English

Vetëvendosja shpalos flamurin kombëtar në Parlamentin e Kosovës

Prishtinë, 28 nëntor, 2011, NOA – Lëvizja Vetëvendosja ka ndërmarrë sot një aksion në selinë e Kuvendit në Kosovës. Rreth orës 9:00 Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpalosi flamurin kombëtar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Kjo nismë është ndërmarrë në shenjë reagimi ndaj qeverisë së Kosovës e cila nuk ka organizuar ceremonial zyrtare për Festën e Flamurit.

Ndërsa disa minuta më pas, drejtues të Lëvizjes kanë vendosur një flamur gjigant në hyrje të qytetit të Prishtinës.

“Ndonëse Dita e Flamurit është më e rëndësishmja ditë për shqiptarët kudo që ata jetojnë, politika zyrtare e Republikës së Kosovës e ka degraduar këtë datë në çështje private. 28 Nëntori trajtohet nga institucionet tona dhe Kushtetuta e Ahtisaarit si festa e njërit prej komuniteteve të Kosovës. Nëpërmjet këtij formulimi shqiptarët përcaktohen si asgjë më shumë sesa njëri nga komunitetet e shumta që jetojnë në Kosovë”, kanë deklaruar dy ditë më parë drejtues të Vetëvendosjes.

a.k/NOA

Në foton e parë, flamuri kombëtar në ndërtesën e Parlamentit të Kosovës. Në foton e dytë, flamuri kombëtar në hyrje të qytetit të Prishtinës.

KOMENTE