English

Enveri i Fevziut dhe komunizmi i Marksit

Nga Ermal Hasimja Jo rastësisht përpjekja më e suksesshme për përshkrimin e veprimtarisë së Enver Hoxhës është bërë nga një gazetar, dhe jo nga një historian. Më tepër sesa mbush boshllëkun biografik të Enver Hoxhës, libri i Fevziut ndriçon boshllëkun e analizës së komunizmit. E kam fjalën për analizën historike, sociologjike, politike dhe filozofike të tij. Në 20 vitet e fundit kjo analizë ka dështuar pothuajse plotësisht dhe dëshmia më e qartë për këtë është injoranca e plotë e brezit të ri mbi atë që ka ndodhur gjatë komunizmit. Ajo që të rinjtë shqiptarë dinë sot për periudhën 1945-1990 është që një grup njerëzish me në krye një diktator vranë e prenë gjithë dynjanë pa asnjë arsye teksa vetë jetonin për shtatë palë qejfe te Blloku. Media, për arsyet e veta, ka qenë më tepër e interesuar për një paraqitje të aspektit spektakolar të komunizmit dhe, rrjedhimisht, është marrë me aspektet individuale dhe njerëzore, me histori tragjike e komike njerëzish, por shumë pak ose aspak me analizën e lartpërmendur. Në këtë prirje rreshtohen dëshmitë e pafundme të kohës së komunizmit nëpër gazeta, emisione televizive e së fundmi edhe në libër. Natyrisht, nuk është faji i mediave pse nuk kemi analizë të komunizmit, por përshkrime të komunistëve dhe viktimave të tyre. Problemi kryesor është me historianët, sociologët, filozofët etj., që nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe gjithashtu edhe me politikanët që bëjnë atë që nuk duhet të bëjnë. Prirja e mediave për ta “shitur” komunizmin si produkt mediatik ka pasur një efekt të mbrapshtë. Brezat e rinj sot e njohin komunizmit përmes filmave e dokumentarëve të realizmit socialist dhe përmes dëshmive të banalitetit të personazheve të tij të përshkruar nëpër gazeta. Rrjedhimisht, në vend të imazhit të komunizmit, kemi imazhin individual të komunistit: një idealist i përkushtuar nëpër filma dhe kriminel gjysmëpsikopat nëpër gazeta. Zgjedhja është tmerrësisht e kufizuar. Po nuk i besove filmit, besoji gazetës. Në fund të fundit, janë dy opsione diagonalisht të kundërta, apo jo? Njëra duhet të jetë e saktë! Në fakt, teksa po shikojmë tragjikomedinë e individit, na davaritet përtej fokusit vetë sistemi. Aq më tepër kur, në kushtet e një indiference ndaj së shkuarës, brezat e rinj e deduktojnë natyrën e sistemit nga sjellja e individit: pra natyrën e komunizmit nga natyra e komunistit XY. Kjo është arsyeja përse sot në Shqipëri mbretëron hareshëm ideja naive se “komunizmi është ide e mirë, por e parealizueshme në praktikë”. Një ide në të cilën mbiemri “i parealizueshëm” zëvendësohet shumë lehtë me “i parealizuar”. Sepse, meqenëse komunistët paskan qenë ose idealistë jopragmatistë si “komisari i dritës” ose kriminelë që shfarosin të gjithë shokët si Enveri, atëherë fajin e “dështimit” nuk e paska komunizmi, por komunistët. Madje, ndoshta thjesht populli nuk ishte ende gati për komunizmin! Domethënë, ndoshta është koha ta provojmë përsëri! E meqë komunistët e rinj shqiptarë nuk e kanë me shumë qejf idenë emigrimit në Korenë e Veriut dhe meqë komunizmi nuk qenka zbatuar si duhet as në Shqipërinë e Enverit, as në Kinën e Maos e as në Gjermaninë e Honekerit, atëherë, o burra, t’i japim një shans këtu. Është e qartë se shumica e njerëzve mendojnë se çfarëdo