English

Si u asfiksuan nga gazi bashkëshortët Bezani në Vlorë

Vlorë, 27 nëntor 2011, NOA Update – Kishin ardhur në Vlorë të shtunën nga Patosi për t’u kujdesur për shtëpinë e të afërmve të tyre, që ishin në Itali, por kanë vdekur në mënyrë fatale një ditë pas mbërritjes, të asfiksuar nga gazi i qymyrit, me të cilin u ngrohën natën.

Kjo është historia fatale e dy bashkëshortëve nga Patosi, që vdiqën të asfiksuar dhe u gjetën të pajetë nga djali i tyre, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Dy bashkëshortët, 51-vjeçari Avni Bezani, dhe bashkëshortja e tij Myzejeme Bezani, 50 vjeç kanë gjetur vdekjen pasditen e sotme të asfiksuar nga gazrat e qymyrgurit në shtëpinë e të afërmve në Vlorë.

Ata u gjetën rreth orës 14:30 të pajetë në lagjen “24 Maji” apo lagjia Cole në Vlorë nga djali i tyre, Ervis Bezani.

Policia e Vlorës, e cila është lajmëruar për ngjarjen nga i biri i dy viktimave, bën me dije se Avni dhe Myzejeme Bezani, ishin që të dy banues në lagjen “E re” në Patos.

Ata kishin ardhur mbrëmjen e të shtunës në Vlorë, në shtëpinë private të prindërve të Myzejemes, në lagjen “24 Maji” për t’u kujdesur për shtëpinë, pasi të afërmit jetojnë në Itali.

I biri i viktimave, Ervisi pasi ka parë prindërit të asfiksuar ka lajmëruar policinë, e cila pas hetimit mësoi se shkaku i vdekjes së dy bashkëshortëve Bezani ishte asfiksia nga gazrat e qymyrit apo monoksidi i karbonit.

Viktimat ishin ngrohur gjatë natës me qymyrguri, ndërkohë që ata ndodheshin të vetëm në shtëpi.

mit/NOA

KOMENTE