Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Me rastin e 99 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Bamir Topi mblodhi në Pallatin e Brigadave krerët e politikës në vend.
Të pranishëm në këtë aktivitet ku përshëndeti Kreu i Shtetit, Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli të shoqëruar nga bashkëshortët respektivë mbajtën një minutë heshtje së bashku me të pranishmit në nderim të të rënëve.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Topi u shpreh se, ndonëse çdo përvjetor i Pavarësisë është i veçantë, ky i sotmi është edhe më shumë pasi Shqipëria hyn në vitin e 100 të Pavarësisë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Presidenti Topi shprehu mirënjohje për plejadën e atdhetarëve dhe patriotëve që sakrifikuan dhe krijuan institucione shtetërore, duke i cilësuar këto përpjekje si titanike që mishëruan edhe në periudhën e mëpasme.
Sipas tij, vitet e diktaturës nuk zbehën por rrënjosën më thellë dashurinë për Pavarësinë, ndonëse një pjese i kushtoi me jetë.
“Sot 99 vite pas Pavarësisë, Shqipëria është një vendi i bekuar nga zoti, me popull të ri në moshë dhe me energji të mëdha, ka aspirata të qartë me ecjen përpara në çdo kohë. Atdheu i Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës nuk mund të kishte tjetër aspiratë veçse ëndrrën europiane, por kjo sot është realitet pasi Shqipëria është vend anëtar në NATO dhe aspirant për në BE”, deklaroi Topi.
Sakaq siç raporton NOA.al. duke iu referuar aktualitetit politik, Presidenti tha se gjatë këtij viti u shënua progres në procesin zgjedhor dhe në debatet publike, edhe pse u harxhuan energji të pafundme për axhenda partiake mbi ato qytetare.
Në këtë linjë ai shtoi se, “Ditët e fundit politika është rikthyer sërish në tryezën e dialogut dhe urimi i çdo shqiptari është që arsyeja të mbizotërojë për rezultatet që priten dhe për rezultatet që duhen për në BE. Sot nisim festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe ky është një rast i mirë për të mësuar. Natyrisht 100 vjetori Jubilar do të mbahet me gjithë vëmendjen, përvjetor të tillë mund të shoqërohen me përpjekje të shumta të qytetarëve, unë besoj se nderimi më i madh që mund ti bëjmë shtetit është ta çojmë vendin drejt atij niveli për të cilin atdhetarët dhe heronjtë kanë sakrifikuar”.
Presidenti Topi tha se, nuk ka nder më të madh se në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë të merret ftesa për statusin e vendit kandidat, duke shprehur bindjen se ekzistojnë të gjithë forcat dhe të gjitha mundësitë për t’ia arritur këtij qëllimi.
Ai e mbylli fjalën e tij me urimin, “Të gjithë të pranishmëve dhe gjithë Shqipërisë i uroj Gëzuar festën tonë kombëtare, të Pavarësisë dhe Flamurit dhe nderim për ditën e Çlirimit”.
a.y/NOA