English

Rama-Jahjaga: Dita e Flamurit, simbolika e vizitës sime në Kosovë

Prishtinë, 28 nëntor 2011, NOA – Në përvjetorin e 99-të të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe delegacionin, që e shoqëron në këtë vizitë tre ditore në Prishtinë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryetari i Partisë Socialiste vlerësoi rolin institucional dhe inkurajues të Presidentes së Kosovës që në krye të mandatit të saj.

Zoti Rama u shpreh se Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese evropiane, bën me dije njoftimi i zyrës së shtypit të Presidencës së Kosovës.

Kryesocialisti Rama nënvizoi se duhet realizuar aspirata e brezave të rinj për integrimin në Evropë, duke e inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave.

Kryetari i opozitës Edi Rama tha se vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit si një simbolikë për këtë ditë të shënuar të shqiptarëve andej dhe këndej kufirit.

Me këtë rast ai i dhuroi Presidentes së Kosovës librin e tij të parë “Kurban”, të cili e përuroi edhe në Kosovënjë debat me intelektualë dhe njerëz të njohur të jetëps publike në Kosovë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë takimit vlerësoi arritjet e Shqipëri, duke nënvizuar se demokracia parlamentare ka arritur sukses.

“Është e arritur që në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe parimet, mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe që të ardhmen e shohin në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh zonja Jahjaga, e cila nënvizoi sakaq, se ajo është zgjedhur si Presidente konsensuale, që do të respektojë Kushtetutën dhe ligjin në secilin rast.

Sipas saj, kështu i jepet shembull parimit të sundimit të ligjit dhe të legalitetit. Presidentja Jahjaga u shpreh se “të gjithë po mësojmë nga përvojat tona dhe se tash marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike janë qetësuar, duke arritur konsensus në drejtimet themelore, që është në interes të Kosovës dhe të qytetarëve”.

Mandej, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i uroi shqiptarët për festën e 28 nëntorit me anë të rrjetit social “Twitter”.

“Urimin e parë të kësaj dite të festës së flamurit ia bëmë Presidentes së Kosovës. Ditë me diell e atmosferë festive. Gëzuar të gjithëve!”, shkruante kreu i PS-së në adresën personale në rrjetin social “Twitter”.

mit/NOA

KOMENTE