bërë edhe me këngën labe. Historia ju bekoi të luani rolin e rojtarëve të fateve të Atdheut!
Sot në këtë përvjetor, nderimi ynë është mbi të gjithë për atë, që realizoi ëndrrën duke i dhënë jetë projektit më të madh të shqiptarëve të të gjithë kohërave, Shqipërisë së pavarur: nderimi ynë është për Atin e Kombit, pagëzuesin e përjetshëm të kësaj dite, për Ismail Qemalin.
Ismail Qemali nuk është vetëm protagonisti i historisë së lavdishme të trevës suaj dhe kombit tonë njëkohësisht, por dhe modeli i pavdekshëm i urtësisë, i atdhedashurisë, i sakrificave dhe vendimeve shteformuese, që për shoqërinë dhe klasën politike shqiptare sot mbetet një mësim i madh që duhet nxënë!
Rilindasit, luftëtarët, burrat dhe gratë shqiptare, që iu bënë krah Ismail Qemalit për ta shpallur Shqipërinë “të mosvarme” dhe për ta mbrojtur atë, mbeten shembuj të gjallë të vlerave patriotike, intelektuale morale dhe politike, sepse ata besuan dhe e zbatuan moton “Shqipëria është mbi gjithçka”.
Ata sakrifikuan shumë, por mbi të gjitha për idenë e madhe dhe të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve të tjera evropiane.
Përpjekja dhe qëndresa e shqiptarëve ishte e gjatë, dëshira e tyre për liri, demokraci dhe përparim mbeti gjithnjë e fortë. Projekti që nisi me 28 Nëntor 1912, u pasua gati një shekull më vonë me 17 Shkurtin 2008, me Pavarësinë e Kosovës. Tashmë dy shtetet shqiptare, sovrane e demokratike, janë shndërruar denjësisht në faktorë paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon e më gjerë, duke iu afruar 100-vjetorit të Pavarësisë me arritje të qarta në çështjen kombëtare, në proceset integruese dhe në standartet demokratike.
Por mesazhi i kësaj dite është dhe do të mbetet gjithmonë aktual: Të gjithë ne, pa përjashtim, brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët duhet të edukohen intelektualisht me parime të drejta historike, të çliruara nga shtrembërimet apo interesat e çastit, sepse historia gjithmonë konfirmohet si një mësim i pandryshueshëm e i gdhendur përjetësisht në kujtesën dhe ndërgjegjjen e një kombi!
Të gjithë duhet ta dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se Pavarësia e Shqipërisë, në ato rrethana historike, u realizua nëpërmjet luftërave dhe përpjekjeve të mëdha e të gjithëanëshme, por ajo u mundësua sidomos nga idealizmi, toleranca, dashuria dhe vetëmohimi për këtë truall. Duke marrë shembull nga akti, nga vepra dhe nga modeli që rilindasit dhe atdhetarët tanë krijuan duke na i lënë si trashëgimi të vyer, gjithësecili prej nesh dhe mbi të gjitha udhëheqësit, duhet të punojnë me mish e me shpirt, pa u kursyer që të realizojë dëshirën për ta bërë Shqipërinë më të mirë e më të begatë për ne dhe fëmijët tanë, për sot, për nesër e përgjithmonë.
*Mesazhi i Kreut të Shtetit gjatë festimeve për 99-vjetorin e Pavarësisë në Vlorë