English

Basha:Tirana, mundësia më e mirë për të investuar

Tiranë, 29 nëntor 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë. Duke shprehur falenderimet dhe mirënjohjen për rolin e madh që ata kanë luajtur në forcimin e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me vendet që ata përfaqësojnë, por edhe për mbështetjen që këto vende i kanë dhënë Shqipërisë në proceset integruese, Basha kërkoi nga Konsujt një rol aktiv në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe vendeve që ata përfaqësojnë.

Basha i ka njohur Konsujt me projektet e Bashkisë së Tiranës.

“Detyra e parë dhe më e rëndësishme është përfundimi i planit urbanistik” - tha Basha . Kryebashkiaku theksoi se për hartimin e këtij plani, i cili do i shërbejë qytetit në 30 vitet e ardhshme, janë angazhuar ekspertët më të mirë në qytet, vend dhe në mbarë botën.

“Tirana duhet të jetë modeli i rritjes ekonomike, për pjesën tjetër të vendit dhe për rajonin dhe kjo nuk është një ambicje e parealizueshme, por bazohet në potencialin që ekziston këtu. Emancipimi i këtyre fuqive dhe vënia e tyre në përdorim është një nga synimet dhe projektet e mia më të mëdha, duke bashkuar të gjithë këto energji në qytet dhe duke i shpalosur ato, me fuqizimin e biznesit dhe kapitalit në qytet, duke u siguruar se projektet tona janë transparente, të qëndrueshme dhe përfituese, publike apo private dhe duke u siguruar se ato janë qartësisht transparente për të ardhmen”, tha Basha

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha u shpreh njëkohësisht se synimi i tij është përmirësimi i infrastrukturës publike, çka do të ulë koston e të bërit biznes në qytet, si dhe shtrirja e zhvillimit në të gjthë qytetin.

‘’Zhvillimi i 20 viteve të fundit ishte përqëndruar në jug dhe juglindje të qytetit. Në këtë kuadër është edhe projekti i ri i bulevardit i cili krijon një rrugë zhvillimi në të dy kahët e tij dhe po ashtu janë dy brigjet e lumit të Tiranës, shumë më i madh se lumi i Lanës që përshkon qendrën e qytetit, potencialet për zhvillimin e qytetit, për zgjerimin e hapësirave rekreative, parqeve të gjelbra, kënde për fëmijët, shkolla, çerdhe, spitale, kinema, teatro dhe njëkohësisht një mundësi për të zgjeruar territorin e biznesit në Tiranë, pasi qyteti duhet të ketë gjithçka që i nevojitet, ku mund të gjesh atë që kërkon jo vetëm në qendër por kudo. Ideja është për një qytet policentrik dhe jo për një qytet, ku për nevojat më bazike, kulturore, sociale apo shëndetësore, duhet të udhëtosh për në qendër’’ - tha Basha.

Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë, duke vlerësuar projektet dhe vizionin e zotit Basha, shprehën angazhimin e tyre, për të bërë promovimin e Tiranës, në vendet e tyre dhe për të nxitur biznesn, të shohë mundësinë e investimit në kryeqytetin shqiptar.

a.q/NOA

KOMENTE