Prekaz, 27 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pohoi se festa e Flamurit dhe festa e Pavarësisë së Shqipërisë, është mbi çdo parti politike, mbi çdo profil politik, mbi çdo ideologji.
Sipas tij, festat kombëtare duhet të na ofrojnë me njëri tjetrin, të respektohen dhe në asnjë rrethanë, askush mos të pretendojë të bëjë fushatë elektorale me flamurin kombëtar, me festat kombëtare.
Kjo deklaratë e tij erdhi në përgjigje të atyre të lëshuara më herët nga një tjetër subjekt politik kosovar.
Ndërkaq me rastin e 28 Nëntorit, festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe festës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe daljes publike të UÇK-së, kryeministri Hashim Thaçi i shoqëruar nga kabineti qeveritar ka vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe ka vënë kurora lulesh.
Në fjalën e tij me këtë rast Thaçi u shpreh se, “Dashuria për atdhe duhet të kultivohet dhe kurrë nuk është e mjaftueshme. Prandaj, ky nderim shtetëror sot është nderim për të kaluarën, për Familjen Jashari, për Komandantin Legjendar Adem Jashari, për gjithë dëshmorët e lirisë, për luftën e UÇK-së dhe sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. Sepse, pa luftë nuk do ta kishim lirinë dhe çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e saj. Pa liri nuk do të kishim këtë zhvillim që kemi sot në Republikën e Kosovës”
Pas homazheve para varrit të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kryeministri Thaçi deklaroi se ky është vendi ku merr frymëzim, vendi ku merr energji për punë, për angazhime shtesë për të realizuar vizionin për të ardhmen e Kosovës për integrim në BE dhe në NATO , për të zhvilluar edhe më tepër Kosovën, për të ndërtuar Kosovën Europiane.
a.y/NOA