Nga Andis Harasani
Të premten, për fatin zhgënjyes shpesh të shqiptarëve dhe sidomos për fatin e keq të shtëpiakeve shqiptare, ishte seanca maratonë për miratimin e buxhetit. Shqiptarët janë të zhgënjyer, sepse ju është premtuar gjithmonë buxheti më “i mrekullueshëm” nga qeveritë që e kanë qeverisur, por jeta e tyre nuk ka ndryshuar për mirë, shqiptarët shtëpiakë, sepse ju munguan telenovelat e përditshme e të përnatshme. Në fund të fundit, sipas parimit të parë; më gënje, sepse më vjen mirë dhe parimit të dytë; tejzgjatja e telenovelës së parlamentit dhe buxhetit në parlament, jep megjithatë shpresë se si telenovelat plot ankth, në fund të fundit, fundin e kanë të lumtur. Edhe parlamenti ynë, që është shtatzënë më shumë se dy herë në vit me buxhetin e shpresës, i ka shanset, që herët a vonë të afrojë ndonjë gjë të lumtur për shqiptarët dhe shqiptaret.
Si qytetar i mirë shqiptar, nuk më bën zemra të gjej krahasim tjetër të parlamentit tonë, përveçse me atë që ndodhet në anën tjetër të Atlantikut. Me Kongresin amerikan, edhe pse e kam shumë të vështirë të gjej homologen e zonjës Jozefinë, homologun e shokut tonë kryeministër, të kolegut Ruçi e kështu me radhë. Edhe në Amerikë u diskutua gjatë buxheti, që është qershia mbi tortën politike të një viti dhe lakmusi që tregon se si do të jetë pak a shumë jeta e qytetarëve në vitin pasardhës. Ndodhesha atëherë me gjithë mikun tim, Malaj në SHBA, kur po dukej e pamundur të arrihej marrëveshja për nivelin e deficitit. Dhe ky ishte një shqetësim për të gjithë, edhe për banakierët që të ofronin kafe në ‘Mc Donald’. Pati negociata pafund në komisione, por megjithatë, në debat pati vetëm 13 diskutime. Dhe, bëhet fjalë për një buxhet si ai i shtetit amerikan.
Po këtu në Shqipëri? Kisha vendosur të mos diskutoja në seancë. Nuk ndieja asnjë shtysë të brendshme për të folur dhe për të ndërhyrë në një debat ku gjërat ishin parandarë mes dy skajeve të ngjyrave, bardhë e zi dhe ku, edhe këshilla laureatësh të ‘Nobelit’ për ekonomi do të hidheshin poshtë pa mëdyshje, po sipas ndarjes bardhë e zi. Ishin plot 75 vetë që folën. Jam kureshtar të di nëse ndokush në Shqipëri beson se në sallën e Kuvendit, më shumë se gjysma janë specialistë buxheti. Por nuk mjaftuan vetëm ata. Ishte dhe një tjetër. Ai... Ai..., KRYE-ja, domethënë, KRYEministri, KRYEdemokrati, KRYEspecialisti, KRYEdijeshumi, që e mori fjalën për të diskutuar plot 75 herë. Aq sa nuk kuptohej më në ishte diskutim për buxhetin apo dialog me KRYEbuxhetbërësin. KRYE-ja jonë foli, herë në këmbë dhe herë ulur, por gjithmonë me tonin e tij të ngritur, a thua se në atë sallë, sa më shumë të bërtasësh, aq më shumë ke të drejtë.
Po nuk mjaftonte kaq. Si njerëz pa punë që janë dhe konsiderohet se janë deputetët, patëm kohën e lumtur të diskutonim për një zotëri të nderuar nga Kukësi, i cili, hallin e tij e zgjidhi nëpërmjet KRYEhallzgjidhësit të vendit: i mungonin 1456 metra e gjysmë asfalt nga rruga nacionale e deri tek shtëpia e tij dhe për këtë, i dërgoi një sms KRYEministrit, i cili ja zgjidhi këtë hall me zift dhe asfalt.
Për vete, jo se dyshoj se një gjë e tillë ka ndodhur. Sinqerisht, e besoj. Kam parë gjatë fushatës së 2009-s, përpara se PS të vendoste që nuk duhej të përfshihesha në zgjedhjet lokale të 2011-s, pra, kam parë rrugë të shtruara që nisnin nga qendra e fshatit dhe përfundonin në mes të askundit, në mes të një fushe. Dyshon ndokush për këtë që po them? Mund ta verifikojë kush të dojë në fshatrat e Rrogozhinës dhe Kavajës. Mos, o zot, mos ndokush mendon se kështu mendoj dhe për këtë buxhet, që nis nga qendra e Kuvend-Komunës dhe përfundon diku ku nuk ja merr mendja njeriu.
Nuk është as vendi dhe ky nuk është as qëllimi i këtyre radhëve, për të thënë se çfarë mendoj për këtë buxhet që e votova kundër. Kundër e votova dhe vitin e kaluar, ndonëse isha i vetmi socialist, bashkë me Malajn në sallë. Kësaj here ishim të gjithë socialistët në sallë, shumica jonë, si shumica e shumicës së atyre, të gjithë të vendosur që të diskutohej pafund për buxhetin. Njëlloj sikur ky ligj i një rëndësie të posaçme të ishte një nga ato qokat shqiptare, dasmë, lindje apo vdekje, në të cilat duhet të jesh patjetër i pranishëm. Sepse, kështu urdhëron qoka. Do të ishte serioze të flisnin katër vetë nga të dy palët, PS e PD, të thoshin atë që duhej dhe kështu shpëtonte shumëkush. Shqiptarët që do ta kishin më të kursyer lugën e premtimeve që politika jua rras deri në fyt, shqiptarët që nuk do të detyroheshin të hiqnin dorë nga telenovelat e preferuara për të ndjekur telenovelën fatkeqe dhe pa shije të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën nuk gjen as qetësinë e Gymyshit dhe as dhelpërinë e Dilrubes apo si dreqin e ka emrin!
Gazeta "Shqip"