Nju Jork, 29 nëntor 2011, NOA – Situata në veri të Kosovës do të diskutohet sot në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në këtë mbledhje ku do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç, dhe kreu i misionit të Kombeve të Bashkuara Farid Zarif, do të flasë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, i cili pritet të dënojë dhunën e mbrëmshme në veri të Kosovës, ku strukturat paralele serbe në veri qëlluan mbi 25 ushtarë të KFOR-it.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit do të diskutohet për raportin tremujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, në të cilin ai vlerëson se zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës, mund ta destabilizojnë rajonin e Ballkanit.
“Për aq kohë sa problemet në portat 1 dhe 31 janë ende të pazgjidhura dhe për aq kohë sa çështjet e lidhura me sundimin e ligjit ngatërrohen me çështjet e statusit, në terren ekziston rreziku i shpërthimit të dhunës”, thuhet në raportin e Ban Ki Munit, të cituar nga Kosovapress.
mit/NOA