English

Topi nga Vlora: Pavarësinë duhet ta festojmë të bashkuar

Vlorë, 28 nëntor 2011, NOA Update – Krerët e politikës shqiptare edhe këtë vit e kanë kremtuar të ndarë 99-vjetorin, të paktën gjatë festimeve të paradites. Ndërkohë që kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli ndodheshin në Tiranë, Presidenti i Republikës Bamir Topi udhëtoi sot drejt Vlorës, djepit ku u ngrit flamuri i Pavarësisë së shqiptarëve.

Ndërsa kreu i opozitës Edi Rama ka preferuar ta festojë në Kosovë nëpër takime të ndryshme me krerët e politikës dhe partive politike atje.

I shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, Kreu i Shtetit u prit në “Sheshin e Flamurit” paraditen e sotme në një atmosferë festive nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, Prefekti i Vlorës, Eduard Veçani, deputetë, dhe udhëheqës të bashkësive fetare, si dhe nga shumë banorë vlonjate, të cilët kishin dalë për ta pritur e përshëndetur në rrugët kryesore të qytetit bregdetar.

Pas homazheve dhe vendosjes së kurorës me lule në varrin e Ismail Qemalit, përfaqësuesit e lartë nderuan Flamurin gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar nga Banda Frymore e qytetit.

Më pas në fjalimin e tij para Monumentit të Pavarësisë, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e tij që po e festonte mes qytetarëve vlonjate këtë ditë të shenjtë të historisë kombëtare, Ditën e Pavarësisë.

“Dëshiroj sot në këtë ditë të mrekullueshme, në këtë ditë historike, nga ky qytet historik të dërgoj përshendetjet më të zjarrta për çdo shqiptar të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, kudo në diasporë, kudo ku jetojnë shqiptarë për të festuar së bashku këtë ditë të madhe të historisë moderne të kombit shqiptar! Vlora dhe Pavarësia, Vlora dhe liria, Vlora dhe shtet-formimi, Vlora dhe Ismail Qemali janë binomet, mbi të cilat vetëdija dhe krenaria jonë kombëtare në epokën e modernitetit bëhen lëndë shpirtërore e fuqi morale për një të ardhme më të mirë”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Më tej, Presidenti do të nënvizonte se “Historia me faktet e saj na bën të pohojmë njëzëri, sot, në këtë vend dhe ditë të bekuar se ju keni qenë gjithmonë mburojë e shqiptarisë, mburojë e Atdheut dhe këtë e keni bërë me pushkë, e keni bërë me pendë e keni bërë me mendje, e keni bërë edhe me këngën labe. Historia ju bekoi të luani rolin e rojtarëve të fateve të Atdheut!”.

Kreu i Shtetit vlerësoi e nderoi figurën e papërsëritshme të Ismail Qemalit, “Atit të Kombit”, pagëzuesit të përjetshëm të kësaj dite”, duke theksuar se ishte ai që realizoi ëndrrën duke i dhënë jetë projektit më të madh të shqiptarëve të të gjithë kohërave, Shqipërisë së pavarur.

“Ismail Qemali nuk është vetëm protagonisti i historisë së lavdishme të trevës suaj dhe kombit tonë njëkohësisht, por dhe modeli i pavdekshëm i urtësisë, i atdhedashurisë, i sakrificave dhe vendimeve shtetformuese, që për shoqërinë dhe klasën politike shqiptare sot mbetet një mësim i madh, që duhet nxënë!”, theksoi Kreu i Shtetit nga Vlora.

Në respekt të sakrificave të rilindësve e luftëtarëve në shekuj, Presidenti Topi risolli në vëmendje në fjalën e tij, një ditë tjetër të shënuar për të gjithë shqiptarët, ditën e Pavarësinë e Kosovës, 17 Shkurtin 2008, duke theksuar se “tashmë dy shtetet shqiptare, sovrane e demokratike, janë shndërruar denjësisht në faktorë paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon e më gjerë, duke iu afruar 100-vjetorit të Pavarësisë me arritje të qarta në çështjen kombëtare, në proceset integruese dhe në standardet demokratike”.

Kryetari i Shtetit nënvizoi se mesazhet e kësaj dite mbeten gjithnjë aktuale, pasi sipas tij të gjithë pa përjashtim, brezat e rinj, fëmijët, nxënësit dhe studentët duhet të edukohen intelektualisht me parime të drejta historike, të çliruara nga shtrembërimet apo interesat e çastit, sepse historia gjithmonë konfirmohet si një mësim i pandryshueshëm e i gdhendur përjetësisht në kujtesën dhe ndërgjegjen e një kombi.

“Të gjithë duhet ta dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se Pavarësia e Shqipërisë, në ato rrethana historike, u realizua nëpërmjet luftërave dhe përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme, por ajo u mundësua sidomos nga idealizmi, toleranca, dashuria dhe vetëmohimi për këtë truall. Duke marrë shembull nga akti, nga vepra dhe nga modeli që rilindësit dhe atdhetarët tanë krijuan duke na i lënë si trashëgimi të vyer, gjithsecili prej nesh dhe mbi të gjitha udhëheqësit, duhet të punojnë me mish e me shpirt, pa u kursyer që të realizojë dëshirën për ta bërë Shqipërinë më të mirë e më të begatë për ne dhe fëmijët tanë, për sot, për nesër e përgjithmonë”, u shpreh ai.

Ceremonia zyrtare e festimit të 99-vjetorit të Pavarësisë u mbyll me një vizitë të veçantë të Presidentit Topi në familjen e atdhetarit të shquar vlonjat, Abaz Mezini si dhe një ndalesë në Muzeun e Pavarësisë Kombëtare.

Në prononcimin e tij për mediat Presidenti Topi ripërsëriti se “dëshiroj në këtë ditë të mrekullueshme, t’i uroj të gjithë shqiptarët, kudo ku ata jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, kudo në diasporë, për Festën e Flamurit, për Festën e Pavarësisë Kombëtare, këtë ditë të shënuar, e cila ndërroi historinë në kahun pozitiv! Kjo është një ditë e madhe për të gjithë dhe mesazhi më i mirë që vjen në këtë ditë është që ta festojmë së bashku, të forcojmë sa më shumë lidhjet midis nesh, sepse veprat e mira për kombin bëhen duke bashkërenduar, duke bashkëvepruar, duke bashkuar fuqitë. Fuqitë, së pari intelektuale, mendore, pastaj edhe fizike, që të gjitha energjitë që populli shqiptar, kudo ku ai jeton i ka dhe i ka vendosur gjithmonë në shërbim të kombit”.

I pyetur nëse do të shkonte në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, Presidenti bamir Topi u përgjigj kështu: “Unë, në të njëjtën kohë kam bërë veprimin institucional. Kam dërguar këshilltarët e mi për të vendosur kurorën, por në të njëjtën kohë erdha për të respektuar edhe Vlorën. Pra, detyrimet institucionale janë përmbushur”, përfundoi prononcimin e tij Kreu i Shtetit.

Ndërkohë në mbrëmje do të zhvillohet edhe pritja zyrtare e përvitshme që Presidenti organizon me rastin e festës kombëtare, Ditës së Pavarësisë, ku do të jenë të ftuar krerët e politikës, diplomatët e akredituar në vendin tonë dhe përfaqësues të shoqërisë civile e jetës publike në vend.

Siç e do edhe rasti në pritjen, që do të organizohet në Pallatin e Brigadave në orën 19.00 duhet të jenë bashkë qoftë edhe në shenjë simboli, Presidenti, Kryeministri e Kryeparlamentarja.

mit/NOA

KOMENTE