English

Kontinenti Evropian, pas një dekade

Në Europën e re, grekët do të jenë kopshtarët, gjermanët do të rreziten, ndërsa do të ekzistojë edhe një unioni i ri fiskal. Mirë se erdhët në një tjetër Shtete të Bashkuara

Nga Niall Ferguson

Mirë se erdhët në Europa 2021. Dhjetë vjet kanë kaluar që nga kriza e madhe e viteve 2010-2011 që ka rrëzuar më shumë se dhjetë qeveri, përfshirë atë të Spanjës dhe të Francës. Disa gjëra kanë mbetur të njëjta, por shumëçka ka ndryshuar.

Euro është ende në përdorim, megjithëse kartëmonedhat tani shihen shumë më rrallë. (Në të vërtetë, lehtësia e pagesave elektronike i bën disa njerëz që të pyeten se pse krijimi i valutës së përbashkët europiane ka qenë fare i nevojshëm ndonjëherë). As Brukseli duket të mos jetë selia politike e Europës. Vjena është trashëgimtarja e saj.

“Ka diçka nga trashëgimia e Habsburgut”, shpjegon kancelarja e re dinamike e Austrisë, Marsha Radetzky. “Ajo i bën politikat shumëkombëshe të duken shumë më argëtuese”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbin pozitën si shteti më i mirë për të bërë biznes, ndërsa Kina dhe pjesa e mbetur e Lindjes zotërojnë rrugët e Perëndimit në krijimin e një paradigme të re ekonomike, ka thënë historiani i Harvardit, Niall Ferguson, në një intervistë për John Bussey të “Wall Street Journal”.

Gjermanët po ashtu do të jenë duke kërkuar aranzhime të reja. “Për disa arsye, ne kurrë nuk jemi ndier shumë të mirëseardhur në Belgjikë”, kujton kancelari gjerman, Reinhold Siegfried von Gotha-Dämmerung.

Jeta është ende larg nga të qenit e lehtë në shtetet periferike të Shteteve të Bashkuara të Europës (ashtu siç sot njihet Eurozona). Papunësia në Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë arrin deri në 20 për qind. Por krijimi i një sistemi të ri të federalizmit fiskal në vitin 2012, ka siguruar rrjedhje të qëndrueshme të fondeve nga baza veriore europiane.

Sikurse gjermanolindorët para tyre, europianët e jugut janë mësuar me këtë lloj tregtibërjeje. Me një të pestën e popullatës së rajonit të tyre në moshën mbi 65-vjeçare dhe një të pestën të papunë, njerëzit kanë kohë të mjaftueshme për t’u kënaqur me gjërat e mira në jetë. Dhe kanë mjaft euro për të fituar nga kjo ekonomi gri, duke punuar si kamerierë apo kopshtarë për gjermanët, të cilët gjithnjë e më shumë kanë shtëpi të dyta në jugun me diell.

SHBE-ja faktikisht fiton edhe disa anëtarë të rinj. Lituania dhe Letonia i përkushtohen planit të tyre për t’iu bashkuar euros, duke e ndjekur shembullin e fqinjit të tyre, Estoni. Polonia, nën lidershipin dinamik të ish-ministrit të Jashtëm, Radek Sikorski, ka bërë po të njëjtën gjë. Këto shtete të reja janë fëmijët më të vegjël të Europës së re, që tërheqin investimet gjermane me taksat e tyre të ulëta dhe pagat relativisht të vogla.

Por edhe disa shtete të tjera kanë mbetur pjesë e kësaj strukture.

David Cameron – që tani nis mandatin e tij të katërt si kryeministër i Britanisë – e që falë yjeve të tij me fat i shmanget vazhdimisht presionit nga euroskeptikët në partinë e tij, vendos të rrezikojë dhe të mbajë një referendum për anëtarësimin e BE-së. Partnerët e tij të koalicionit liberaldemokrat kryejnë vetëvrasje politike, duke iu bashkuar fushatës fatale të laburistëve “Po Europës”.

I nxitur nga tabloidet imponuese të Londrës, publiku votoi të dalë nga grupi me një dallim votash prej 59 përqindësh krahasuar me 41 për qind dhe ia dhanë më pas konservatorëve shumicën absolute në Dhomën e Përfaqësuesve. E çliruar nga sundimet zyrtare të Brukselit, Anglia bëhet një destinacion i favorizuar për investimet direkte kineze në Europë. Dhe kinezët tani i duan apartamentet e tyre luksoze në Chelsea, e të mos i përmendim parajsat për gjueti në Skoci.

