Ministrja e Punëve të Jashtme e Pakistanit, Hina Rabani Khar, i ka telefonuar sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, për të shprehur “ndjenjë të zemërimit të thellë”, për sulmin e djeshëm ajror të NATO-s, nga i cili u vranë së paku 24 ushtarë pakistanezë...
... Hina Rabani Khar i ka thënë zonjës Klinton se sulmet “demonstrojnë mospërfillje të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe të jetës njerëzore, janë shkelje e sovranitetit të Pakistanit dhe e detyrojnë Pakistanin që përsëri t’i shikojë rregullat e angazhimit”.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, dhe sekretari i Mbrojtjes, Leon Paneta, në një deklaratë të përbashkët, kanë shfaqur “keqardhje të thellë” për vrasjet.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, të dielën po ashtu ka shprehur “keqardhjet më të thella dhe ngushëllime për familjet e oficerëve të Pakistanit dhe ushtarëve, që humbën jetën ose u plagosën”.
Ai i kishte shkruar kryeministrit të Pakistanit, se “vdekjet e personelit të Pakistanit janë të papranueshme dhe për keqardhje, sikur edhe vdekjet e personelit afgan dhe ndërkombëtar”.
Komandantët më të lartë ushtarakë të Pakistanit të dielën kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të 24 ushtarëve të vrarë në qytetin veriperëndimor, Peshavar.
Menjëherë pas sulmit ajror, Islamabadi i kishte mbyllur rrugët e furnizimit të forcave të NATO-s në Afganistan.
Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se helikopterët e NATO-s kanë shtënë kundër postbllokut ushtarak.
Aleanca e NATO-s ka premtuar hetime gjithëpërfshirëse të këtij incidenti.
“Forca Ndërkombëtare Ndihmëse e Sigurisë po e heton një incident, që ndodhi në hapësirën kufitare ndërmjet Pakistanit e Afganistanit. Komandanti i kësaj force ka deklaruar se ai personalisht po i kushton kujdes të madh kësaj çështjeje dhe se ai është i përkushtuar për hetime gjithëpërfshirëse dhe për përcaktimin e fakteve. Ai ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet e çdo pjesëtari të Forcave të Sigurisë së Pakistanit, që kanë mundë të vriten ose të plagosen”.
“Udhëheqja e Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse të Sigurisë mbetet e përkushtuar për përmirësimin e marrëdhënieve të sigurisë me Pakistanin, përfshirë operacionet përgjatë rajoneve kufitare, në luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit”, ka thënë Karsten Xhakobson, zëdhënës i Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse të Sigurisë në Afganistan, që udhëhiqet nga NATO-ja.
Malik Sulltan, lider fisnor në brezin kufitar Pakistan – Afganistan, ka treguar se banorët lokalë e ndihmuan ushtrinë pakistaneze për transportin e të plagosurve dhe të trupave të pajetë nga terreni i largët dhe i vështirë.
“Vendi ku ka ndodhur sulmi quhet Salala Butanu Sar. Sulmi ka ndodhur të shtunën në mesnatë. Nuk ka pasur civilë që janë marrë në shënjestër. Është qëlluar vetëm pika e kontrollit e ushtrisë pakistaneze”, ka treguar Malik Sulltan.
Ky sulm u bë në periudhën kur raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit janë të tensionuara pas vrasjes së liderit të al-Kaidës, Osama bin Laden, nga forcat speciale amerikane, gjatë ndërhyrjes sekrete në qytetin Abotabad, në muajin maj të këtij viti.