English

Haxhinasto-konsujve: Promovoni vlerat më të mira të Shqipërisë

Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA- Zëvendëskryeministri njëherësh Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto priti sot në takim konsujt e nderit të Shqipërisë në botë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Haxhinasto uroi shqiptarët kudo ku ndodhen brenda dhe jashtë kufijve për festën e 99 vjetyorit të Pavarësisë.

Siç informon agjencia e lajmeve NOAa.al, duke iu drejtuar konsujve të pranishëm, ministri Haxhinasto vlerësoi lart kontributin e tyre, si pjesë e natyrshme e trupit diplomatik shqiptar në botë, në promovimin e vlerave më të mira të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më tej, Haxhinasto vuri theksin në dy aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së konsujve, në promovimin e imazhit dhe të potencialeve ekonomike të Shqipërisë.

Sakaq Haxhinasto u kërkoi konsujve të nderit, që të japin ndihmesën e tyre në njohjen e shtetit të ri të Kosovës.

Ndër të tjera kreu i diplomacisë shqiptare kërkoi nga konsujt promovimin e potencialeve ekonomike të vendit.

Duke iu referuar 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, që shënohet vitin e ardhshëm, Haxhinasto vlerësoi se ky vit jubilar do të jetë një tjetër mundësi për të festuar dhe për të punuar të gjithë së bashku për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarizmit.

Mësohet se kjo veprimtari e organizuar në kuadër të festave kombëtare, synon që të shndërrohet në një traditë të veprimtarive diplomatike të MPJ-së. Në këtë veprimtari merrte pjesë dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

a.y/NOA

KOMENTE