Në disa mënyra, kjo Europë federale do të kënaqë zemrat e etërve themelues të integrimeve europiane. Në qendër të asaj ishte partneriteti franko-gjerman, i lançuar nga Jean Monnet dhe Robert Schuman, në vitet ‘50. Mirëpo SHBE-ja e vitit 2021 është dukshëm më ndryshe nga Bashkimi Europian që u shpërbë në vitin 2011.

* * *

Është e vërtetë se shpërbërja e BE-së u përqendrua në dy djepet më të mëdha të civilizimit perëndimor, në Athinë dhe Romë. Mirëpo George Papandreou dhe Silvio Berlusconi nuk do të thotë se ishin liderët e parë europianë që kanë rënë viktimë e asaj që mund të quhet kurs i euros.

Qëkur droja financiare nisi të përhapet nëpër Eurozonë në qershor të vitit 2010, jo më pak se shtatë qeveri kanë rënë: në Holandë, Sllovaki, Belgjikë, Irlandë, Finlandë, Portugali dhe Slloveni. Fakti se nëntë qeveri kanë rënë në më pak se 18 muaj – me një tjetër që së shpejti do të bjerë – ishte mahnitës.

Mirëpo jo vetëm euro ishte makineria qeveri-vrasëse. Ishin po ashtu edhe lëvizjet populiste të një gjenerate të re, si ajo e Partisë së Lirisë në Holandë dhe e Finlandezëve të Rinj. Belgjika ishte buzë ndarjes në dysh. Vetë struktura e politikave europiane po shpërbëhej.

Kush mund të ishte në radhë? Përgjigjja ishte e qartë. Pas zgjedhjeve të 20 nëntorit të vitit 2011, Kryeministri spanjoll, Jose Luis Rodriguez Zapatero, ka dhënë dorëheqje. Disfata e tij ishte një konkluzion aq i ditur saqë ai vendosi qysh në prill që të mos lodhet të kërkojë rizgjedhje.

Dhe pas tij? Lideri i radhës, ulur në karrigen luhatëse, ishte Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili kandidonte për rizgjedhje në prill.

Pyetja që sillej në kokën e çdokujt në nëntorin e vitit 2011 ishte nëse unioni monetar i Europës – i krijuar me aq dhembje në vitet ‘90 – do të prishej. Shumëkush mendonte se po. Në të vërtetë, figura me ndikim e Universitetit të New York-ut, Nouriel Roubini, argumentoi se jo vetëm Greqia, por po ashtu edhe Italia do të duhej të largoheshin – apo të përjashtoheshin – nga Eurozona.

Por sikur kjo gjë të ndodhte, vështirë do të shihnim se si monedha e përbashkët do të mbijetonte. Spekulantët ndërkohë do të kthenin menjëherë përqendrimin e tyre nëpër bankat e lidhjes së tyre më të dobët (mbase Spanja). Ndërkohë shtetet e ndara do të financonin veten edhe më shumë se më parë. Brenda natës, të gjitha bankat e tyre dhe gjysma e korporatave jofinanciare të tyre do të cilësoheshin si të falimentuara, me detyrime të mëdha kryesisht në euro, por me asete në dhrahmi dhe lira.

Rikthimi i valutave të vjetra do të ishte po ashtu një investim shkatërrues i shtrenjtë, në një kohë të deficiteve pothuajse kronike. Huazimet e reja do të ishin të pamundura për të financuar në një mënyrë tjetër, përveçse me shtypjen e parave. Këto shtete shumë shpejt do të gjenin veten në qarkun e rënies, e cila do të mohonte çfarëdo përfitimi nga devalvimi.

Për shkak të të gjitha këtyre arsyeve, kurrë nuk kam pritur shpërbërjen e vërtetë të Eurozonës. Sipas mendjes sime, dukej shumë më e mundur që valuta të mbijetojë – por Bashkimi Europian do të shpërbëhej. Mbi të gjitha, nuk ekzistonte ndonjë mekanizëm ligjor për një shtet si Greqia të largohet nga unioni monetar. Mirëpo, nën nenin special 50 të Traktatit të Lisbonës, një shtet anëtar mund të largohej nga BE-ja. Dhe kjo është pikërisht ajo që britanikët bënë.

* * *

Britania pati fat në këtë aspekt. Rastësisht, për shkak të një zënke personale midis Tony Blair-it dhe Gordon Browne, Mbretëria e Bashkuar nuk iu bashkua Eurozonës pas marrjes së pushtetit nga laburistët, më 1997-n. Si rezultat i kësaj, Britania u kursye nga trazirat që erdhën pas krizës financiare.