rreziku komunist në Shqipëri i përket imagjinatës së shfrenuar. Por ndoshta gabohen. Sot idetë komuniste i gjen fuqishëm nëpër gazeta të veçanta ose në shtypin gjeneralist, nëpër protesta, nëpër auditorë universitetesh dhe, mbi të gjitha, mbuluar me “like” në Facebook. Sot mes të rinjve që përpiqen të lexojnë më tepër sesa librat e shkollës është më lehtë të gjesh maoistë të papenduar si Alain Badiou-ja, të përkthyer në shqip, madje të përkthyer shumë mirë, sesa autorë që kanë studiuar totalitarizmin si Arendt-i ose Lefort-i që, gjithsesi, vështirë t’i akuzosh si përfaqësues të borgjezisë dhe kapitalizmit. Sa e lehtë është të magjepsësh studentët me Marksin dhe pasuesit e tij! Natyrisht, sot nuk kërkohet revolucion proletar, sepse gjithsesi, nuk duhet lënë nam, por i bëhet aktualitetit ajo pjesë e “kritikës” marksiste të kapitalizmit që të “ndihmon” të arrish në përfundimin e duhur. Dhe sigurisht, kërkohen “gjëra të vogla”, që ndoshta edhe një qeveri Rame apo Berishe mjaftueshmërisht populiste do të mund t’i realizonte pa ngacmuar asnjë reflekt analogjie me komunizmin klasik. Idetë komuniste nuk kanë nevojë të realizohen shkronjë për shkronjë që të ndikojnë në ditët tona. P.sh., ndonjë taksë të fortë progresiste, ndonjë subvencionim e planifikim prodhimi, ndonjë formë proteksionizmi, ndonjë shtetëzim domethënës, e kështu me radhë. U mjafton fryma, pa shkuar te neni. Teoria se “komunizmi” nuk është testuar ende “siç duhet” mbështetet kështu nga përftimi i imazhit të komunistit në kurriz të harresës së sistemit. Mediat bëjnë punën e tyre këtu kryesisht përmes sipërfaqshmërisë dhe teatralizimit të së shkuarës tragjike. Historianët dhe studiuesit e tjerë shqiptarë përgjithësisht ua kanë në dorë analizën e komunizmit mediave. Në ndonjë rast ata janë bërë pjesë e lidhjes thjeshtëzuese të performancës së komunizmit me rolin e individëve (Enver Hoxhës e të tjerëve). Analiza e sistemit u është lënë të huajve dhe kryesisht atyre që nuk janë përkthyer ende. Askush nuk është lodhur seriozisht deri më sot të dëshmojë se si komunizmi shqiptar nuk i ka lënë asnjë presje pa zbatuar modelit teorik të komunizmit, pavarësisht se nuk rezulton të jetë dhe aq e vështirë në një vend ku prona private u zhduk deri në kufijtë e turpit, terrori që kërkonte diktatura e proletariatit la mijëra të vdekur nga pas, propaganda dhe “edukimi” zëvendësoi lirinë e shprehjes, ku feja u çrrënjos përtej çdo shprese. Marksi nuk do ta kishte ëndërruar dot më të realizuar komunizmin! Për këto arsye, ndryshe nga sa thuhet, komunizmi shqiptar nuk dështoi: ai ishte plotësisht i suksesshëm, madje shumë më tepër sesa në çdo vend tjetër, ndoshta me përjashtim të Koresë së Veriut. Dhe ky sukses i tij nuk erdhi për meritë të individëve që e zbatuan e as u rrezikua prej bëmave ordinere të tyre. E gjithë merita e zbatimit të plotë të komunizmit në Shqipëri është e respektimit të modelit teorik që ishte marrë. Kritikët e kapitalizmit na thonë sot se fajin për dështimin e pretenduar të kapitalizmit e ka liberalizmi, dhe jo individët, ndërkohë që menjëherë më pas shpallin se fajin për “dështimin” e komunizmit e kishin njerëzit, dhe jo marksizmi. Duke zhvendosur vëmendjen tek individët, ne harrojmë sistemin dhe e bëjmë atë të riciklueshëm në çfarëdo forme që mund të shërbehet.

*Gazeta Panorama

KOMENTE