Tiranë, 29 nëntor 2011, NOA/Albana Qehajaj - Kryeministri Berisha priti 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, që erdhën në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë. Kryeministri i ftoi ata të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për të arritur qëllimin më madhor, Shqipërinë vend i zhvilluar.
“Është koha të përshpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, është koha të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e saj. Prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian. Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në performancë”, tha Berisha.
Ai tha përpara konsujve se, Shqipëria ishte vendi më i kolektivizuar në botë.
“Sot, Shqipëria është një nga vendet më privatë në botë. Qeveria e Shqipërisë qëndron mes 10 qeverive më të vogla në planet. Shqipëria po e bazon zhvillimin e saj plotësisht mbi iniciativën e lirë, duke shfrytëzuar liritë.”
Kryeministri siguroi se po punohet për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, ndërsa iu referua edhe 99 vjetorit të Pavarësisë.
“Historia ndaj nesh ka qenë si një njerkë e ashpër, nuk ka qenë në anën tonë. Por ne qëndruam në të drejtat tona dhe tani jemi të lirë, kudo që jemi. Jemi të lirë në Shqipëri, jemi të lirë në Kosovë, jemi të lirë në Maqedoni, jemi të lirë në Mal të Zi. Ne shikojmë drejt të ardhmes së përbashkët në Europë. Sot hyjmë në njëqindvjeçarin e shpalljes së pavarësisë sonë. Kjo është një ditë e madhe, një vit i madh, një njëqindvjeçar i madh”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha.
a.q/NOA