Me një pozitë fiskale pak më të mirë sesa shumica e shteteve të Mesdheut dhe një sistem shumë më të madh bankar sesa secila ekonomi tjetër europiane, Britania me euron do ta pësonte tetë herë më shumë sesa Irlanda. Në vend të kësaj, Banka e Anglisë ishte në gjendje që ta shpinte përpara një politikë agresive ekspansioniste. Me norma zero të interesit, lehtësime dhe devalvime, “Kancelari i çeliktë”, George Osborn, e pati të mundur që të arrijë sukses në tregjet e obligacioneve.

Në fillim të kryeministërllëkut të David Cameron-it, më 2010-n, ekzistonte shqetësimi se Britania e Madhe do të mund të shpërbëhej. Megjithatë, kriza financiare ua largoi vëmendjen skocezëve nga pavarësia, pasi që shtetet e vogla e kishin pësuar keq. Po ashtu, më 2013-n, në një kthesë historike që dikur ka mundur vetëm të ëndërrohej, votuesit e Republikës së Irlandës votuan për të mirën e Britanisë së Madhe. Irlandezët post-sektarë e kremtuan shtetësinë e tyre në një Mbretëri të Ribashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës me sloganin: “Më mirë britanikët, sesa Brukseli”.

Një tjetër gjë që askush nuk e kishte pritur më 2011, ishin zhvillimet në Skandinavi. Të inspiruar nga finlandezët e vërtetë në Helsinki, suedezët dhe danezët – që nuk iu ishin bashkuar kurrë euros – e refuzuan propozimin gjerman për një “union” për shpëtimin e Europës Jugore. Kur norvegjezët e pasur me burime sugjeruan një Ligë Veriore të përbërë nga pesë shtete, ku do të inkuadrohej edhe Islanda, propozimi shkaktoi reagime dhe emocione të mëdha.

Marrëveshjet e reja nuk janë edhe aq të popullarizuara në Gjermani. Mirëpo, për dallim prej shteteve të tjera, prej Holandës e deri në Hungari, çfarëdolloj i politikës populiste vazhdon të jetë i ndaluar në Gjermani. Përpjekjet për themelimin e partisë “Gjermanët e vërtetë” (Die wahren Deutschen) dështuan si rezultat i akuzave të zakonshme për neonazizëm.

Disfata që pësoi koalicioni i Angela Merkel-it, më 2013, nuk shkaktoi befasi, pas krizës në sistemin gjerman bankar të një viti më parë. Tatimpaguesit u zemëruan me vendimin e Merkel-it për ta shpëtuar “Deutsche Bank” me gjithë faktin se huatë që kjo bankë ia kishte dhënë Fondit fatkeq Europian për Stabilitet Financiar ishin bërë në emër të qeverisë së saj. Qytetarët gjermanë thjesht u ngopën me shpëtimin e bankierëve. “Occupy Frankfurt” fitoi.

Megjithatë socialdemokratët e opozitës vazhduan në esencë po të njëjtat politika si më parë, vetëm me një bindje më të thellë proeuropiane. Ishte partia fituese SPD-ja ajo që shtyu përpara rishikimin e traktatit, nëpërmjet të të cilit parashihej krijimi i Zyrës për Financat Europiane, që faktikisht luante rolin e një Departamenti Europian të Thesarit, të vendosur në Vjenë.

Ishte SPD-ja ajo që mirëpriti largimin e britanikëve dhe skandinavëve të çuditshëm, duke i bindur 21 shtetet e mbetura që t’i bashkohen Gjermanisë në një federatë të Shteteve të Bashkuara të Europës, në pajtim me Traktatin e Potsdamit më 2014. Me anëtarësimin e gjashtë ish-shteteve të mbetura jugosllave – Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – numri total i shteteve në SHBE arriti në 28, apo një më shumë sesa në BE-në e para krizës. Me ndarjen e flandërve dhe valonëve, numri i përgjithshëm u ngrit në 29.

E rëndësishme është edhe se SPD-ja ishte ajo që mbrojti bëmat e Mario Draghit, bankierit italian që ishte bërë president i Bankës Qendrore Europiane në fillim të nëntorit të vitit 2011. Draghi kishte tejkaluar kompetencat e tij, në blerjen masive indirekte të obligacioneve italiane dhe spanjolle, të cilat i dhanë fund në mënyrë aq dramatike krizës së tregjeve të obligacioneve, vetëm disa javë pasi që ai mori postin. Faktikisht, ai e ktheu Bankën Qendrore Europiane në një huadhënëse të qeverive.

Megjithatë, këto aksione të Draghit kishin funksionuar. Zgjerimi i bilancit të gjendjes së Bankës Qendrore Europiane e kishte kthyer besimin në tërë sistemin financiar europian, ashtu si kishte ndodhur edhe në SHBA, më 2009. Siç tha edhe Draghi në një intervistë gjatë dhjetorit të vitit 2011, “Euro mund të shpëtohej vetëm duke e shtypur atë”.

Kështu, Unioni Monetar Europian nuk u shkatërrua, me gjithë parashikimet e zymta të 2011-s. Në të kundërtën, në vitin 2021, euro po përdoret nga më shumë shtete, sesa para krizës.

Derisa po fillojnë negociatat për anëtarësimin e Ukrainës, zyrtarët gjermanë flasin me entuziazëm për një Traktat të ardhshëm të Yaltës, duke e ndarë Europën Lindore sërish në sfera ruse dhe europiane të ndikimit. Një burim i afërt me kancelarin Gotha-Dämmerung tallej gjatë javës së kaluar: “Nuk na pengon që rusët t’i mbajnë tubet e naftës, përderisa ne t’i kemi plazhet e Detit të Zi”.

E parë në retrospektivë, ishte mbase mirë që euroja u shpëtua. Një shpërbërje e plotë e Eurozonës, me tërë kaosin monetar që do të mund të përfshinte, ka mundur të lërë pasoja të paparashikueshme.

Atëbotë, në vitin 2011, kishte ende njerëz që besonin se Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme po hynin në një erë të ndritshme të demokracisë. Mirëpo, duke parë në vitin 2021, optimizmi i tillë duket pothuajse i pakuptueshëm.

Ngjarjet e vitit 2012 tronditën jo vetëm Europën, mirëpo tërë botën. Sulmi izraelit në lokacionet bërthamore iraniane ia futi fitilin “Pranverës arabe”. Irani ndërmori kundërsulm nëpërmjet aleatëve të saj në Gazë dhe Liban.

Pasi kishte dështuar ta pengojë aksionin izraelit, SHBA-ja sërish u vu në prapaskenë, duke ofruar ndihmë minimale dhe duke u munduar kot që ta mbajë të hapur Ngushticën e Hormuzit, pa e shkrepur as edhe një fishek. (Kur një ekuipazh i tërë i luftëtarëve amerikanë u kap dhe u mbajt peng nga Garda Revolucionare e Iranit, gjasat e dobëta të Obamës për rizgjedhje u avulluan).

Turqia e shfrytëzoi rastin për t’u vënë në anën e Iranit, duke e mohuar në të njëjtën kohë ndarjen e bërë gjatë Ataturkut të shtetit turk nga Islami. E trimëruar nga fitorja në zgjedhje, “Vëllazëria Myslimane” e mori pushtetin në Egjipt, duke e hedhur poshtë traktatin paqësor të shtetit të saj me Izraelin. Mbreti i Jordanisë nuk pati zgjidhje tjetër, pos ta ndjekë shembullin. Sauditët hezitonin, mirëpo ata nuk mund ta linin përshtypjen se po e mbështesnin Izraelin, ndonëse ata donin që t’i shmangeshin një Irani bërthamor.

Izraeli u izolua në tërësi. SHBA-ja kishte punë të veta, pasi që presidenti Mitt Romney ishte përqendruar në “ristrukturimin” e bilancit të gjendjes së qeverisë federale.

Në këtë mes ndërhynë me shpejtësi Shtetet e Bashkuara të Europës, me qëllim të parandalimit të skenarit, të cilit gjermanët i druanin në veçanti: përdorimit të armëve bërthamore nga Izraeli. Duke folur nga selia e bukur e Ministrisë së Jashtme në SHBE në Ringstrasse, presidenti i Europës, Karl von Habsburg, i tha “Al-Jazeera”-s: “Së pari, jemi të shqetësuar rreth ndikimit që do të kishte ngritja e çmimeve të naftës mbi euron tonë të dashur. Megjithatë, mbi të gjitha, jemi të shqetësuar për pasojat që do të shkaktonte radioaktiviteti, pas përdorimit të këtyre armëve”.

Duke parë në retrospektivë dhjetë vjetët e kaluar, Von Habsburg ndiente me të drejtë krenari. Jo vetëm që euroja kishte mbijetuar. Disi, vetëm një shekull pas rrëzimit të gjyshit të tij, Perandoria e Habsburgut ishte vënë në krye të Shteteve të Bashkuara të Europës.

Çudi që britanikët dhe skandinavët preferojnë ta quajnë Perandori tërësisht gjermane.

KOMENTE